MENU
klinika

Çfarë thotë Kreu i puçit në Mianmar?

“Gjendja e jashtëzakonshme do zgjasë deri në vitin 2023”

02.08.2021 - 08:29

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Mianmarit, Gjeneral Min Aung Hlaing, i cili mori pushtetin me një grusht shteti ushtarak në vend, tha se dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme do të zgjasin deri në gusht 2023 dhe se do të përgatiten për zgjedhje të përgjithshme shumëpartiake pa të meta.

“Ne duhet të krijojmë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të lira dhe të drejta shumëpartiake. Ne duhet të përgatitemi. Unë premtoj se do të mbaj zgjedhjet e përgjithshme shumëpartiake pa asnjë të metë”, tha Hlaing në një fjalim televiziv.

Duke deklaruar se autoritetet ushtarake “do të përmbushin dispozitat e gjendjes së jashtëzakonshme deri në gusht 2023”, Hlaing theksoi se është gati të bashkëpunojë me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), përfshirë “dialogun me të dërguarin special” të kësaj organizate në Mianmar.

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Deri tani, mijëra persona janë arrestuar, ndërsa 939 kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit dhe grupeve kryengritëse.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.