Zoja është një grua që sapo i ka kaluar të 60-at dhe ka dalë në pension. Asaj i duhet të përballojë shpenzimet mujore, me një pension prej më pak se 17 mijë lekë në muaj.
Ajo thotë se ka punuar për më tepër se 30 vite, por ky është pensioni që përfiton në bazë të përllogaritjeve të viteve të punës dhe sigurimeve të paguara.
Megjithatë, ajo e quan veten me fat, edhe për faktin se herë pas here atë e ndihmon financiarisht i biri, emigrant në Itali.
Në Shqipëri janë me dhjetëra e qindra të moshuarit, të cilët nuk arrijnë të përballojnë jetesën me pensionet kur shpenzimeve të zakonshme iu shtohen edhe ato për kurim.
E vërteta është se pensionet e pleqërisë janë një mjet shumë i rëndësishëm, që ndikon në nivelin ekonomik të vendit. Këtë pohon edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, ndërsa vëren në një studim të publikuar së fundmi, se nga programet e mbrojtjes sociale që qeveria shqiptare përdor për të mbështetur shtresat më të varfra të shoqërisë, skema e pensioneve është më efikasja.
Studimi i zhvilluar në bashkëpunim mes Ekipit të Mbështetjes Teknike për Punën e Denjë në ILO dhe Zyrës Qendrore për Europën Lindore dhe Qendrore në Budapest vë theksin në faktin se Shqipëria është një vend që po shkon me ritme të shpejta drejt rritjes së moshës së popullsisë.
“Që nga 1990, ka pasur një rënie të shpejtë dhe të fortë të nivelit të fertilitetit total nga 3.2 fëmijë për grua në 1990 në 1.6 në vitin 2010. Për më tepër, që nga mesi i 1990 ka pasur një fluks të rëndësishëm të largimit migrator i cili ka vazhduar si i tillë deri në ditët e sotme. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, pjesa e të moshuarve pritet të rritet nga 14.7 përqind në 2020 në 25.5 përqind në 2050.”
ILO raportoi se në vitin 2019, në Shqipëri përfituan pension të pleqërisë 729,816 persona, por ky numër do të rritet me tej.
Nga ana tjetër masa e pensionit është shumë poshtë pagës mesatare në vend, çka e ekspozon popullsinë e vjetër në moshë ndaj fenomenit të varfërisë.
Numri i popullsisë që trajtohet me pension është më i lartë se i personave, që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave, numri i vlerësuar i anëtarëve të familjeve që marrin ndihmë ekonomike është 8.0% e popullsisë më 2019, nivel ky, shumë më i ulët se përqindja e popullsisë, që i ka të ardhurat nën 40% të mesatares kombëtare.
Por si mund të reduktohet varëfëria dhe përmirësohen pensionet?
Organizata Ndërkombëtare e Punës sheh si mjet efikas për reduktimin e varfërisë përmirësimin e pagesës së pensioneve.
Përmirësimi do të mund të arrihet përmes një serie masash, që përfshijnë një reformë në tregun e punës, sidomos në uljen e informalitetit.
Aktualisht vetëm 44.5 përqind e popullsisë me moshë 20–64 vjeç në Shqipëri kontribuojnë në Sistemin e Sigurimeve Shoqërore.
“Kur mbulimi kontributiv është në një nivel kaq të ulët, aplikimi i një parimi strikt kontributiv ndërmjet të pasurit të drejtë për përfitim dhe pagesës së kontributeve nënkupton që në afat gjatë më shumë se 55 përqind e personave të moshuar nuk do të kenë të drejtë për të pasur pensione nga kontributet.”, vërehet në studim.
“Përveç pensioneve të pleqërisë, përfitimet e tjera për mbrojtjen sociale në para, si ato kontributore ashtu edhe ato jo kontributive, tregojnë performancë të dukshme të varfër në kuptim të mbulimit të përfituesve dhe mjaftueshmërisë së përfitimit. Një arsye për këtë është që një numër i madh i punonjësve nuk kualifikohen për përfitime të sigurimeve shoqërore për shkak se ata nuk kanë paguar kontributet për periudhën e kërkuar.”,– vërehet në raport.
Një studim në formën e anketës të realizuar nga ILO ka gjetur se në tregtinë me pakicë, informaliteti arrin edhe në 80% dhe kamuflohet si punë pa pagesë në biznesin e familjes. Organizata thekson se popullsia në moshë pune duhet të nxitet të punojë dhe vendi duhet të ulë përqindjen e popullsisë joaktive, e cila po vjen në rritje pas pandemisë.
“Reforma e pensioneve e vitit 2015, e cila shtrëngoi kushtet e pranueshmërisë, kufizoi më tej aksesin në të drejtën e pensionit. Arsyet kryesore për mbulim të ulët janë: pjesëmarrje relativisht e ulët në forcën e punës dhe papunësia e lartë (në veçanti për të rinjtë dhe femrat), mungesa e rregjistrimit për shkak të informalitetit dhe raportimi më i ulët i pagës. Nëse nuk merret ndonjë veprim për të zgjeruar mbulimin, kostot e garantimit të sigurisë së të ardhurave për të moshuarit thjesht do të kalojnë nga sistemi kontributiv në pensionin social të financuar nga buxheti i Shtetit.”
Nevoja për mbrojtje sociale të zgjeruar
Aktualisht, pothuajse të gjithë personat e moshuar (duke përfshirë të gjithë popullsinë 70 vjeç e sipër) marrin pensione pleqërie. Numri total i pensionistëve të pleqërisë e kalon numrin e popullsisë 65 vjeç e sipër dhe mbulon më shumë se 90% të popullsisë në moshë 60 vjeç e sipër. Mosha mesatare e pensioneve të futura rishtaz në 2019 ishte 65.1 vjeç për meshkujt dhe 61.0 vjeç për femrat. Për shkak të mbulimit të madh të përfituesve me pensione pleqërie, numri i përfituesve me pensione sociale ishte vetëm 2,631 në 2018 në kundërshtim me parashikimin e vlerësimit fillestar për 5,000.
“Megjithëse niveli i përfitimit është modest (shumë afër me standardet minimale), pensionet e pleqërisë dhe familjes kanë ndikimin më të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë sidomos ndërmjet të moshuarve.”,- vërehet në raport./SI