MENU
klinika

Butrinti antik

Pagëzimorja e madhe ilire në Perandorinë Romake

24.10.2021 - 10:42

         Një monument i mahnitshëm i periudhës paleokristiane. Pagëzimorja e Butrintit u ndërtua në mesin e shek.VI – periudhë gjatë së cilës krishtërimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e tij.

Monumenti i rrallë arkeologjik u zbulua në vitin 1928, nga Misioni Arkeologjik Italian. Është pagëzimorja e dytë më e madhe në gjithë Perandorinë Romake, pas asaj të Shën Sofisë të Stamboll (Kostandinopojës).


Pagëzimorja i kushtohet ritit të pagëzimit dhe simbolizon këtë rit në të gjitha aspektet e arkitekturës dhe dekorimit.

Ajo përbëhet nga salla e pagëzimit dhe një sallë ndihmëse në veri, të dyja shtruar me mozaik. Salla e parë ka plan rrethor me diametër 13,5 metra, me dy radhë kolonash graniti. Figurat e mozaikut, kryesisht mee kafshë, janë vendosur në 69 medalione, në 7 rrathë bashkëqëndrorë, që rrethojnë vendin e pagëzimit në qendër, duke e rritur kështu numrin e rrathëve në tetë (numri kristian për shpëtim dhe përjetësi).


Mozaiku i jashtëzakonshëm shumëngjyrësh i dyshemesë së pagëzimores së Butrintit është një nga mozaikët më të kompletuar dhe më kompleks të të gjithë pagëzimoreve të asaj periudhe.

Vëmendja e vizitorëve që kalojnë pragun e hyrjes kryesore tërhiqet nga dy pallonj në një hardhi, që rritet në një vazo të madhe. Pallonjtë simbolizojnë parajsën dhe pavdekshmërinë, ndërsa vazoja dhe rrushi simbolizojnë fertilitetin dhe gjakun e Krishtit.

Salla mendohet të ketë qenë e mbuluar me sistem qemeresh e kupolë, mbi kolonat qëndrore. Edhe salla tjetër, përafërsisht drejtkëndëshe, është e shtruar me mozaik, me motive kafshësh dhe figura gjeometrike.

Mozaikët në pagëzimoren e Butrintit kanë vlera të rralla artistike dhe dekorimi i tyre paraqet karakteristika të përbashkëta, që shtrihen në një krahinë shumë të gjerë, nga Vjosa në veri e vazhdon në jug, në disa zona të ndryshme të Epirit.