Moti i ngrohtë i tetorit, por dhe i ditëve të para të nëntorit ka rritur numrin e virozave stinore që qarkullojnë në popullatë.
Shenjat e këtyre virozave shpesh mjekët e familjes i ngatërrojnë me ato të virusit të gripit, por shefja e departamentit të sëmundjeve infektivë në ISHP konfirmon se ende nuk është izoluar virus i gripit në Shqipëri.
“Kemi kapur virus të rrugëve të frymëmarrjes tek fëmijët ndërsa tek të rriturit ka shumë korona viruse që qarkullojnë. Virus i gripit nuk është izoluar ende”, u shpreh Silva Bino.
Por ndërkohë është ngritur sistemi i surveljancës.
Vaksina e këtij viti përmban shtam të virusit Ah1N1, Ah2N3 si dhe te tipit B. Brenda muajit nëntor nis aplikimi i vaksinës falas për grupet e riskut si gratë shtatzëna, personat me diabet, azëm, ata me probleme kardiovaskulare si dhe i gjithë personeli mjekësor.
“Jane 50 mijë vaksina që janë porositur dhe 50 mijë të tjera vijnë në bazë të një marrëveshje me qendrën e sëmundjeve infektive ndërkohë kemi nisur me trajnimin e mjekëve”, shton Silva Bino.
Për herë të parë në vaksinën e gripit do të përfshihet edhe shtam shqiptar që është izoluar nga sistemi i surveljancës i ngritur nga specialistët shqiptarë dhe që është izoluar në laboratorin e ISHP.
“Ai do te quhet A.Albania”, tregon Silva Bino.
Vaksina e gripit përgatitet çdo vit sipas rekomandimeve të OBSh dhe ekspertët mblidhen çdo muaj shkurt për të vendosur për vaksinën e re.