MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

A mund të pimë alkool kur jemi duke marrë medikamente?

22.08.2021 - 10:52

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: A mund të pimë alkool kur jemi duke marrë medikamente?

Mjeku: Alkooli shpesh mund të shkaktojë ndërveprim me barnat që mund të jeni duke përdorur, ndonjëherë edhe me produkte bimore. Ndërveprimi i alkoolit me barnat mund të shkaktojë simptomat si më poshtë:

– Nauze dhe te vjella
– Dhimbje koke
– Përgjumje
– Marramendje
– Dobësi
– Ndryshime të presionit arterial
– Ndryshim në sjellje
– Humbje të koordinimit
– Aksidente

Përzierja e alkoolit me medikamente të ndryshme mund të rrisë riskun për komplikime si:

– Dëmtim i mëlçisë
– Probleme të zemrës
– Hemorragji e brendshme
– Probleme të frymëmarrjes
– Depresion

Në disa raste, ndërveprimi i alkoolit mund të ul efektin e disa medikamenteve dhe në raste të tjera mund ta rrisë atë, deri në nivele toksike.

Edhe në sasi të vogël, alkooli mund të intensifikojë efekte anësore të disa barnave si përgjumja, dobësia, marramendja. Efekte të tilla mund të ndikojnë në përqendrim dhe në aftësinë tuaj të drejtimit të makinës psh., çka mund të çojë në aksidente të rënda ose fatale.

Meqenëse alkooli mund të ndërveprojë me qindra medikamente që përdoren në përditshmëri, është e rëndësishme t`i kushtoni vëmendjen e duhur fletës udhëzuese dhe këshillave të mjekut dhe farmacistit në lidhje më këto ndërveprime.

Më të rrezikuar janë personat e moshuar

Për shkak të rritjes së obezitetit dhe sëmundjeve të lidhura me të, çdo ditë e më shumë po përshkruhen barna kundër sëmundjeve kronike si diabeti, hipertensioni arterial, dhe hiperkolesterolemia. Meqenëse incidenca e këtyre sëmundjeve kronike rritet me moshën, rritet edhe numri dhe lloji i barnave që këta persona marrin, çka rrit edhe riskun për ndërveprim të mundshëm me alkoolin.

Problemi tjetër me personat e moshuar është se ata nuk e metabolizojnë alkoolin aq shpejtë sa të rinjtë, që do të thotë se alkooli qëndron më gjatë në organizmin e tyre dhe ka potencial më shumë për të ndërvepruar me barnat.

Edhe pse shumica e personave mbi 65 vjeç pinë më pak se dozat maksimale të rekomanduara, pirja e alkoolit vazhdon të konsiderohet e dëmshme për shume prej tyre, për shkak të gjendjes së përgjithshme, problemeve mjekësore dhe medikamenteve që marrin.

Cilat barna ndërveprojnë me alkoolin?

Qindra barna të përdorura, si ato me recetë dhe ato pa recetë, mund të ndërveprojnë me alkoolin. Ato përfshijnë barnat që përdoren për:

– Alergji, grip
– Angina, sëmundje të arterieve koronare
– Ankth, epilepsi
– Artrit
– Tromboza
– Kollë
– Depresion
– Zmadhim i prostatës
– Urth, probleme të tretjes
– Hipertension arterial
– Hiperkolesterolemi
– Infeksione
– Dhimbje muskulore
– Nauze
– Dhimbje, temperaturë, inflamacion
– Konvulsione
– Migrenë
– Probleme të gjumit

Shembuj të barnave të zakonshme me recetë dhe ndërveprimit serioz me alkoolin përfshijnë barnat për:

– Sëmundjet e zemrës, që mund të shkaktojnë takikardi, ndryshime të papritura të presionit arterial; Barnat antiinflamatore jo steroide (AIJS), që mund të rrisin riskun për atak në zemër, stroke, ulcer të stomakut;

– Barnat kundër mpiksjes së gjakut, të cilat mund të shkaktojnë hemorragji;

– Barnat për gjumë, të cilat mund të shkaktojnë probleme me frymëmarrjen, dobësi, humbje të kontrollit motor dhe sjellje të pazakonta.

Një ndër shkaqet më të shpeshta të dëmtimit të mëlcisë është prej kombinimit të paracetamolit me alkoolin. Ndërveprime të rënda të alkoolit me barnat, mund të ndodhin edhe në rastin e barnave pa recete si në rastin e barnave antihistaminike dhe disa produkteve bimore si kamomili, valerina dhe livando.

Si të shmangim ndërveprimin?

Edhe pse shumica e barnave janë të sigurta nëse i mërrni sipas rekomandimit të mjekut dhe farmacistit, është e rëndësishme që dhe ju vet të lexonni fletën udhëzuese dhe në rast se keni dyshime për ndërveprimin e barit me alkoolin, mos konsumoni alkool para këshillimit me mjekun ose farmacistin.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim