MENU
klinika

Qeveria e Varshavës duket se do të hapë rrugë

Polonia sinjalizon kompromis me BE për reformën në drejtësi

08.08.2021 - 18:34

Në grindjen mes Polonisë dhe BE, qeveria e Varshavës duket se do të hapë rrugë. Komisioni Europian e ka akuzuar qeverinë në Varshavë, se me Dhomën Disiplinore minon pavarësinë e drejtësisë.

Zëvendëskryetari i qeverisë, Jaroslaw Kaczynski bëri të ditur të shtunën, se do të bëhen ndryshime të rëndësishme në një çështje që e futi Poloninë në konflikt me BE. Fjala është për Dhomën Disiplinore për gjykatësit polakë, shumë të kontestuar, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Kjo instancë është kategorizuar si nga Gjykata Europiane e BE edhe Gjykata për të Drejtat e Njeriut si jo ligjore.

Ne do të heqim Dhomën Disiplinore të Gjykatës së Lartë siç është në formën e tanishme, e me këtë do të hiqet edhe tema e grindjes me BE”, tha Kaczynski për agjencinë e lajmeve PAP, i cili si kreu i partisë qeverisëse nacional-konservatore, PiS konsiderohet si njeriu i fortë në qeveri. Në shtator priten propozime për këtë.

Qeveria polake e futi në veprim Dhomën Disiplinore në vitin 2018. Ajo është përgjegjëse për procedurat disiplinore ndaj gjykatësve dhe mund t’i pezullojë ata nga puna. PiS dhe partnerët e koalicionit, thanë, se donin të luftonin me këtë korrupsionin dhe veprime të tjera joligjore, si edhe do të vepronin kundër „trashëgimisë së komunizmit” në sistemin e drejtësisë.

Kritikët, mes tyre edhe Komisioni Europian akuzojnë qeverinë në Varshavë, se po minon kështu pavarësinë e drejtësisë dhe ndarjen e pushteteve. KE e paditi çështjen në Gjykatën Europiane në Luksemburg dhe bëri kërkesën për pezullimin me procedurë të menjëhershme të Dhomës Disilpinore. Në korrik Gjykata Europiane vendosi, se Dhoma Disiplinore shkel të drejtën europiane./DW/