Artisti kosovar, Astrit Ismaili e ka përfaqësuar Kosovën duke bërë hapjen në bienalen e Athinës me një performancën interesante artistike, raportojnë mediet në Kosovë.
“Miss Kosova” titullohet kjo performancë, që vjen mbi nocionit “Creative when Limited”.
Në këtë performancë, ai është paraqitur në rolin e MISS-it, duke iu referuar kështu figurave fiktive dhe jofiktive nga e kaluara, ku me fantazi, ai arrin që të kapërcejë kufizimet gjeo-politike dhe sociale.
Për herë të parë, performanca artistike e një kosovari është shfaqur edhe në Televizionin Kombëtar Grek. “Miss Kosova” e Astritit, është dhënë në një vend që nuk e njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Performanca është organizuar nga kuratorët e ‘Omsk Social Club’: Larry Ossei-Mensah dhe Poka-Yio.
Kjo paraqitje është bërë në kuadër të edicionit të shtatë të Bienales së Athinës, “Eclipse”, që mbahet nga 24 shtatori deri më 28 nëntor, të këtij viti.
“Një hapje e tillë është një nder i madh ndaj performancës ‘Miss Kosova’.
Performanca MISS, ndër të tjera, merret me nocionin ‘Creative when Limited’, duke iu referuar figurave fiktive dhe jofiktive nga e kaluara, që duhej të ishin krijuese për të kapërcyer kufizimet gjeo-politike dhe sociale.
Të qenit në Televizionin kombëtar grek, si ‘Miss Kosova’, në një vend që nuk e njeh Kosovën, në një rajon ku jetët e çuditshme janë në rrezik, i shtoi një urgjencë performancës time, që ilustron pse bëj atë që bëj!”, – ka shkruar Ismaili, në rrjetet sociale.
Gjithashtu, veshja e tij është krijuar nga stilisti Valdrin Sahiti, ndërsa grimi nga Anna Bakatsaki.