Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç së fundmi në një deklaratë për mediat vendase është shprehur se kur ishte ministër i punëve të Jashtme, Beogradi ka organizuar tre herë negociata paqeje midis autoriteteve të Afganistanit dhe talebanëve.
Takimet janë konfirmuar dhe nga disa foto që janë publikuar nga një media serbe, N1 që ishte pjesë e organizatorëve të negociatave. Tani që i gjithë Afganistani është në duart e talebanëve, ish-ministri serb ka vendosur të zbulojë atë që vlerësohet se pothuajse askush në Serbi nuk e dinte.
“Do ta them këtu dhe deri më sot nuk kam folur askund rreth kësaj, sepse ishim pajtuar që ta mbajmë sekret”, tha Daçiç. Dhe ai sekret ishte që përfaqësuesit e qeverisë tashmë të rënë afgane dhe talebanët negociuan në Beograd për herë të parë në vitin 2019.
Për N1, një nga organizatorët e negociatave të paqes, drejtori i organizatës East West Bridge, Jovan Kovaçiç, zbulon se ai gjithashtu siguroi fotografi ekskluzive nga këto takime përgatitore.
“Ne nuk morëm pjesë në bisedime vetë. Nuk ishte as dëshira jonë, as qëllimi ynë. Ishte një çështje mes tyre. Ne ishim thjesht nikoqirë të mirë për t’u siguruar atyre paqe, qetësi, të gjitha përfitimet e negociatave dhe se atyre nuk u mungon asgjë”, tha Kovaçiç.
Beogradi u zgjodh si një territor neutral, thotë Kovaçiç, duke shtuar se negociatat u udhëhoqën nga Karim Khalili, ish nënkryetari i Afganistanit dhe presidenti i atëhershëm i Këshillit të Lartë të Paqes. Përveç tij, ishin të pranishëm edhe shumë përfaqësues të talebanëve, të cilët duheshin hequr nga listat e zeza veçanërisht për atë rast, në mënyrë që të mund të udhëtonin.
“Për herë të parë, komandantët e rreth 20 provincave në Afganistan biseduan me Presidentin Ashraf Ghani përmes Skype. Ata i kërkuan Kabulit që t’i ndihmojë të ndërtojnë infrastrukturë, shkolla, spitale, energji elektrike, ujë dhe më shumë. Ghani tha se do të merrej me kërkesat e tyre dhe ajo bisedë zgjati gati dy orë”, shtoi Kovaçiç./