Ndryshimi i klimës dhe pandemia e koronavirusit mund të jenë kriza që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, por bashkëthemeluesi i Skype, Jaan Tallinn beson se kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballet njerëzimi këtë shekull janë të ndryshme.
Zhvilluesi dhe programuesi kompjuterik estonez i cili ndihmoi në krijimin e platformës së ndarjes së skedarëve Kazaa në vitet 1990 dhe Skype në vitet 2000, i tha CNBC, se inteligjenca artificiale , biologjia sintetike dhe ato që ai përshkroi si “të panjohura të njohura” janë kërcënimet ekzistenciale të këtij shekulli.
“Ndryshimi i klimës nuk do të jetë një kërcënim ekzistencial nëse nuk konfirmohet një skenar i paparashikueshëm,” tha ai.
Biologjia sintetike është projektimi dhe ndërtimi i përbërësve, pajisjeve dhe sistemeve të reja biologjike, ndërsa “të panjohurat e njohura” janë, sipas Talinit, “gjëra për të cilat mund të mos jemi në gjendje të mendojmë për momentin”.
Shqetësimi i tij për inteligjencën artificiale ka qenë prej disa vitesh dhe ai shpenzon miliona dollarë për të siguruar që kjo teknologji të zhvillohet në mënyrë të sigurt.
Ndër të tjera, ai ka investuar në laboratorë të inteligjencës artificiale të tilla si DeepMind (pjesërisht për të përcjellë atë që bëjnë) ndërsa ai gjithashtu ka financuar kërkime të sigurisë AI në universitete si Oksfordi dhe Kembrixh.
Duke cituar një libër të profesorit të Oksfordit Toby Ord, Talini tha se kishte një shans 1 në 6 që njerëzimi të mos mbijetonte këtë shekull.
Libri thotë se një nga kërcënimet më të mëdha të mundshme është inteligjenca artificiale, ndërsa përkundrazi, shanset që speciet njerëzore të zhduken për shkak të ndryshimit të klimës janë më pak se 1%.
Për çështjen e inteligjencës artificiale, askush nuk e di se si makinat inteligjente do të evoluojnë, dhe të përpiqesh të mendosh se sa i avancuar do të jetë AI 10, 20 ose 100 vjet nga tani është praktikisht e pamundur.
Kjo ndodh sepse sistemet e inteligjencës artificiale tani kanë filluar të krijojnë sisteme të tjera të inteligjencës artificiale pa ndërhyrjen njerëzore.
Cilat janë skenarët ku inteligjenca artificiale mund të kërcënojë njerëzimin?
E para është një “aksident” në një laborator, ku shkencëtarët do të lejojnë një sistem të inteligjencës artificiale të trajnohet në disa serverë gjatë natës dhe “në mëngjes bota nuk do të ekzistojë më”.
Skenari i dytë mund të shohë që shkencëtarët të krijojnë një teknologji që është miratuar dhe aplikuar në fusha të ndryshme “ku ka pasoja të fatkeqe”.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë po shpenzojnë miliarda dollarë për të zhvilluar inteligjencën artificiale dhe ndërsa disa nga këto kërkime po bëhen publike, shumë nuk e shohin kurrë dritën e ditës, dhe kjo është një arsye për shqetësim