Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë në Serie A kurrë nuk ka qenë kaq i lartë. Një pjesë e tyre janë edhe mes lojtarëve më të paguar në skuadrat respektive.
Rasti i parë është ai i sulmuesit Vedat Muriqi te skuadra e Lazios. Sulmuesi kosovar, i cili është aktivizuar edhe në Shqipëri me Besën dhe Teutën, tani përfiton 2.2 milionë euro në sezon.
Vendin e dytë e ndajnë tre futbollistë. Marash Kumbulla i Romës, Elseid Hysaj i Lazios dhe Amir Rrahmani i Napolit, që arkëtojnë nga 1.8 milionë euro në sezon d,uke lënë pas dy lojtarët e tjerë të Kombëtares.
Nedim Bajrami tek Empoli dhe Thomas Strakosha te Lazio përfitojnë 1.2 milionë euro në vit. Klasifikimi vijon me portierin tjetër dhe kapitenin e Kombëtares, i cili merr një pagë prej 1 milion eurosh. Berisha u transferua këtë verë nga SPAL te skuadra e Torinos në Serie A.
Ardian Ismajli, që u transferua nga Spezia tek Empoli, ka një pagë që kap shifrën e 900 mijë euro, 100 mijë më shumë se Berat Gjimshiti, i cili edhe pse luan edhe në Champions, nuk përfiton sa të tjerët.
Mërgim Vojvoda përfiton te Torino 700 mijë euro në sezon dhe Rey Manaj është i fundit në listë. Sulmuesi kaloi te Spezia këtë verë në huazim nga Barcelona dhe përfiton 420 mijë euro.