Disa nga ndërtesat më të bukura në botë janë ndërtuar në emër të fesë. Më poshtë, po zbulojmë ca nga vendet më të pabesueshme të adhurimit në botë:
Tempulli Bahai në brigjet e një liqeni
Një prej tyre është tempulli “Bahai”, me pamje nga brigjet e liqenit Miçigan dhe i rrethuar nga kopshte të kuruara bukur në formë petalesh, çdonjëri me shatërvan më vete. Një strukturë disi jashtë natyrës së Çikagos dhe mbi të gjitha e vetmja në Shtetet e Bashkuara kushtuar besimit Bahai (një nga shtatë në botë).
Bet Giorgis i gdhendur me ndihmën e engjëjve
Absolutisht i mrekullueshëm është edhe “Bet Giorgis” në Etiopi, një kishë monolite nëntokësore në formë kryqi e gdhendur në shkëmb dhe e arritshme përmes tuneleve dhe shkallëve. Mbreti pretendon se kishat janë gdhendur (janë 11 gjithsej) me ndihmën e engjëjve, megjithëse më shumë gjasa ka që ai të ketë përdorur mijëra skllevër.
Xhamia e madhe Djenne, një mrekulli
Edhe më magjepsëse është xhamia e madhe “Djenne”, që duket se është ngritur, në të gjithë përsosmërinë e saj të ndërlikuar, nga shkretëtira e Saharasë si një mrekulli madhështore. Në të vërtetë, struktura më e madhe në botë e ndërtuar me baltë është një arritje komplekse arkitektonike, që është zgjeruar, zbukuruar, shkatërruar dhe restauruar që kur u ngrit për herë të parë.
Tempulli Lotus, një lule në lulëzim
Udhëtojmë drejt Indisë për të zbuluar tempullin “Lotus”, emër të cilin e ka marrë nisur nga dizajni: struktura prej mermeri, xhami dhe çeliku të sjell parasysh petalet që hapen me delikatesë ndërsa, nga lart, duket si sythi më i bukur në botë që është gati të lulëzojë.
Xhamia e Madhe Sheikh Zayed, një kryevepër e vërtetë
Nuk mund të mos vizitohet xhamia e madhe “Sheikh Zayed” në Abu Dhabi e përbërë nga minare shumë të larta, 80 kupola mermeri, që formojnë çatinë, pilastra të veshura me ar dhe një sasi e madhe mermeri të bardhë të pastër. Pa harruar llambadarët vezullues në dhomën kryesore të lutjeve dhe modelet e detajuara floreale në dysheme.
Xhamia Sheikh Lotfollah, një shpërthim yjesh
Një mrekulli mirëfilli e vërtetë e Iranit është xhamia “Sheikh Lotfollah”, pasi çdo pëllëmbë e sipërfaqes së saj është kaq e detajuar dhe verbuese, sa duket sikur ka përmbledhur gjithë yjësitë e qiellit. Kryeveprës së hershme të shekullit të 17-të iu deshën rreth 20 vjet për t’u përfunduar.
Xhamia Hasan II, me bukuri delikate
Xhamia “Hasan II” është më e madhja në Marok dhe spikat për oborret me pllaka dhe arkadat mbresëlënëse. Për më tepër, minarja e saj është më e larta në botë. Pjesa e jashtme e zbukuruar me mozaikë të gjelbër i japin ndërtesës së stilit maure një bukuri tejet delikate, sa e bën të pabesueshme qëndrueshmërinë e saj: xhamia është ndërtuar për t’i bërë ballë tërmeteve.
Wat Pha Sorn Kaew, tempulli i shkëmbit të qelqtë
Tajlanda ka disa vende adhurimi, që duhen parë dhe një prej tyre është “Wat Pha Sorn Kaew” në Khao Kho, një “tempull në një shkëmb qelqi”, një nga strukturat më befasuese në vend.
Faltorja “Zonja Jonë”, me pamje nga lumi
E përfundojmë këtë udhëtim ndër vendet më të bukura të adhurimit në botë në Faltoren e “Zonja Jonë” në Kolumbi, me një strukturë të gurtë ngjyrë gri që shtrihet mbi një grykë të pyllëzuar 46 metra mbi nivelin e lumit. Është në vetvete një histori mrekullish dhe vendosmërie, e cila filloi në 1754, kur një nënë me të bijën, të mbrojtur nga stuhia, panë imazhin e Virgjëreshës Mari në shkëmbinj./Konica.al