MENU
klinika

Mëmëdheu ynë, Shqipëri...

Shqiptarët e Çamërisë në SHBA, kundër Konferencës së Paqes

19.08.2021 - 12:22

        Memorandum i “Shoqërisë Çamëria” në SHBA, drejtuar Konferencës së Paqes në vitin 1919, ku kërkohej bashkimi me Shqipërinë, është një dokument i publikuar nga Hasan Bello, doktor i shkencave në histori.

Pjesë e emigracionit shqiptar në SHBA në dekadat e para të shek.XX ishin dhe shqiptarët e Çamërisë.

Për shkak të represionit që shteti grek ushtronte mbi këtë popullsi që në vitet e luftrave ballkanike 1912-1913, një pjesë e tyre ishte detyruar të merrte rrugët e mërgimit. Por, aspak indiferentë ndaj çështjes kombëtare, shqiptarët e kësaj krahine filluan të organizoheshin.

Një nga këto ishte dhe “Shoqëria Çamëria” e krijuar në qytetin Worcester, në shtetin e Massachusetts të SHBA-së. Pothuajse të gjithë anëtarët e saj, ishin njëkohesisht pjesë e Partisë Kombëtare Shqiptare e krijuar në SHBA, nga Kristo Dako dhe personalitete të tjera.

Më 22 janar 1919, “Shoqëria Çamëria” i drejtoi kryeministrit të Francës dhe njëkohësisht, Presidentit të Konferencës së Paqes në Paris, Georges Clemenceau, një memorandum, ku kërkohej korrigjimi i vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës së vitit 1913 dhe bashkimi i Çamërisë me Shqipërinë.

“Shkëlqesi

Të nënshkruarit, përfaqësues të shqiptarëve të rrethit të Janinës, duke përfshirë Prevezën, Filatin, Igumenicën, Paramithinë dhe Margëlliçin, me organizatën e tyre “Shoqëria Çamëria” dhe që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i luten Shkëlqesisë s`uaj të hidhet poshtë vendimi i Konferencës së Londrës, që preu këto vende shqiptare nga trupi i mëmëdheut tonë të dashur dhe ia dha Greqisë, nga e cila kemi pësuar persekutime të papërshkrueshëm.

Në emër të parimit të kombësive, për të cilën kaq gjak po derdhet dhe për hir të paqes në të ardhmen në Ballkan, lusim Shkëlqesinë t`uaj të përdorni influencën t`uaj, për t`ia kthyer këto vende mëmëdheut tonë Shqipëri, të cilës i përkasin si nga pikëpamja etnografike, e ndjenjave, e gjeografisë, si dhe historisë.

Me nderime:

Kryetar-Beqo Izeti nga Filati

Sekretar-Ahmet Hajredin nga Filati

Isuf Hyseni nga Gumenica

Omer Bako nga Paramithia

Refo Çapani nga Margëlliçi

Gazali Dino nga Preveza”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’