Në betejën e “Kodrës së kuqe”, ku mbetën të vrarë Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, ka qenë i pranishëm dhe një personazh i katërt, i cili, është ‘zhdukur’ nga historia e regjimit komunist dhe është Muharrem Llanaj.
I mbijetuari i “Kodrës së Kuqe” gjatë një interviste për Gazetën Panorama, kur ishte ende gjallë, ka rrëfyer kujtimet e tij për betejën e përgjakshme në me fashistët dhe gjestin heroik të Vojo Kushit, të cilin e thërrisnin me pseudonimin ‘Tarzani’ për gjestin e tij që u hodh mbi tankun e fashistëve.
Në numrat në vijim Gazeta Panorama.al do të publikojë se si kanë rrjedhur ngjarje dhe si u fsheh nga historia roli i Muharrem Llanajt, vendimet e Enver Hoxhës, cili sipas dëshmitarit u largua nga baza vetëm 30 minuta para se të ndodhte rrethimi nga fashistët.
“Shtëpia në Kodrën e Kuqe u rrethua nga fashistët disa minuta pasi ishte larguar Enveri. Sulmin e ndieju e para e zonja e shtëpisë, Ije Farka dhe dha kushtrimin menjëherë. U çuam rrufeshëm. Morëm armatimin dhe dolëm nga pjesa e pasme e shtëpisë. Në krye na printe Haxhiu, djali i saj 16-vjeçar. Fashistët na diktuan e na u qepën këmba-këmbës. U përleshëm dhëmbë për dhëmbë me ta. Plotë gjashtë orë. Ne katër, ata 300 të armatosur deri në fyt. I pari u vra Sadiku. I dyti mbeti Xhoxhi. I fundit Vojua që u hodh mbi tank. Unë rashë pa ndjenja, por fati e deshi të mbijetoja”.
MYSAFIR NË SHTËPINË E IJE FARKËS
Në shtëpinë e Ije Farkës në Tiranë kisha ardhur edhe herë të tjera i dërguar nga Miladin Popoviçi, i cili së bashku me tre njësitet partizane të veriut strehoheshin në teqenë e sipërme të Martaneshit. Herën e fundit u nisa në mëngjesin e datës 6 tetor të viti 1942, me porosi të Miladin Popoviçit, Ramadan Çitakut dhe Spiro Bakallit. Ata më dhanë një letër për drejtuesit kryesorë dhe përveç atyre që kishin shkruar në të, më porositën me gojë që të bisedoja me qendrën dhe t’u komunikoja se iu duhej patjetër një radio dhënëse-marrëse për teqenë e Martaneshit, për të siguruar ndërlidhje me udhëheqjen.
U duheshin edhe para për furnizimin e tri njësiteve partizane, si dhe disa të dhëna në gjuhën sllave për Miladinin. Ky ishte misioni i rrugëtimit drejt Tiranës. I pari që takova kur mbërrita aty ishte Sadik Straveleci. I dhashë parullën dhe u përqafuam. U takova edhe me Xhorxhi Martinin që strehohej në shtëpinë e Ije Farkës.
Ai ishte i plagosur në këmbë dhe lëvizte me shumë vështirësi. Menjëherë pas kësaj nxora nga rrobat letrën për shokun Hysen (Gogo Nushi) dhe ia dhashë Sadikut. Ndërkohë që ai filloi ta lexojë, unë nisa të bisedojë me Xhoxhin. Në orën 3:00 pasdite erdhi Tarzani (Vojo Kushi), me të cilin isha njohur më parë në Pezë. Më pas, mbërriti edhe shoku Hysen(Gogo Nushi). U takova me të dhe i dhashë letrën për Tarasin (Enver Hoxha). Hyseni e mori dhe doli jashtë.
Me sa dukej shkoi për t’ia dhënë Enverit. Kur kishte kaluar rreth një ore, u kthye bashkë me Tarasin. Gjatë kësaj kohe kishin ardhur disa shokë të tjerë që i solli Gani Keçi. Tarasi pasi na takoi të gjithëve na priti me radhë. Në fillim më thirri mua. Më pyeti fillimisht gjatë e gjerë për të tria njësitet e Martaneshit, për drejtuesit e tyre dhe shokët e tjerë. Pastaj urdhëroi Hysenin të më jepte 200 napolona dhe më dorëzoi një letër për Miladin Popoviçin. Në vazhdim më pyeti se çfarë arme përdorja dhe sa municion kisha. Iu përgjigja se kisha një revolver “Smith” amerikan, me 15 fishekë dhe 6 bomba dore. Aty për aty thirri Gani Keçin. E pyeti për armën që përdorte dhe sa municion kishte.
“Kam një “Beret” italiane të kalibrit 9, me 30 fishekë”, iu përgjigj ai. “Ndërroje revolverin me Muharremin”, i tha dhe u kthye nga unë. Ashtu bëmë. Ndërsa Ganiu doli, Enveri m’u drejtua mua: Ti nuk do të ikësh pa marrë disa materiale në gjuhën serbe për Miladinin. Pastaj shtoi se do t’i sjellin aty shpejt shokët e qarkorit. Ndërkaq më porositi se nuk duhej të kthehesha herë tjetër në këtë bazë, pasi aty sipas tij do të strehohej vetëm Vojo Kushi. Pas meje filloi të thërrasë të tjerët një nga një, duke u dhënë detyrat e rastit. Sadikut i tha se do ikte në Kosovë. Xhorxhi do të largohej në një bazë tjetër. Shtëpia e Ije Farkës këtej e tutje, sipas urdhrit të Enverit, mbetej e disponueshme vetëm për Vojo Kushin. Nuk më kujtohet sa zgjatën këto momente me udhëzimet e Tarasit, por mbaj mend që ai bashkë me Hysenin (Gogo Nushin) u larguan nga baza gjysmë ore para shtetrrethimit. Bashkë me ta u larguan edhe mysafirët e tjerë.
Unë, Xhorxhi e Sadiku mbetëm të largoheshim të nesërmen në mëngjes. Që këtej, aty do të qëndronte vetëm “Tarzani”. Unë po prisja dokumentet në gjuhën serbe që më kishte porositur Miladini. Ato m’i dërguan me një vajze 9 vjeçe, së cilës ia kishin futur në gji. Hëngrëm bukë e ramë për të fjetur. Aty afër mëngjesit, dëgjuam zërin e alarmuar të nënë Ijes që bënte roje pranë portës: “Çohuni djema se armiku po lëviz nëpër rrugë e rrugica!”. U ngritëm në mënyrë të rrufeshme. Rrëmbyem armët që i mbanim nën jastëk dhe pasi ngritëm me vështirësi Xhorxhin , i cili kishte 15 ditë i plagosur në këmbën e majtë dhe lëvizte me vështirësi, u gjendëm në oborrin e shtëpisë. Akoma nuk ishte zbardhur. Dëgjonim zhurmat e këmbëve të ushtarëve fashistë fare pranë shtëpisë sonë.
Një moment më afrohet Vojua dhe më thotë: Merr thesin në krahë e shiko jashtë milicët për ku janë drejtuar! Ashtu siç isha, i maskuar me mustaqe të mëdha, me brekushe e qeleshe në kokë, u gjenda në rrugë. Fashistët bënin roje pas çdo porte. Ende nuk kishin arritur te porta jonë. Milicët, sa më panë, më thirrën: Largohu, kthehu mbrapsht, futu brenda! U futa brenda me shpejtësi. I vura menjëherë shulin derës dhe u tregova shokëve se të gjitha shtëpitë ishin të rrethuara.
Në çast u dëgjua zëri i Vojos: Ejani mbas meje të kapërcejmë murin e të kalojmë në baçen tjetër”. Aty për aty nënë Ija, që na ndiqte gjithë përkujdesje, na solli me shpejtësi një kanë me qumësht dhe na dha nga një bardhak secilit, duke na thënë: Ua kam bërë hallall hyzmetin, tani çani rrethimin si trimat! U përqafuam me të dhe u nisëm duke ndjekur pas Haxhiun, djalin e saj 16 vjeç që na shoqëronte për të dalë nga pjesa lindore, aty ku sot është shkolla mjekësore. Para ndarjes i dhashë Ijes 200 napolonat që më pati dhënë Gogua. Kaluam murin e avllisë dhe shkuam në oborrin e një shtëpie. E zonja e shtëpisë ishte ngritur nga zhurmat dhe kur na pa të armatosur me siguresat e bombave në gojë dhe me revolverët në duar, u frikësua, por pasi e sqaruam, na hapi portën dhe na tha: “Ka ushtarë dhe karabinierë të shumtë”.
Ne i pamë me sytë tanë fashistët me mitraloza në krahë. Ishin shumë dhe dukeshin të egërsuar. Sa na panë, filluan të thërrasin: Komunistët! E zonja e shtëpisë, e zënë ngushtë, na tha se i vinte keq, por nuk kishte ku të na fshihte. Në këtë çast, nga dhoma përballë, doli një grua tjetër që me sa dukej banonte aty me qira dhe na u drejtua italisht: “Poveri voi, siete circondati (të varfrit ju, jeni të rrethuar). Përfundimisht, u kthyem nga erdhëm. Kur pamë se situata ishte shumë kritike, i thamë Haxhiut të largohej se ishte i paarmatosur. Filluam të lëvizim nga veriu i lumit Tërkuz. Kur kishim vetëm pak minuta që ishim ndarë me Haxhiun, u dëgjuan zërat e fashistëve “Ndal!”.
E zunë Haxhiun e gjorë. Mosha e re na bënte të shpresonim se do ta lëshonin. Dhe ashtu ndodhi. Kur kishim ecur 200-300 m duke kapërcyer mbi gardhet me driza, Vojua më tha të ngjitesha te një pemë e lartë që ishte aty për të parë se ku ishin milicët. Iu ngjita pemës, por më diktuan menjëherë. Një mitraloz në pullazin e një shtëpie filloi të më qëllojë. Zbrita me shpejtësi e u tregova shokëve çfarë pashë në rrugicë. Ishim të rrethuar. Herë pas here dëgjonim zërat e milicëve që thoshin: Janë shumë, është udhëheqja komuniste, janë të armatosur mirë”.
Bëmë të lëviznim nga krahu tjetër. Nisën breshëritë. Vojua ndali hapin pranë një arre të madhe dhe u drejtua nga unë: “Hyp aty lart dhe shiko rrugën”, që ishte jo më shumë se 8 metra larg.
Hipa lart dhe kur pashë që rruga ishte e mbushur me armiq të shumtë, zbrita menjëherë. Njoftova shokët se ishim të rrethuar gjithandej. Aty për aty Vojua më tha se vetëm ne të dy ishim të saktë. Sadiku ishte i sëmurë me TBC dhe me vështirësi merrte frymë, ndërsa Xhorxhi ishte i plagosur në këmbë. Në fund të arrës ishte një pus, i cili kishte ujë. Me urdhër të Vojos hodhëm aty dokumentet pasi i bëmë copë-copë.
Pastaj afrohemi pranë njëri-tjetrit dhe duke u përqafuar betohemi për të luftuar dhe për të mos rënë gjallë në duart e armikut. Vojua pa përpara një barangë prej dërrase me vegla bujqësore, mbrapa së cilës ishin disa gropa të hapura nga tiransit për prodhimin e tullave të dheut dhe u drejtua nga ne: “Këtu do ta bëjmë rezistencën”. Pastaj na caktoi gropat ku do pozicionohej çdo njëri. Në dy gropat e thella, që arrinin 70 cm, vendosi Sadikun dhe Xhorxhin. Mua më caktoi një gropë nën Xhorxhin dhe vet u ul në një tjetër që ishte më pak e thellë se të tjerat…
Historia e panjohur e njeriut që luftoi në krah të Vojo Kushit
Në betejën e 7 tetorit 1942 në Tiranë, e njohur në histori si “Epopeja e tre heronjve të Kodrës së Kuqe”, nuk kanë qenë tre, por katër pjesëmarrës. Bashkë me Vojo Kushin, Xhorxhi Martinin e Sadik Stravelecin, tre të martirizuarit aty, ka qenë edhe një i katërt, që mundi të mbijetojë. Çuditërisht, prania e tij në betejën legjendare nuk u pohua kurrë publikisht, pavarësisht se ishte dëshmitar i vetëm i saj dhe me të njëjtat merita me tre protagonistët e tjerë. Mënyra si u fsheh prania e Muharrem Llanës nga “Epopeja e Kodrës së Kuqe” ka qenë sa e pakuptimtë, aq misterioze. Sidoqoftë, njeriu që i mbijetoi betejës rastësisht, e hodhi dhe rihodhi disa herë dinamikën e saj në fletoren e tij të kujtimeve.
Pavarësisht nga çfarë është zbardhur zyrtarisht për ngjarjen e 7 tetorit 1942 në Tiranë, Muharrem Llanaj ka dokumentuar aty me detaje gjithçka ka parë me sytë e tij gjatë asaj përballjeje të përgjakshme. Në faqet e para, dorëshkrimi i të mbijetuarit shpjegon rrethanat si mbërriti në shtëpinë e Ije Farkës dhe misionin e ngarkuar nga Miladin Popoviçi për t’u takuar me Enver Hoxhën e Gogo Nushin. Pastaj shtjellon me hollësi çastet e rrethimit, duke ndjekur hap pas hapi kronikën e luftimeve ku u vranë njëri pas tjetrit Xhorxhi Martini, Sadik Straveleci e Vojo Kushi dhe e mbyll me momentet kur vet ka mbetur pa ndjenja nën rrënojat e shtëpisë së rrëzuar nga tanket/panorama