MENU
klinika

96 – vjetori i lindjes!

Androkli Kostallari, ky studiues i ndritur i gjuhës shqipe!

07.11.2018 - 17:57

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, gjuhëtar, leksikolog dhe akademik shqiptar.

Një nga studiuesit më të ndritur të gjuhësisë së sotme. Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër në konviktin “Trimat e maleve” dhe njëzetvjeçar doli partizan në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në vitin 1946 ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Në vitet 1949 – 1954 kreu studimet e larta për gjuhësi në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Që kur ishte student nisi punën për hartimin e Fjalorit Rusisht – Shqip, i cili u botua në vitin 1954.

Atje paralelisht kreu edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari. Që nga viti 1954, u emërua në detyra drejtuese në Institutin e Historisë dhe Filologjisë. Në prill të vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, më 1957 zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë.

Më 1958 – 1962 dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë. Më 1969 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike(CIOS).

Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar dhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofie, Mynih, Kopenhagen, Paris etj.

Në prill 1970 u bë Profesor, më 1972 dekorohet me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, për ndihmesë të shquar në fushën e arsimit dhe të cultures. Më 1974 mori Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë për veprën shkencore “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”.

Këtë çmim mori edhe për Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, si edhe bashkautorët. Në mars 1986 “Mësues i Popullit”. Më 1963 u zgjodh anëtar i Komitetit të Organizatës Ndërkombëtare të Studimeve për Europën Juglindore (AIESEi) dhe më 1974- anëtar i Byrosë së këtij Komiteti dhe nënkryetar i tij.

Kostallari ishte një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. I është dhënë titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Stokholmit, si dhe titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor” etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Evropës”.

Në bibliografinë e pasur të studimeve shkencore të Prof. Kostallarit përmendim: Fjalor shqip- rusisht, Fjalor rusisht- shqip, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe(1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe(1976).

Ka botuar edhe 18 monografi e studime, ndër të cilat: “Sur les traits principaux de l’ albanais litéraire contemporain”(1966), “La figure de Scanderbeg dans la litèrature mondiale” (1968), Parimet themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1968), Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë ( 1985); është kryeredaktor i veprës madhore “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”(1980), Fjalor i shqipes së sotme(1984) etj. Është lavdëruar dy herë me Çmimin e Republikës.

Ja seç shkruan gazeta gjashtëmujorëshe arbëreshe ‘Lidhja’, në numrin 27 (30 maj 1992): “Njerëz si Kostallari, të ditur, të përzemërt, të buzëqeshur, punëshumë, dashamirës të kombit shqiptar, i përkasin pothuaj ‘legjendës’ së popullit shqiptar, ashtu si Çabej dhe Haxhihasani.

Lundrues të guximshëm, shpesh të pakuptuar dhe të izoluar, të cilët, edhe në situata politike dhe historike të vështira, kanë ditur t’i përvishen punës dhe t’i japin prestigj Kombit. Gjuha letrare shqipe e sotme (gjuha standart: shënim i përkthyesit) e përdorur prej të gjithëve, popull e studiues, na jep mundësinë që të kuptohemi dhe të komunikojmë qartë dhe shpejt.

Pak rëndësi ka se cilat qenë arsyet dhe situata politike që e solli këtë normë. Shqipëria, komb i lirë, demokratik e i pavarur ka një gjuhë letrare të sajën. Arbëreshë, kosovarë, shqiptarë, arvanitas, shqiptarë të diasporës, kudo që jemi, duke folur gjuhën shqipe ‘të njësuar’, bazuar në parimet dhe kriteret e koduara nga Prof. Androkli Kostallari e të tjerë, ndihemi më shumë shqiptarë dhe fort të bashkuar.

Gjuhësia shqiptare humbet një prej specialistëve më të mëdhenj”. U nda nga jeta në Tiranë më 22 mars 1992.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!