MENU
klinika

Analiza

A ka ndonjë shpresë për qeverinë e re në Malin e Zi?

18.08.2021 - 16:15

Nga William Eggerton, Modern Diplomacy

Si për shumë vende në Ballkanin Perëndimor, vitet e fundit kanë qenë shumë sfiduese për Malin e Zi. Viti i kaluar nisi me protesta kundër ligjit të ri mbi Lirinë e Fesë. Dhjetëra mijëra njerëz që marshuan nëpër rrugë në mbështetje të Kishës Ortodokse Serbe, komuniteti më i madh fetar në vend.

Ato u pasuan nga protesta të tjera në fund të dhjetorit 2020, nga ata që kundërshtuan ndryshimet e ligjeve nga qeveria e re, si dhe protesta të reja në prill të këtij viti kundër ligjit të ri mbi shtetësinë, me pretendimin se ai mund të “fshijë identitetin shtetëror dhe kombëtar malazez”.

Të gjitha këto kanë ndodhur në sfondin e pandemisë së koronavirusit, e cila e ka zhytur vendin në një situatë të rëndë ekonomike. Sipas OECD PBB-ja e vendit ka rënë me 12 deri në 14.9 për qind.

Qeveria e re që erdhi në pushtet në vitin 2020 duke e mposhtur Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) për herë të parë në 30 vjet, ka shumë plane në kokë. Por ndërkohë ajo ka nxitur shumë dyshime në lidhje me synimet që ka,dhe mbi atë nëse ajo do të jetë në gjendje ta nxjerrë Malin e Zi nga gjendja e tij aktuale e stanjacionit të brendshëm në fusha të tilla si korrupsioni dhe përshpejtimi i procesit të integrimit evropian.

Largimi i Milo Đukanović dhe DPS nga pushteti mund të cilësohet një arritje për Malin e Zi. Pavarësisht nga qasja e tij pro-evropiane dhe pro-atlantike, e cila solli anëtarësimin e Malit

e Zi në NATO në vitin 2017, qëndrimi i tij në pushtet ka qenë karakterizuar nga një korrupsion i shfrenuar, nga kapja e institucioneve kryesore dhe goditja e lirisë së medias. Mali i Zi vuan nga një sistem demokratik i pazhvilluar, i cili i ka lejuar udhëheqësit gjysmë- autokratë të ndikojnë fuqishëm mbi proceset politike, dhe i ka hapur rrugën ngritjes së rrjeteve të përhapura të patronazhit. Për pasojë, sistemi gjyqësor, siç vërehet edhe nga instituti malazez ‘Institut Alternativa’, kontrollohet nga DPS, gjë që ka sjellë rezultate të dyshimta në fushën e hetimeve në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Në shumë raste, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit as nuk ka nisur një hetim mbi raste të tilla. Gjithsesi, ka pasur disa çështje që e kanë përmirësuar disi imazhin e gjyqësorit. Skandali me banesat sociale e tronditi besimin e publikut.

Në vitin 2019, qeveria zbuloi se kishte dhënë hua për blerjen e apartamenteve me kushte shumë të favorshme për një numër gjyqtarësh të lartë. Rrjedhimisht, 57.3 për qind e malazezëve besojnë se gjyqësori nuk po arrin të mbrojë të drejtat e qytetarëve të tij.

Në letër, Mali i Zi ka bërë shumë për të përmbushur kriteret që kërkohen nga një vend kandidat për në BE, për të luftuar korrupsionin dhe forcuar kuadrin ligjor dhe atë institucional. Por ndryshimet e realizuara dhe ligjet e miratuara janë të kufizuara në fushëveprim, teksa zbatimi i tyre ka qenë i pamjaftueshëm.

Përveç skandaleve të korrupsionit, që njollosin reputacionin e shtetit të vogël ballkanik, ky vend ka sipas organizatës“Reporterët pa Kufij”një nga mjediset më të këqija të lirisë së medias në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke lënë pas vetëm Bullgarinë, një rekord ky që rrezikon seriozisht procesin e anëtarësimit të vendit në BE, dhe që ka shkaktuar shumë shqetësime në Bruksel.

Rasti më i rëndë ka të bëjë me gazetën“Vjesti”, që ka qenë nën sulme të vazhdueshme që nga viti 2011 me 5 automjete të djegura dhe disa gazetarë të rrahur. Policia nuk ka arritur të zbardhë asnjë nga incidentet, dhe asnjë person nuk është akuzuar për to, duke lënë të kuptohet për një mbështetje të mundshme të tyre nga gjyqësori apo DPS.

Nën sfondin e këtij degradimi të rëndë të demokracisë ka nisur punën edhe qeveria e re, teksa pjesa më e madhe e pushtetit, edhe pse jo zyrtarisht, ende i përket DPS. Presidenti Đukanović ka deklaruar se nuk do t’i dekretojë ndryshimet e propozuara në ligjin që rregullon emërimet në prokurori.

Ndonëse është kritikuar nga Komisioni i Venecias, ky ndryshim është i nevojshëm për të shkëputur lidhjet e organit të akuzës me korrupsionit dhe besnikët e DPS. Gjithsesi, vetë axhenda e qeverisë mbetet kryesisht e panjohur, dhe nëse ajo do të mbijetojë për 4 vite ky  është një mister edhe më i madh.

Kjo për shkak se qeveria aktuale mbahet në këmbë vetëm nga një shumicë shumë e ngushtë parlamentare. Aktualisht, janë 3 parti që janë bërë bashkë në luftën e tyre kundër DPS dhe sundimit të Đukanović. Por kohezioni mund të zbehet shpejt,dhe mund të nisin të shfaqen ndarjet brenda koalicionit.

Qeveria e re ka shumë përvojë teknike. Por për disa figura, përfshirë vetë kryeministrin, politika është diçka krejtësisht e re, dhe lundrimi nëpër dallgët komplekse të politikës ballkanike është diçka me të cilën nuk janë të gjithë të talentuar.

Pavarësisht se ka shumë pak kohë në krye të vendit, qeverisë së re i është dashur të përballet me shumë probleme. Kryesisht me debatet mbi ligjin e ri mbi Fenë dhe atë mbi shtetësinë. Përçarjet ne koalicion kanë nisur të shfaqen që tani, duke e dëmtuar aleancën me partinë më të madhe, Frontin Demokratik, që kohët e fundit ka bojkotuar komisionet parlamentare dhe ka akuzuar kryeministrin se po bashkëpunon fshehtazi me DPS.

Qeveria e re, e cila është përshkruar si pro-Moskës dhe pro-serbe, nxitoi ta sigurojë komunitetin ndërkombëtar se e ardhmja e Malit të Zi është Evropa, dhe se Podgorica nuk do të devijojë nga synimi i saj për t’u bërë pjesë e BE-së. Mali i Zi është aspiranti kryesor në këtë proces dhe sipas një sondazhi të fundit 77.6 për qind e qytetarëve malazezë kanë një qëndrim pozitiv ndaj BE-së.

Për më tepër, së bashku me Shqipërinë, Mali i Zi është i vetmi vend që i është përshtatur vazhdimisht të gjitha vendimeve të politikës së jashtme të BE-së. Por ashtu si shtetet e tjera në Ballkan që aspirojnë të anëtarësohen në union, Mali i Zi përballet me një problem të ngjashëm që është jashtë kontrollit të tij; lodhjen nga zgjerimi i BE-së.

Blloku ende nuk ka vendosur një datë për çeljen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas vetos së Bullgarisë (në rastin e Maqedonisë së Veriut). Ndërkohë brenda bllokut ka shumë zëra, veçanërisht Franca, që janë kundër zgjerimit të mëtejshëm.

Ishte Franca, së bashku me Holandën, ajo që bllokoi hapjen e negociatave me të dyja vendet në vitin 2019. Dhe nuk duket se ka të ngjarë që ky qëndrim i ashpër i presidentit francez Macron të ndryshojë në të ardhmen e afërt, pasi ai po tenton t’i qetësojë votuesit e krahut të djathtë të vendit, që janë kryesisht kundër emigrimit të mëtejshëm në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.

Efektet e pandemisë së koronavirusit dhe Brexit, e kanë zhvendosur vëmendjen nga rajoni. Aktualisht zgjerimin nuk është më një përparësi për BE-në. Nëse ka një gjë të qartë, ajo  është se kalimi i pushtetit nuk do të jetë i menjëhershëm, dhe DPS nuk do të heqë dorë nga pushteti pa luftë.

Kjo parti ka rrënjë të thella brenda parlamentit dhe gjyqësorit, dhe prerja e tyre nuk do të jetë diçka e lehtë. Kjo gjë u bë edhe më sfiduese me protestat e fundit dhe efektet e pandemisë. Siç e kanë treguar protestat e fundit fetare, Mali i Zi është ende një komb shumë i përçarë, me shumë politika që nxiten nga etno-nacionalizmi.

Ndarjet janë thelluar nga politikanët që luajnë me kartën etnike për të arritur përfitime politike afatshkurtra. Në mjedise të tilla, nuk duhet shumë që të ndizen shkëndijat që çojnë në akte dhune mbi baza etnike.

Duke pasur parasysh këtë por edhe pozitën e paqëndrueshme të koalicionit qeveritar, Đukanović do të përpiqet të joshë partitë më të vogla të koalicionit që të largohen nga qeveria, duke shkaktuar zgjedhje të reja, ku ai do të kishte ende një shans të mirë për t’u rizgjedhur në detyrë. Ndonëse ka shpresa që koalicioni qeverisës do të jetë në gjendje të mbledhë më shumë mbështetje dhe të arrijë qëllimet e tij, për momentin duket se ai nuk ka gjasa që të mbijetojë.