Plot 85 vjet më parë, George Gallup (1901–1984) zhvilloi sondazhin e parë të opinionit me kampionim gjeografik-demografik, përmes të cilit ai matistatistikisht opinionin e100 milion amerikanëve të rritur. Dhe këtë gjë e arriti duke përzgjedhur një kampion përfaqësues statistikor, me vetëm 1 mijë e ca të anketuar. Kështu, në vitin 1936, ai parashikoi me shumë afërsi fitoren e Presidentit Ruzvelt në garën presidenciale amerikane, duke vënë dhe gurin e themelit të suksesit për kompaninë e tij legjendare të sondazheve…
Po sikur Gallup të kishte zhvilluar një sondazh rigoroz statistikor atëherë në Shqipëri, sa përqind do të kishin dalë të kënaqur me regjimin e Zogut, dhe sa të pakënaqur?
Bazuar në ç’kam lexuar e ç’kam dëgjuar për atë regjim, hamendja ime e edukuar është se një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të pakënaqur nga regjimi i Zogut. Në krye të tyre do të kishin qenë intelektualët antizogistë (shumica e të cilëve u bënë mëvonë pjesë e Ballit Kombëtar), si dhe të rinjtë që kishin filluar të ndikoheshin nga idetë komuniste të Luftës Civile të Spanjës (shumica e të cilëve u bënë mëvonë pjesë e Partisë Komuniste). Gjithashtu të pakënaqur duhet të kenë qenëedhe bujqit që punonin si argatë në tokat e bejlerëve, si dhe shtresat fare të varfra të qyteteve.
Nga ana tjetër, një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar në sondazh të kënaqur nga regjimi i Zogut. Dhe këta të fundit, me gjasa, mund të ishin më të shumtë se të pakënaqurit. Në këtë grup futeshin familjet e pashallarëve, bejlerëve, agallarëve, si dhe familjet fshatare që zotëronin ngastra toke të tyret (këto të fundit përbënin shumicën e popullsisë së atëhershme, e cila jetonte 90% në fshat.) Gjithashtu në këtë grup futeshin edhe tregtarët e mëdhenj e të vegjël, si dhe zantçijtë nëpër qytete.
Po sikur Gallup të kishte zhvilluar 40 vjet më vonë (në vitin 1976) një sondazh rigoroz statistikor, sa përqind do të kishin dalë të kënaqur me regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri, dhe sa të pakënaqur?
Bazuar në ç’kam lexuar e ç’kam provuar në atë regjim, hamendja ime e edukuar është se një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës.
Dhjetra mijëra familje të persekutuara për bindjet e tyre politike do të ishin padyshim të pakënaqura nga regjimi. Gjithashtu dhjetra mijë familjet që ishin persekutuar për shkak të pasurisë që e kishin vënë me djersën e ballit (dhe që u ishte shtetëzuar me forcë) s’kishin si të ishin të kënaqura nga regjimi. Ndërkohëjo pak të rinj të qyteteve, nën ndikimin e televizioneve fqinje, mund të ishin të pakënaqur me regjimin, pavarsisht se familjet e tyre mund të ishin pro regjimit.
Nga ana tjetër, një numër jo i vogël shqiptarësh do të kishin rezultuar të kënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës më 1976. Dhe këta të fundit, me gjasa, mund të ishin më të shumtë se të pakënaqurit. Në këtë grup futeshin familjet ish-fshatare që kishin zbritur në mënyrë masive nëpër qytete, si dhe familjet e ish-argatëve që kishin mbetur nëpër fshatra, por me një status goxha më të lartë se gjatë regjimit të Zogut. Gjithashtu, këtu futeshin edhe familjet e rrjetit të madh të kudrove dhe nënpunësve shtetërorë e partiakë (nga qendra deri në ndërmarrjen apo kooperativën më të largët), si dhe familjet e mijra oficerëve e kapterëve të ushtrisë e policisë.
Duke ecur më tej në kohë, në fund të vitit 1990, nuk ishte fare e nevojshme që të zhvillohej sondazh opinioni në Shqipëri – dyqanet e boshatisura nga mallrat dhe sheshet e mbushura me protestues tregonin qartë se regjimi kishte dështuar plotësisht në sigurimin e mirëqënies së ish-përkrahësve të tij të dikurshëm. Për rrjedhojë, shumica dërrmuese e popullsisë ishte e pakënaqur me të…