MENU
klinika

Nga Blendi Kajsiu

Për një opozitë post-berishiste

17.10.2021 - 19:12

Dy elementet bazë të opozitarizmit berishist janë denoncimi hiperbolik dhe agresiviteti, që nga ai verbal deri tek ai fizik. Denoncimet e Berishës ndaj kundërshtarëve të tij politikë kanë qenë gjithnjë totale dhe degraduese, duke prodhuar një urrejtje të thellë tek opozitarët. Shumë prej tyre dje e urrenin me pasion Fatos Nanon, si mishërim i … djallit, ndërsa sot, me të njëjtin pasion, urrejnë Ramën, si njeriun më pervers dhe të ligë që ka parë bota. Tashmë kësaj kategorie i është bashkangjitur edhe Basha, humbësi dhe pengu më i madh i të gjitha kohërave.

Këto karakteristika të berishizmit shfaqeshin jo vetëm gjatë opozitës, por edhe në pushtet. Mjafton të kujtojmë vrasjet e 21 Janarit kur Kryeministri Berisha, pasi vrau protestuesit në shesh, filloi të sulmonte Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme se po organizonin një grusht shteti. Madje këtë të fundit me një agresivitet verbal maskilist tronditës e quajti “lavire të bulevardit”, edhe pse ishte, dhe mbetet, një nga juristet më dinjitoze që ka prodhuar Shqipëria.

Denoncimi total e ka reduktuar rolin e opozitës në atë të prokurorit dhe protestuesit, duke ulur besueshmërinë e saj si alternativë. Sidomos kur të njëjtët oligarkë që ajo denoncon sot si zgjatime të Ramës pasuronin atë dje. Mjafton të kujtojmë që Delijorgji që sot ndërton pallate në qeverisjen e Ramës dje bënte biznes në Gërdec me djalin e doktorit.

Është e njëjta opozitë që po bën Basha sot, edhe pse e ka lënë Berishën jashtë Grupit Parlamentar. Krizën energjetike ai e redukton thjesht te korrupsioni i Ramës, të cilin në mënyrë shumë berishiste e etiketon “tellalli i së keqes”, ndërkohë që largimin e tij e premton përsëri me protesta. Problemi është që opozitën nuk e sjell në pushtet protesta, por alternativa qeverisëse.

Që Rama dhe qeveria e tij duhet të largohet është e qartë për shumicën e qytetarëve. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me qeverisjen. Sondazhet që i pyesin nëse Shqipëria po shkon apo jo në drejtimin e duhur, tregojnë se shumica e tyre janë të pakënaqur me drejtimin e vendit.

Ama e njëjta shumicë nuk e sheh opozitën si alternativë. Kjo është edhe një nga arsyet se përse vendi po zbrazet. Brezi i ri nuk ka shpresë as te qeveria dhe as tek opozita, ndaj do të vazhdojnë të largohen edhe sikur Basha t’u dalë përditë te stacionet e autobusit dhe t’u lutet të rrinë.

Ndaj, denoncimi duhet të shërbejë jo vetëm për të nxjerrë në pah keqqeverisjen dhe korrupsionin në pushtet, por edhe për të ndërtuar alternativën qeverisëse. Parlamenti dhe komisionet parlamentare janë mekanizma të fuqishëm që opozita mund të përdorë jo vetëm për të hedhur baltë mbi qeverinë, por edhe për të pastruar veten si alternativë. Për këtë arsye opozita bëhet shumë më mirë brenda Parlamentit sesa në rrugë.

Kriza energjetike që po afrohet ofron një mundësi të artë për opozitën jo vetëm për të nxjerrë në pah korrupsionin në këtë sektor, mungesën e një vizioni afatgjatë të qeverisë, por mbi të gjitha, alternativën që ajo ofron. Denoncimi i korrupsionit të Ramës dhe 7 pikat e Bashës që propozojnë në mënyrë kontradiktore edhe uljen e taksave edhe rritjen e subvencioneve, nuk përbëjnë alternativë.

Përballë krizës që po afrohet, opozita duhet të propozojë ngritjen e një komisioni hetimor për energjetikën. Synimi i tij duhet të jetë skanimi i situatës aktuale energjetike jo vetëm për të nxjerrë në pah prezencën e korrupsionit, por edhe mungesën e vizionit afatgjatë në këtë sektor. Më konkretisht, ky komision duhet të hetojë masat që janë marrë për pavarësinë energjetike të vendit, politikat që janë bërë për diversifikimin e burimeve energjetike diellore dhe eolike, për të shmangur varësinë nga uji, mënyrën se si po menaxhohen sektorë strategjikë, si KESH apo OSHEE.

Në një nga të paktët artikujt investigativë mbi këtë sektor, kryeredaktori i BIRN, Gjergj Erebara dhe një nga gazetarët më seriozë që kemi, vë në dukje se “KESH sh.a.”, e cila menaxhon tri hidrocentralet e lumit Drin, nuk ka publikuar bilanc vjetor dhe as raportet e menaxhimit, siç është detyrimi ligjor, në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitet 2019 dhe 2020. “OSHEE Group” nuk ka dorëzuar bilancin e vitit 2020 ndërsa OST, e cila menaxhon linjat e tensionit të lartë, nuk ka publikuar bilancin e vitit 2020 (shiko: https://www.reporter.al/kriza-e-dritave-dhe-kriza-e-keqqeverisjes/).

Një komision parlamentar ka të gjitha mundësitë ligjore, administrative dhe mediatike të hetojë menaxhimin e këtyre kompanive. Mund të thërrasë në seanca dëgjimore ekspertë të fushës, si dhe drejtuesit e ministrive përkatëse dhe të kompanive kryesore energjetike dhe t’u kërkojë llogari në lidhje me menaxhimin e sektorit dhe investimet e kryera në të.

Seanca të tilla shërbejnë jo vetëm për të sensibilizuar qytetarët në lidhje me keqqeverisjen në sektor, por edhe për të shpalosur alternativën e opozitës. Ajo duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se çfarë dhe si duhet bërë ndryshe në këtë sektor. Nëse diversifikimi dhe pavarësia energjetike që na mbron nga luhatjet e tregut global duhet bërë nëpërmjet kompanive private, shtetërore, nëpërmjet një kombinimi të të dyjave apo nëpërmjet politikave që nxisin pavarësinë energjetike të konsumatorit duke instaluar panele diellore në shtëpi dhe apartamente.

T’u thuash shqiptarëve se kriza buron nga fakti se Rama është një plehrë e korruptuar dhe se zgjidhja është ardhja e Bashës në pushtet është qesharake. Herën e fundit që Basha me Berishën ishin në pushtet ARMO shkoi për lesh në duart e Rezar Taçit, të cilit pas keqmenaxhimit të ARMO-s, donin t’i jepnin edhe “Albpetrolin”, pa folur për katastrofën e privatizimit me ÇEZ-in famëkeq.

Për të njëjtën arsye nuk ka sens t’u thuash shqiptarëve se kriza e karburantit, çmimi i tij i lartë dhe monopolet në këtë sektor burojnë nga ligësia e Ramës, sepse oligarkët e këtij sektori si Kastrati u fuqizuan që në qeverisjen e PD-së. Ndaj, problemet e sektorit dhe të ekonomisë në përgjithësi nuk mund të reduktohen te ligësia e një njeriu apo tek emra të përveçëm, ato duhen parë si fenomene që kërkojnë zgjidhje ligjore dhe ekonomike jo thjesht britma “Rama ik!”.

Në rastin konkret, kapitalizmi ka një tendencë, që nuk e ka identifikuar vetëm Karl Marksi, drejt monopolizimit. Edhe nëse gara ekonomike fillon e ndershme, ai që fiton raundin e parë ka më shumë shanse të fitojë edhe raundet në vijim dhe pas çdo fitoreje konkurrenca me të bëhet gjithnjë e më e vështirë. Po të fusim këtu edhe faktin që ekzistojnë ato që quhen “economies of scale” (ekonomitë e shkallës) – sektorë ku firmat e mëdha prodhojnë më lirë sesa firmat e vogla – tendenca drejt monopolit bëhet e pandalshme dhe ndërhyrja e shtetit për thyerjen e monopoleve, e domosdoshme.

Ky është një problem themelor me të cilën përballet edhe tregu më konkurrues dhe më i madh në botë, SHBA-ja. Aty sistemi bankar u përqendrua në pak banka që kontrollonin dhe vazhdojnë të kontrollojnë shumicën e sektorit financiar dhe që janë “too big to fail” (shumë të mëdha për të dështuar), që do të thotë se falimentimi i tyre rrëzon të gjithë ekonominë amerikane dhe globale. Për pasojë, kur plasi kriza financiare në vitin 2008, qeveria amerikane u detyrua të ndërhyjë për t’i shpëtuar.

Ironia është që sot oligopoli bankar në SHBA është fuqizuar edhe më shumë se dje, pavarësisht premtimeve të administratës Obama për ta shkërmoqur. E njëjta gjë ka ndodhur me “Facebook”, që pasi bleu edhe “Instagram” edhe “WhatsApp”, është kthyer faktikisht në monopol. Sot jemi aq të varur nga “Facebook” sa është e pamundur të konkurrosh me të në treg.

Një fenomen i ngjashëm ndodh edhe në kapitalizmin shqiptar, të fortët forcohen dhe të dobëtit dobësohen duke prodhuar tendencat monopolistike. Natyrisht që në këtë proces Kryeministri Rama ka dorë dhe përgjegjësi. Atij duket se i pëlqejnë monopolet, sepse me ta qeveris dhe e kontrollon ekonominë më thjesht sesa me rrëmujën që prodhon konkurrenca.

Ndaj, Rama jo vetëm nuk e lufton tendencën monopolistike apo oligarkike të kapitalizmit, por e ushqen atë. Kështu, nëse firma “Kastrati” ka pozicion tejet dominues në tregun e karburanteve, ai i jep edhe aeroportin e Rinasit, edhe Rrugën e Kombit, duke e betonizuar edhe më tej pozicionin e kësaj kompanie në treg. Ashtu sikurse një kompanie tjetër i dhjetëfishon tenderët e qeverisë.

E megjithatë fenomenin e monopolizimit apo të oligopolizimit nuk e prodhon Rama, por kapitalizmi. Ndaj, zgjidhja nuk është thjesht duke hequr Ramën, por duke implementuar politika konkrete kundër monopoleve dhe oligopoleve. Edhe këtu hapi i parë që duhet të ndërmarrë opozita është ngritja e një komisioni hetimor në lidhje me tregun e karburanteve për të parë nëse kemi të bëjmë më monopol, oligopol apo konkurrencë të lirë.

Në bazë të këtij hetimi, opozita duhet të propozojë politika dhe ligje konkrete për thyerjen e monopoleve, si atë karburantit, ashtu edhe të miellit, që rrisin çmimin e produkteve jetike për qytetarët. Minimalisht mund të propozohen politika që limitojnë numrin e tenderëve apo pjesëmarrjen në to të aktorëve monopolistë apo oligopolistë në treg. Në këtë mënyrë, shteti nuk forcon monopolet, por konkurrencën.

Pa politika të tilla, zëvendësimi i Ramës me Bashën jo vetëm nuk e zgjidh, por thjesht e përkeqëson problematikën e monopoleve, oligopoleve, krizës energjetike apo të oligarkëve në Shqipëri. Ndaj, fabula që Rama është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur Shqipërisë, që artikulon si opozita politike, edhe ajo mediatike, shërben thjesht për të zhvendosur vëmendjen nga zgjidhjet konkrete për bukën, energjinë, oligarkinë apo për pastrimin e parasë në ndërtim. Të gjitha këto nuk mund të trajtohen si probleme që burojnë thjesht nga vullneti djallëzor i Ramës.

Kjo është diçka që qytetarët e kuptojnë. Ata tashmë e dinë se zgjedhja e së keqes më të vogël nuk është zgjidhje. Ata nuk besojnë më te shpëtimtarët, qoftë ky Rama, Berisha dhe aq më pak Basha. Ata kërkojnë propozime dhe politika konkrete që zgjidhin hallet e tyre dhe jo një opozitë që vetëm denoncon, por nuk ofron alternativë.

Dhe nuk mund t’u vësh faj. Opozita ngriti një komision për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit, por nuk ka propozuar asnjë komision për të hetuar çmimin e bukës dhe tregun oligopol të miellit; nuk ka ngritur asnjë komision për të hetuar sektorin e energjetikës dhe tregun e karburanteve; asnjë komision për të hetuar çfarë po ndodh në bizneset kriminale të minierave në Bulqizë, ku kanë vdekur më dhjetëra minatorë, pa folur për çështje edhe më komplekse si pastrimi i parave. Ndaj, te qytetari krijohet përshtypja se PD-ja e përdor Parlamentin për hallet e veta dhe jo të popullit.

Deri tani Basha ka treguar se opozita që di të bëjë është vetëm ajo berishiste: denoncime dhe protesta pa propozime. Komisionet hetimore që ai propozon shërbejnë thjesht për denoncim dhe jo për të ndërtuar alternativa qeverisëse. Dhe kjo është e kuptueshme kur Basha ende nuk është distancuar nga Berisha. Ai sot e menaxhon PD-në njësoj si Berisha dje, thjesht pa karizmën e këtij të fundit. Nëse dje PD ishte një bunker entuziast, sot është një bunker i trishtë.

Ndaj, në këtë pikë, për të ndërtuar një opozitë post-berishiste është e nevojshme largimi i berishizmit nga PD-ja, babë e bir, dhe dalja e një udhëheqjeje të re, që u ofron shpresë dhe alternativë shqiptarëve. As Berisha dhe as Basha nuk kanë kredibilitetin e nevojshëm për ta hapur PD-në. Ata mund të ofrojnë aty vetëm ushtarë dhe jo profesionistët dinjitozë që mund të ndërtojnë alternativën qeverisëse që kaq shumë i mungon Shqipërisë.

BIRN: Fitorja e tij u prit me entuziazëm nga politika shqiptare

Trump shënoi rikthim historik në Shtëpinë e Bardhë!

Cilat janë datat me rëndësi, pas 5 nëntorit

Kur betohet Donald Trump si presidenti i ri i SHBA?

Çfarë ndodh me çështjet e tij penale dhe civile

Donald Trump, i pandehuri i parë për krime i zgjedhur president!

Çfarë ndodh me Dhomën e Përfaqësuesve?

Republikanët kanë presidencën dhe Senatin

Kur pritet të mbërrijë në Portin e Shëngjinit

Me 8 emigrantë në bord, ‘Libra‘ niset drejt Shqipërisë!