Napoli është skuadra perfektë deri më tani në 5 ligat kryesore evropiane, teksa ka marrë 7 fitore në 7 ndeshje radhazi, e fundit sonte 2-1 ndaj Fiorentinës në Firenze, sukses që erdhi me përmbysje.
Violët kaluan të parët në avantazh me Martinez në minutën e 28-të të takimit, por Lozano barazoi shifrat në minutën e 39-të, pasi kishte humbur më parë penalltinë Insigne.
Heroi për Napolin ishte ish-mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrahmani, i cili shfrytëzoi saktë një krosim në zonë për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij. Napoli ruan kështu kreun me pikë të plota, 21 pas 7 javësh kampionat.
Roma bëri detyrën në shtëpi, duke fituar 2-0 përballë Empolit. Nga një gol për secilën pjesën loje. Pellegrini shënoi në pjesën e parë, ndërsa Mkhitaryan në të dytën. Mourinho po përpiqet të kapë ritmin e skuadrave pretendente.