MENU
klinika

Vreshtaria e lulëzuar e ilirëve

Turqit hapën depozitat e derdhën si rrëke verën… në lumenj

24.08.2021 - 13:58

           Vitikultura në Shqipëri
Nga ilirët te shqiptarët: Shkëlqimi dhe rënia e varieteteve autoktone të rrushit dhe të verërave shqiptare… 

Historia na mëson se vendi ynë bën pjesë në truallin e lashtë të Ilirisë antike dhe se ne jemi pasardhësit autentikë të ilirëve. Kur gjeografi i antikitetit, Straboni (63 p.e.r. – 20, e.r.) kalonte nëpër Iliri, shkruante se «…. i ngrohtë dhe frutdhënës është ky vend, se është plot me ullishta dhe me vreshta të mira, përveç në disa vende të pakta ku toka është fare e ashpër» (Geographica, libri VII, 8 ). Në po këtë vepër ai shkruante gjithashtu se «Këta të fundit (ilirët – P.S.) eksportojnë verë, që e mbajnë në enë druri, të cilat i transportojnë me qerre» (libri V. 8., I). Poeti romak P. Vergili Maronis në Aeneidas shkruante për të parët tanë: Në mes të sallës rreth tryezave zbraznin kupat për nder të Bahut, pinin me enë të arta dhe bënin flijime (Libri III, 354 – 355). Kurse për tokën tonë shtonte se « ..këtu gruri rritet më me bollëk, kurse atje vreshtat dhe prodhim i mirë nga pemët dhe vetëm bari gjelbëron (Georgicon, Libri parë). Edhe autorë të tjerë Claudi Aeliani, (shek.II-III e.r.); Atheneu, (shek.II p.e.r.) e Theopompi kanë shkruar për shkallën e lartë të përdorimit të verës, dëshmi kjo që flet për ekzistencën e një vreshtarie të zhvilluar për kohën e vet. Lidhur me këtë dëshmi Herodoti (shek. V p.e.r.) shkruan se pellazgët (nënkupto ilirët –P.S.) arritën t’i njohin emrat e perëndive kur i sollën nga Egjypti (por emrin e Dionisit e mësuan pasi mësuan emrat e perëndive të tjerë).

Që prej kësaj kohe i kanë përdorur (perënditë) në flijimet e tyre dhe më pas helenët i morën këto emra nga pellazgët». I. G. Kumar, në enciklopedinë e madhe greke (Vol. XVIII) shkruan se pellazget janë shfaqur në Mesdhe që nga mijëvjeçari i gjashtë p.e.r. përpara ardhjes së helenëve; ata njihnin dhe përdornin gjerësisht verën. Sipas disa etruskologeve (Z. Mayani, 1961) mendohet se fiset etruske janë me prejardhje ilire dhe për këta etruskë, Prof. G. Dalmasso (1962,1968) shkruante se ata kanë dhënë një kontribut të padyshimtë në përhapjen e artit të përgatitjes së verës në Italinë Qendrore dhe Veriore në saj të një niveli të lartë dhe të teknikës më të përparuar që kishin në problemet e vreshtarisë në krahasim me popujt italikë. Këto pohime ndër shumë të tjera, mjaftojnë për të vërtetuar lashtësinë dhe madhështinë e vreshtarisë antike shqiptare.

Që është e lashte vitikultura jonë këtë e vërteton edhe fakti se në gjuhën sanskrishte rrushi quhet “rasa” që afron shume fjalën tonë “rrush”. Po kështu në sanskritishte “vera”, quhet “vena” ashtu siç e kemi edhe sot në dialektin e veriut në gjuhën tonë. Më vonë latinet e quajtën rrushin “racemus” dhe verën “vino”. Edhe të dhënat nga zbulimet arkeologjike në vendin tonë (nuk mungojnë), tregojnë gjurmë të farërave të rrushit në formacionet e mijëvjeçarit të parë p.e.r., monedha të prera me figura të vileve të rrushit, mozajka të bukura me vile rrushi (në Tepe të Elbasanit, Lin të Pogradecit), basorelieve (Apolloni) dhe amfora në vende të ndryshme të cilat i takojnë qytetërimit ilir në shekujt e fundit të epokës së vjetër dhe në fillim të erës së re, e pasurojnë kuadrin dhe na japin bindjen për të mbështetur mendimin mbi lashtësinë dhe lartësinë e vitikulturës ilire.

Nga burimet që disponojmë del se kolonizimet greke dhe romake nuk e sollën në Iliri përkundrazi, ato gjetën tek të paret tanë traditën më të mirë të kultivimit dhe të përpunimit të rrushit. Tregu ilir ishte atëherë burim eksporti për verërat tona në brigjet italike. Amerine M. A. (1967) shkruan se Shqipëria ka një vreshtari që i takon periudhës pararomake. Luftërat e ashpra iliro-romake dhe romako-maqedonase të cilat zgjatën më shumë se 250 vjet e ndërprenë vrullin e zhvillimit. Iliria ra nën sundimin romak. Nga shekujt e parë të erës sonë Roma arriti të vendosë një farë stabiliteti politik në territore të pushtuara dhe përsëri nga tokat ilire eksportohen prodhime bujqësore, blegtorale dhe në mënyrë të veçante vaj dhe verë. Pas këtij lulëzimi që vazhdoi më shumë se pesë shekuj, burimet historike flasin për shkatërrime të mëdha të tokës ilire nga dyndjet barbare sidomos në territoret e banuara nga Taulantët (shek. V-VI e.r.). Këto shkatërrime u pasuan nga rrënimet e fiseve sllave (shek VI) periudhë kjo që shënoi rënien e vreshtarisë sonë. Migrimi i fiseve, djegiet dhe luftërat e paprera, sollën shkretimin e kodrave të mbuluara nga vreshtat dhe ullishtat. Me gjithë këtë ajo nuk u zhduk. Zhvillimi i vreshtarisë sonë në atë kohë, duket edhe nga fakti se vendit tonë i kushtohen shumë të dhëna mbi varietetet e ndryshme të rrushit që kultivoheshin dhe preferoheshin më tepër. Kështu p.sh. në mozajkën e Linit gjejmë disa varietete të ndryshme rrushi për nga madhësia dhe ngjyra e kokrrës. Plini (Plinius Secundus, shek. I. e.r.) jep të dhëna për disa lloje rrushi të rritura në bregdetin ilirik sikurse janë Helovle e Precia, Apiana, Basilika, etj. te cilat, duke gjykuar nga karakteristikat e shkurtra, na shkon mendja tek varietetet tona Vlosh, Kallmet, Pulez, Mjaltëz, Mereshnik, Kryqes. Plini shkruan gjithashtu se qytetarët e Durrahut (Durrësi, P. S.) lëvdojnë Baliskun i cili nga karakteristikat e përmendura ka të ngjarë të jetë Sheshi i bardhë që sot kultivohet në zonën kodrinore të Ndroqit dhe Kavajës. Edhe format e shumta që përmenden në veprën e Kolumelës nuk besojmë të jenë zhdukur plotësisht në ditët e sotme, megjithëse në shumë raste na kanë mbetur vetëm toponomi si “Rrashbuelli”, “Hardhishte” etj. Romakët morën shumë nga varietetet tona të çmuara.

Burimet tregojnë se perandorët romakë që përhapën qytetërimin e tyre deri në qendër të Evropës, përhapën atje edhe artin e kultivimit të hardhisë edhe mënyrën e përgatitjes së verës. Ata çuan p.sh. në Hungari fise ilire të zotë për punët e vreshtave dhe të përgatitjes së verërave. Këta ilirë morën me vete edhe varietetet tona më të mira duke u bërë kështu shkak për përhapjen e gjerë të tyre. Kështu p.sh. varieteti ynë Kallmet (Zadrimore, Gjashore) me origjine nga zona e Zadrimës dhe e Shkodrës, në saje të cilësive të tija shumë të mira për vinifikim, mori përhapje shumë të gjerë nën emrin Kadarka, Skadarka, Skutariner, Zhschëartzes, Tokaj nero di Skutari, Nero della Mosella etj. Ne rajonet e Evropës Qendrore (Hungari, Serbi, Kroaci, Tirol). N. Nedellçev e mohon prejardhjen e varietetit Kadarka nga zona e Shkodrës dhe merr përsipër ta bullgarizojë atë nën emrin Gëmza, në një kohë kur burimet më të mira flasin qartë për këtë. Cv. Penev (1930) shkruan se Gëmza është përhapur prej romakëve.
Ampelografi italian Rovasenda e quan Kallmetin – Tokai Nero di Skutari. Me të njëjtin emër e përmend edhe D. Cavazzo (1934), i cili thekson se ky varietet është me origjinë nga Shqipëria. Edhe sorte të tjerë me origjinë nga vendi ynë kanë marrë përhapje dhe emra të ndryshme në vende të tjera. G. Molon (1906) përmend varietetin Albana Bianca që e identifikon me Albanella, i cili me sa duket duhet të jetë me origjinë nga vendi ynë. Në sinonimet e përmendura mbi varietetin Albanella, përveç emërtimit Greco Bianco, jepet dhe Pulce (D. Cavazza, 1934), i cili sipas përshkrimit në ampelografinë e Molonit, ka shumë të ngjarë të jetë Pulzi ynë. Me emrin Albana dhe Greko në Itali sot gjejmë një numër të madh varietetesh dhe formash të cilat janë përhapur aty gjatë luftërave dhe marrëdhënieve tregtare me popujt fqinjë.

Kështu p.sh. përmendet Refosco i Ilirisë (Geothe,1878), Raboso di Piave me sinonimin Gruaja (Molon,1906, Cavazzo, 1934) e përhapur në Itali prej Dalmacie. Këto forma sikurse shumica e formave dalmate, për mendimin tonë janë me origjine ilirike. Në burimet italiane Albanella njihet me emrin Tokaj Bianco di Scutari. Molon përmend se varieteti Zafner merr emërtimet Mosler, Posip, Posipon, Tokauer dhe Furmint. Por në zonat tona veriore si edhe në territoret jashtë kufirit tonë (Kosove, mal te Zi, Serbi) Furmintin e gjejmë me emrin Bella Skadarka që vendasit e quajnë Kallmet i Bardhë. Në zonat e Korçës, Beratit, Skraparit etj. gjendet i përhapur varieteti ynë Serin i njohur në dy forma: i bardhë dhe i zi. Ky varietet i përhapur në Francë me të njëjtin emër sipas mendimit të shumë ampelografëve ka vajtur atje nga vendet e jugut. Ka të ngjare që Serini të jetë shpurë në Francë prej të parëve tanë që emigronin në ato kohë. Në shekujt e VIII-X, kur vendi ynë ndodhej nën perandorinë bizantine, ndahej në dy thema: e Durrësit dhe e Nikopojës. Për këtë periudhë burimet flasin pak mbi fatin e vreshtarisë sonë, por duke gjykuar nga materialet shumë të pasura për hardhitë të shkruar në Gjeoponiket, në mund të flasim për një ringjallje të këtij aktiviteti ekonomik edhe në truallin tonë.

Këtë mendim e perforcon fakti se mjaft nga normat e ligjit agrar (Nomos georgocos) dhe të Statutit të tatimeve si akte legjislative të qeveritarëve bizantinë, i ndeshim në të drejtën zakonore të kohëve të fundit në fshatrat dhe viset shqiptare. Në këtë kohë çdo fshatar kishte arën e vet (neni 1), kopshtin e vet (neni 3), vreshtin e vet (neni 21, 59,80). Në legjislacionin bizantin nën të cilin zhvillohej krejt jeta e vendit tonë flitet gjerësisht mbi vreshtarinë dhe verën. Këtu mjafton të përmendim se nga 85 nene, 17 flasin për vreshtat,masë kjo që tregon se në atë kohë vreshtaria dhe arti i bërjes së verës ishin aktivitete të dorës së parë në ekonominë e territoreve tona. Shekujt XI – XII-të e gjejmë Shqipërinë me një zhvillim të madh të vreshtarisë, por luftërat e reja i sollën asaj edhe një herë shkatërrimin. Këtë e dëshmojnë shkrimet që bëjnë fjalë mbi zbarkimet e normanëve në Shqipëri, të serbëve, kryqëzatave, fiseve bullgare etj. të cilët vazhduan deri në shek. XIV kur në vendin tonë filloi depërtimi venetikas. Një udhëtar anonim që vizitonte viset tona në vitin 1308, shkruante: vendi është i pasur me bagëti, djathë, qumësht; bukë dhe verë nuk kanë shumë, por kanë mjaft, sidomos bujarët…

Ushtrojnë bujqësinë, rrisin vreshtat dhe i ruajnë gjërat e nevojshme në shtëpitë e tyre (Q. Gorka, Anonymi Deskriptio Europae Orientalis, f. 25-29. Origj. ital.). Në një dokument venetikas që i takon viteve 1416-1417, thuhet se… Gruemirasit në vend të dhjetës (së rrushit P. S.),duhet të paguajnë çdo vit dhjetë barë verë, qoftë se vilet ose jo… dhe janë të detyruar ta shpien në Shkodër, me shpenzimet e tyre (F. Cordignano-Catasto Veneto di Scutari f. 79-80, origj. Ital.).

Dokumentet venetikase që i takojnë shekujve të XIV dhe XV flasin me hollësi mbi vreshtarinë dhe vernat e vendit tonë, që prodhoheshin në zonat bregdetare të Adriatikut dhe tregtoheshin nëpërmjet skelave të Durrësit, Lezhës etj. Dukej sikur zgjerimi i këtyre marrëdhënieve dhe lulëzimi i vreshtarisë do të ecte edhe më tej. Edhe sot ruhet kujtimi i “Kodrës së verës” në Kodhel (Shkodër) kur dikur ka qenë tregu i grumbullimit dhe eksportimit të verës. Por, invazioni më i egër, i osmanëve, shkatërroi përfundimisht çdo gjë që gjeti përpara. Hughes V. a. Jan, pas vitit 1788 shkruan për Shqipërinë: Kusaria kishte arrirë në një pikë të tillë sa që bujqësia ishte braktisur, tregtia amullonte, çdo shenjë qytetërimi zhdukej dhe gjithë vendi nuk paraqiste veçse një tablo të përgjithshme mjerimi dhe varfërie. Në fazat e para të pushtimeve turke ruhej ende tradita e lashtë e kultivimit të hardhisë dhe e përdorimit në masë të gjerë të verës nga të parët tanë. Starine (V.XII. f. 193-200, origj. italisht) në një relacion mbi Shqipërinë në vitin 1570 shkruante: …Dhe pastaj prej këtij lumi (Shkumbin P. S.) gjer te një tjetër që quhet i Pyrgut, kurse të tjerë e quajnë Këneta e Karavastase (Dies Carvastri) fillon një bregdet me rërë i mbushur me pyje dhe vreshta. Vetë burimet turke (H. Inalçik) flasin mbi ekzistencën e një vreshtarie të zhvilluar në zonat bregdetare, në Gjirokastër, Berat, Kavajë, Rrogozhine, Krrabë, Krujë, Tiranë, Elbasan, Pukë, Durrës, etj. Të dhëna të rëndësishme gjejmë në kanunamenë e Terhallës (Berkan, O. L. 1520) të Shkodrës (1570), të Livasë së Vlorës (1585), të Ohrit (1613) Beratit, Elbasanit, etj. Ku del qartë shkalla e lartë e lulëzimit të vreshtarisë dhe e përdorimit të verës nga të parët tanë.

Gjatë kësaj periudhe të gjitha statutet dhe kapitulacionet qytetare të qyteteve shqiptare të shek. XV u kushtojnë vëmendje të madhe problemeve të vreshtave, sepse prej tyre siguroheshin të ardhura të mira për doganat e sundimtarëve. Edhe në qytetet kishte vreshta që shfrytëzoheshin nga vete qytetarët e pasur. E. Çelebi shkruante se, Shkodra ka edhe një shumicë punonjës të cilët merren me vreshta dhe kopshte. Shkodra ka 23,000 vreshta. Luftrat dhe ligjet e rrepta otomane që ndalonin përdorimin e verës, si dhe taksat e renda të vëna nga pushtuesit mbi vreshtin dhe verën, shpejtuan ritmet e shkatërrimit në masë të aktivitetit viti-vinikol.

Marin Barleti, në një relacion mbi dëmet në Zadrimë, shkruan për atë kohë se pushtuesit u prenë rrethet fuçive të verës dhe bënë përdhunime të shumta. Të kësaj periudhe janë edhe gojëdhënat mbi “Rkajen e venës”, kur turqit hapën depozitat dhe derdhen si rrëke verën tonë në lumenj. Të shumta janë dokumentet që flasin për nivelin e lartë të vreshtarisë dhe për fillimin e rrënimit fatal të këtij aktiviteti në vendin tonë gjatë periudhës së pushtimeve turke (Theiner, Starine, Sforzza etj).Tërheqin vëmendjen në mënyrë të veçantë edhe shkrimet e udhëtarit turk Evlija Çelebi (shek XVII) ku ne gjejmë plot përshkrime mbi tokat tona të mbushura dhe të stolisura me vreshta dhe kopshtije (Delvinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Kavajë, Peqin, Elbasan, Shkodër, Pogradec etj.), por që u shkretuan më pas. Nga punimet për hapjen e tokave për vreshta të reja, janë zbuluar gjurmë vreshtash dhe sistemimesh në Tiranë dhe Lushnje; në pyjet e Matit janë gjetur qilarë dhe qypa ku ruhej vera.

Në një relacion të Frang Bardhit mbi Zadrimën, të shkruar më 10 prill 1641, thuhet: “Shtrihet Zadrima në Shqipëri si një krahinë më vehte, ndërmjet dy qyteteve të Shkodrës dhe të Lezhës, në një fushë shumë të bukur, më të shumtën në breg të Drinit, me ara shumë pjellore dhe të begatshme me çdo fryt e sidomos grurë, mel e verë, fiqe, dardha, kumbulla, shega, pjepna e shalqinj…” Emigrimi i popullit tonë në vende të tjera, ndalimi i përdorimit të verës, përhapja e fesë myslimane dhe taksat e rënda për vreshta dhe tregtimin e verës, bënë që vreshtaria jonë të pësojë katastrofën më të madhe; vendin e vreshtave të bukura, pemëve, vilave dhe kantinave e zunë lisat dhe ferrat: aty ku mbetën ullishtat e rrënuara dhe vetëm toponomitë “vreshta”. Të tilla zona ku u zhdukën pothuajse fare vreshtat ishin: Shkodra, Lezha, Puka, Mirdita, Mati, Dibra, Kruja, Durrësi, Lushnja, Fieri, Berati, Gjirokastra, Saranda etj. Vreshtaria u përqendrua vetëm në disa “oaze” si në Leskovik, Përmet, Pogradec, Korçë, në zonën e Ndroqit, në Nartë dhe shumë pak në Shkodër, Himarë, Sarandë. Në zonat e thella filloi kultivimi i hardhive në formë pjergulle dhe në ereke sikurse vërehet sot në Mat, Librazhd, Skrapar, Shkodër, Gramsh, Elbasan,Tiranë etj. Varietetet tona të çmuara filluan dalëngadalë të zhduken, ndërsa nga orienti vinin me shumicë të tjera për ngrënie, si ato të tipit Razaki, Stambollesha, Moskatet; Sulltanina, Çaushi, Japinxhak, Kadin parmak, Çelepiyzyn etj., të cilat sot i gjejmë të përhapura nëpër pjergulla, ereke, oborre dhe shumë pak në vreshta. Prodhimi dhe konsumi i verës pothuajse u ndërpre. Filloi të përdoret rakia (shek. XVII).
Thënie për shqiptarët
_________________
Titulli: Buletin i shkencave bujqësore, nr. 1, Volumi 11, 1972
Autori: Petraq Sotiri
Botues: Instituti Lartë Shtetëror i Bujqësisë (Tiranë)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kjo gjuhë sot është e fikur ,e harruar

Arvareshu – kjo gjuhë protosarde ilirike

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”

... e hollë e gjatë si në piktyrë të Botticelli-t"

“Dit’ e verës çkrin dimëri qaset Vera buzëqeshur