MENU
klinika

Guri filozofal!

Na ishte njëherë, një magjistar adhurues i Hygosë…

19.10.2021 - 15:32

        Historianë të shumtë e kanë kaluar jetën, duke u orvatur të deshifrojnë historinë e Parisit. Mirëpo, disa gojëdhëna mbeten të paprovuara dhe ende vijojnë të ngjallin magjepsje, madje edhe fantazi. Fantazmat, spiritualizmi, helmi, thesaret e fshehura…/Konica.al

Hulumtimet shkencore dhe historike ngrenë vellon mbi sekretet më të errëta të kryeqytetit francez. I njohur në mbarë botën, prej shekullit të 14-të, sepse ai do të depërtonte në sekretin misterioz të gurit filozofal, Nicolas Flamel është një personazh emblematik në historinë e Parisit. Shpesh i përshkruar si alkimist, po edhe magjistar, thuhet se ai arriti të zbulojë sekretin e gurit filozofal, i aftë për ta shndërruar metalin në ar dhe për ta bërë të pavdekshëm. Gjatë gjithë jetës, por edhe pas vdekjes, Nicolas Flamel u konsiderua si alkimist i jashtëzakonshëm. Një ditë, do të blinte nga një i huaj një libër kabalistik me lëvore peme, mbushur me karaktere misterioze, që fshihte sekretet e shndërrimit të metaleve dhe gurit filozofal. Nuk mundi ta deshifronte, edhe pse ishte ekspert në shenjat hermetike, apo ishte angazhuar në të gjitha llojet e gjërave në përvojën e tij njëzetvjeçare: magji, përzierje dhe “rrahje”./Konica.al/Shkrimtari dhe kopjuesi publik i lagjes  “Châtelet”, Flamel, u martua me Pernelën rreth vitit 1370, çifti i pasur dhe tejet i devotshëm financuan disa godina fetare si portali i Kishës Saint-Jacques de la Boucherie (nga e cila ka mbetur vetëm kulla). Kur i vdiq e shoqja, Nikolas hapi edhe disa strehë banimi falas për të varfërit: njëra prej tyre tani është shtëpia më e vjetër në Paris. Mirëpo, asokohe kjo pasuri financiare qe subjekt i shumë thashethemeve… Në atë Mesjetë të huazuar nga misticizmi besohej vërtet se Nicolasi zotëronte librin që përmbante sekretin e të famshmit gur filozofal./Konica.al/Nëse vërehet nga ajo çfarë ai ka ndërtuar në Paris, zbulohen edhe simbole me kuptime misterioze: mos ka dashur të linte ndonjë mesazh? Personazhi legjendar lindi midis 1330 dhe 1340 dhe jetoi më shumë se 80-vjet. Një moshë rekord në një shekull të goditur nga murtaja e zezë, lufta njëqindvjeçare dhe disa zi buke. “E bëmë Flamelin alkimist, sepse ai theu kodet e kohës”. Njeriu që punoi si kopjues librash, arriti të zhvillonte një biznes të vërtetë në Paris. “Ai ishte një lloj sipërmarrësi, ndjeu thirrjen dhe u bë librashitës. Asokohe librat ishin produkt luksi, i rezervuar për klerikët ose gjykatësit. Ai i demokratizoi ata në mesin e borgjezisë”. Pali. E habitshme, por e vërtetë,  po edhe Notre-Dame ruan pjesën e saj të misterit dhe fsheh simbole alkimie. E ndërtuar në 182-vjet, katedralja pariziane është modifikuar disa herë, veçanërisht nga arkitekti Eugène Viollet-le-Duc në vitet 1840. “Ai ishte adhurues i flaktë i Viktor Hygosë. Donte ta bënte Notre-Dame një katedrale disi magjike, siç ishte në roman”. Nëse sot katedralja është një nga monumentet më të vizituar në Evropë, nuk është për thesarin e saj alkimik.

Për ta gjetur atë, duhet të shikoni në skelën e Portës së Gjykimit të Fundit, ku gjendet statuja e Krishtit. Poshtë tij, në gur është vendosur një medalion me imazhin e perëndeshës frigjiane, Cybele. Me kokën në re, me Dhjatën e Vjetër dhe të Re në dorë, ajo është ulur pas shkallës së Jakobit. “Cybele përfaqëson alkiminë, aleancën e re, hyjninë e re. Rreth saj ekziston përfaqësimi i mësimeve klasike. Nëse rruga e virtyteve është shkallët për të arritur në parajsë, perëndeshë Cybele do të ishte ashensori: parimi i alkimisë është të heqësh dorë nga dogma, mesha. Në vend që të lutesh, t’i përgjërohesh Krishtit, na thuhet se në vend të kësaj duhet të përdorim njohurinë. Ky medalion është guri filozofal”. Po ashtu, në çatinë e katedrales arkitekti fshehu statujën e një burri të moshuar me mjekër, një kapelë me majë në kokë, e njohur zakonisht si “Alkimisti”… Nicolas Flamel ka frymëzuar shkrimtarë të ndryshëm nga Aleksandër Dyma “Kulla Saint-Jacques”, te J. K Rowling, krijuesja e “Heri Poterit”, e cila e vendos atë në zemër të intrigës së aventurave të magjistarit të ri./Konica.al

Përtej personazhit të një romani, Nicolas Flamel ekzistonte dhe jetonte në Parisin e Mesjetës. Një gjë është e sigurt, ai la gjurmë shumë të vërteta në Paris. Vdiq në 1418 dhe u varros në kishën “Saint-Jacques-de-la-Boucherie”, nga e cila ka mbetur vetëm kulla, kurse guri i epitafit të tij tani ruhet në muzeun “Cluny” (eshtrat u vendosën në katakombe).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Harmoni paralele me natyrën”

Arti i ngjyrave tek Pol Sezani