Që nga dita e premte, ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë kthyer në një qendër numërimi votash. 8 tavolina me nga dy komisionerë nisën të premten procesin e verifikimit paszgjedhor.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ditën e premte me short elektronik zgjodhi fillimisht 10% të qendrave të votimit ose ndryshe 519 qendra votimi. Për secilën qendër votimi po me short elektronik u zgjodhën për t’u hapur 10% e kutive të votimit për secilën qendër. Në nisje të procesit të verifikimit paszgjedhor, Komisioneri Ilirjan Celibashi sqaroi se: “Qëllimi i këtij procesi ka të bëjë dhe lidhet me vlerësimin që KQZ-ja do t’i bëjë punës së komisionerëve të nivelit të dytë dhe të tretë. Rezultatet e verifikimit nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar, sepse këtë e ka caktuar Kodi Zgjedhor. Por, qëllimi është të dalë se çfarë ka shkuar keq, të përmirësohet dhe çfarë ka shkuar mirë, të bëhet edhe më mirë në të ardhmen. Janë 519 qendra votimi që do t’i nënshtrohen procesit, ndërkohë për zonën zgjedhore numër 40 në Tiranë, ku është zhvilluar procesi i votimit dhe numërimit elektronik, procesi i verifikimit do konsistojë në totalin e të gjitha qendrave të votimit. Procesi i verifikimit paszgjedhor do të bëhet pjesë e një raporti që do të jetë publik”, tha Celibashi. Pas rivlerësimit të kutive të 36 qendrave të votimit, rezulton se partitë politike nuk ndërhyjnë më në kutitë e votimit. Diferencat që janë gjetur në kutitë e votimit në 36 qendrat e votimit janë të papërfillshme dhe të pandikueshme në rezultatin final.
REZULTATI I RIVLERËSIMIT
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 36 qendrat e para të votimit që janë verifikuar i përkasin qarkut Shkodër, një qark që pati jo pak problematika në zgjedhjet e 25 prillit. Kujtojmë që PD-ja para zgjedhjeve kapi një grup që sipas anëtarëve të PD-së, po shpërndanin para në këmbim të votës. Por, ndonëse para se qytetari të shkonte në kutinë e zgjedhjeve, mund të ketë pasur ndërhyrje sipas verifikimit të komisionerëve në KQZ, numri i votave dhe materialet e tjera zgjedhore që janë gjetur pas rinumërimit janë thuajse të njëjta. Kështu, nga kutitë e hapura në 36 qendra votimi në qarkun e Shkodrës, Partia Socialiste rezulton se ka 6 vota më tepër të shënuara në rezultatin përfundimtar të certifikuar sesa janë gjetur nga verifikimi paszgjedhor. Ndërkohë, Partisë Demokratike i kanë dhënë 4 vota më shumë në rezultatin përfundimtar nga ato që janë gjetur pas rinumërimit. Partisë Socialdemokrate, e cila doli forcë e tretë në qarkun e Shkodrës, i kishin dhënë 3 vota më tepër sesa u gjetën pas verifikimit. E ndërsa për të gjitha partitë e tjera numri i votave të certifikuara në rezultatin final ishte më i madh, për koalicionin e Kujtim Gjuzit (ABEOK), komisionerët kishin shënuar në rezultatin final një votë më pak sesa u gjetën. Pas verifikimit Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton se ka 1 votë më tepër, sesa është shënuar në procesverbalin e rezultatit final.
PASOJAT
Procesi i verifikimit paszgjedhor ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe u normua në ndryshimet e Kodit Zgjedhor në qershor të vitit të kaluar me dakordësinë edhe të PD-së e LSI-së, të cilat ishin jashtë sistemit. Por sipas Kodit, procesi i verifikimit paszgjedhor nuk ndikon në rezultatin final për partitë politike. Nëse do të ketë manipulim të rezultatit, do të ketë përgjegjësi penale për komisionerët përgjegjës që kanë bërë manipulimin. Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja që ky proces në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka humbur interesin e subjekteve politike. Ditën e parë kur u hodh shorti, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u paraqit vetëm përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Altin Kaziaj, dhe Kujtim Gjuzi, ndërsa nuk kishte asnjë përfaqësues nga Partia Socialiste, por as nga PD-ja, e cila kundërshtoi rezultatin zgjedhor dhe e ankimoi rezultatin në KQZ dhe në Kolegj Zgjedhor.