MENU
klinika

Bien aksionet e “Tencent” dhe “NetEase”

Kina i kategorizon lojërat online si “droga elektronike”

03.08.2021 - 19:53

Aksionet e “Tencent” dhe “NetEase” ranë për më shumë se 10 për qind në tregun e Hong-Kongut para se t’i rikthenin disa prej këtyre humbjeve. Investitorët, sipas agjencisë britanike të lajmeve BBC, janë gjithnjë e më të shqetësuar për sulmin ndaj firmave nga Pekini. Gjatë muajve ​​të fundit, autoritetet kanë njoftuar një sërë masash për ta forcuar kontrollin e tyre mbi teknologjinë dhe kompanitë private të arsimit
Aksionet e dy prej kompanive më të mëdha të lojërave online në Kinë kanë evidentuar rënie të theksueshme, pasi që një media shtetërore i quajti lojërat e tilla si “droga elektronike”.

Aksionet e “Tencent” dhe “NetEase” ranë për më shumë se 10 për qind në tregun e Hong-Kongut para se t’i rikthenin disa prej këtyre humbjeve. Investitorët, sipas agjencisë britanike të lajmeve BBC, janë gjithnjë e më të shqetësuar për sulmin ndaj firmave nga Pekini. Gjatë muajve ​​të fundit, autoritetet kanë njoftuar një sërë masash për ta forcuar kontrollin e tyre mbi teknologjinë dhe kompanitë private të arsimit.

Në një artikull të botuar nga gazeta shtetërore “Economic Information Daily” thuhej se shumë adoleshentë ishin bërë të varur nga lojërat në internet dhe se kjo kishte ndikim negativ tek ata. Gazeta është e lidhur me agjencinë zyrtare të lajmeve “Xinhua”.

Artikulli, sipas BBC-së, citoi lojën jashtëzakonisht të famshme të “Tencent”, “Honor of Kings”, duke pretenduar se nxënësit po luanin në të deri në tetë orë në ditë dhe duke kërkuar më shumë ndalesa në industri.

“Asnjë industri, asnjë sport, nuk mund të lejohet të zhvillohet në një mënyrë që ta shkatërrojë një brez”, thuhet në artikull para se të krahasoheshin lojërat online me “opiumin shpirtëror”. “Tencent” ka bërë të ditur se do të prezantojë masa për ta ulur qasjen e fëmijëve në lojë dhe kohën e kaluar në të. Kompania gjithashtu ka njoftuar se planifikon që së fundi të prezantojë rregulla për të gjitha lojërat e saj.

Rimëkëmbja e çmimeve të aksioneve është shënuar pasi që “Economic Information Daily” fshiu artikullin nga llogaria në platformën e mediave sociale Wechat. “Tencent” gjithashtu ka pasur rënie të aksioneve javën e kaluar, pasi që ishte urdhëruar që t’u japë fund marrëveshjeve ekskluzive të licencimit të muzikës me kompanitë diskografike në të gjithë botën.

Siç raporton BBC-ja, veprimi kishte për qëllim që ta prekë dominimin e gjigantit teknologjik në transmetimin e muzikës online në vend – aktualisht kontrollon më shumë se 80 për qind të të drejtave ekskluzive të transmetimit të muzikës në Kinë pas një blerjeje më 2016. “Tencent” është vetëm një nga një numër i kompanive kineze të listuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hong-Kong dhe Kinë, që ka pasur rënie të aksioneve këtë vit, përderisa Pekini po sulmon industritë e teknologjisë dhe arsimit në vend.

Javën e kaluar, aksionet në firmat kineze të tutorizimit në internet kanë rënë, pasi që u hoqën nga mundësia për të përfituar nga mësimi i lëndëve kryesore në Kinë. Udhëzimet e reja gjithashtu kufizuan investimet e huaja në industri. Ndryshimi i madh i rregullave erdhi përderisa autoritetet përpiqen t’i lehtësojnë presionet financiare të rritjes së fëmijëve. Zyrtarët janë shqetësuar pasi regjistrimi i fundit i Kinës tregoi se niveli i lindjeve kishte rënë në nivelin më të ulët në shtatë dekada. Ky është një nga kontrollet e përgjithshme më të mëdha që është bërë ndonjëherë ndaj sektorit të mësimit privat të vendit prej 120 miliardë dollarësh.