“Xhulit…”
Nga dashuria që kam për ty
Mund të të shquaj edhe në mjegull
Nga dashuria une ktheva sytë
Xhind, bohem, djalosh i rregullt.
Nga dashuria në qiell u shtriva
Me kokë në diell unë fjeta gjatë
Dhe s’u pendova që aq të desha
Ndërmend e kam të të dua prapë.
Nga dashuria ditët e gjata
Në bukë i ktheva dhe gurë tespije,
Me to të gjallë e mbajta shpresën
Me to sfidova ankthin në pritje.
Nga dashuria në qiell u shtriva
Me kokë në qiell unë fjeta gjatë
Dhe s’u pendova qe aq të desha
Ndermënd e kam të të dua prapë.
Vargjeve të përkushtimit për Xhulin, që Teodor Keko i la si testament dashurie, iu përgjigjen disa rreshta malli… Ndërsa ajo, vazhdon t’i shkruajë bashkëshortit, kujtimit të një dashurie të madhe, që u kthye në po kaq dhembje…/Konica.al
Shkruan, Xhuli Shkurti Keko
Por ngaherë në ditët e fundgushtit, në këto 19 vjet, përballoj dicka më të fortë, ndjenja e humbjes më është më prezente se cdo ditë të vitit. Në çdo 20 gusht filloj e përgatis veten për takimin e datës 22 e pas çdo takimi kthehem në shtëpi më e zhgënjyer se kurrë sepse prapë, megjithëse flas e flas, asnjë përgjigje nuk marr prej teje, asnjë buzëqeshje, asnjë përqafim.
Shpesh e ngushëlloj veten duke menduar se mbase ti merr kohe të mendohesh, mbase gjërat rrjedhin më ngadalë në atë botën ku ti tashmë jeton, mbase sa të mbërrijnë atje fjalët e mia e sa të kthehen mbrapsh përgjigjet e tua duhet ca kohë. Kushedi mbase ti pret rastin që përgjigjet t’i dërgosh sa herë unë e fëmijët kemi më shumë nevojë, në atë mënyrën që vetëm ti vazhdon të dish ta bësh aq mirë, me mbështetjen që na jep pikërisht në momentin e duhur.
Të tregova dje për fëmijët që tashmë janë katër. Për Teon, të cilit i folëm aq shumë për ty gjatë qëndrimit në Tiranë (po shkon katër vjeç e duket sikur kupton gjithshka). Të tregova edhe për jetën time në Tiranë, për librin që po shkruaj e kam ndërmend ta botoj vitin e ardhshëm. Të tregova që i mbijetova covid-it, pse-në ti e di – ende nuk mendoj se duhet t’i le vetëm fëmijët.
Sigurisht qava, t’u ankova se jam e rrethuar me plot njerëz e prapë ndihem vetëm për sa kohë fëmijët janë larg e ti s’je. Megjithatë zemrën e kam plot ta dish, nuk janë veç fëmijët që ma mbushin por janë dhe kujtimet e pafund që kam me ty. S’ta thashë dot dje sepse ishte si gjithnjë takim i vështirë, më fal! Por sot u ngrita me mendimin që duhet ta bëja, e ndaj po të shkruaj e ndaj të premtoj që në takimin e ardhshëm do jem më e kujdesshme.
Unë e di që ti do buzëqeshesh kur të më lexosh, ky është një premtim që nuk do ta mbaj dot kurrë!