Kohërat që po jetojmë aktualisht janë të frikshme për Amerikën. Njëra nga partitë tona kryesore po e përshpejton rrugëtimin e saj drejt autoritarizmit, ndërsa tjetra ka vështirësi të mëdha në ecjen përpara me reformat, për shkak të dy senatorëve të saj jo bashkëpunues me qeverinë.
Shumica e asaj që shkruaj, fokusohet në mënyrë të pashmangshme tek perspektivat e turbullta të republikës tonë. Por të gjithë kanë nevojë për një lloj pushimi. Prandaj sot dua të flas për një temë më të “gëzueshme”:Rreziqet e një krize ekonomike në Kinë.
Ok, nuk është tamam një çështje më e këndshme. Por është më së paku një ndryshim në tematikë. Paralajmërimet mbi problemet e ekonomisë kineze nuk janë të reja. Por deri më sot, ata që u kanë rënë zileve të alarmit, përfshirë edhe mua, e kanë pasur vazhdimisht gabim.
Në vitin 2013, unë kam shkruar se modeli i rritjes ekonomike të Kinës po bëhej i paqëndrueshëm, dhe se ekonomia e saj mund të përballej me një krizë të madhe; gjë që padyshim nuk ndodhi. Megjithatë, sa më shumë që analizoni se si Kina ka qenë në gjendje të ruajë në ritmin e duhur ecurinë e saj ekonomike, aq më problematike duket kjo e fundit.
Në thelb, Kina i ka maskuar ç’ekuilibrat e saj themelorë, duke krijuar një flluskë të madhe në sektorin e strehimit. Dhe është e vështirë të shihet se si mund të përfundojë mirë kjo rrugë. Pak histori:Reformat e prezantuara nga Deng Xiaoping në fund të viteve 1970, sollën një mrekulli ekonomike.
Kina, e cila ishte dëshpërimisht e varfër, është sot një komb me të ardhura mesatare, dhe duke pasur parasysh madhësinë e saj, kjo e bën atë një superfuqi ekonomike botërore. Por rritja ekonomike e Kinës, ka ardhur gradualisht duke u ngadalësuar.
Dhe në këtë ngadalësim nuk ka asgjë misterioze. Kjo pasi Kina ka qenë në gjendje të shënonte një rritje tepër të shpejtë ekonomike, nëpërmjet kombinimit të huamarrjes teknologjike nga kombet më të përparuara, dhe një transferimi të madh të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane.
Ndërsa po rritej sofistikimi i saj teknologjik, u reduktua krahu i punës në fshat, ndaj rritja ekonomike do të ngadalësohej. Për më tepër, politika e vetëm një fëmije për familje, i dha Kinës atë lloj demografie, të cilën ne e lidhim zakonisht me vendet më të pasura:Popullsia në moshë pune e arriti kulmin disa vite më parë, dhe tanimë ajo po tkurret.
Në vetvete, rritja më e ngadaltë ekonomike, dhe një tranzicion demografik, nuk duhet të nënkuptojnë një krizë. Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi:modelet e shpenzimeve në Kinë, nuk i janë përshtatur nevojave të një ekonomie me rritje më të ngadaltë.
Vendi ka ende një normë shumë të lartë të kursimit, ndaj për të ruajtur punësimin e plotë, duhet të investojë një pjesë tepër të lartë të PBB-së, më shumë se 40 për qind. Çfarë i nxit zakonisht investimet në një vend? Normalisht, shumë gjëra varen nga shpejtësia e rritjes së ekonomisë.
Rritja është ajo që krijon kërkesën për fabrika të reja, godina për zyra, qendra tregtare etj. Pra investimet shumë të larta si pjesë e PBB-së janë të qëndrueshme, vetëm nëse ekonomia është duke u rritur me 9 apo 10 për qind në vit. Por nëse kjo rritje bie në nivelin 3 ose 4 për qind, bien edhe kthimet nga investimi.
Kjo është arsyeja pse Kina ka realisht nevojë të ndryshojë strukturën e saj ekonomike, të kursejë më pak dhe të konsumojë më shumë. Por kursimet kineze kanë mbetur kokëfortësisht në nivele tepër të larta, dhe dihet që kursimet e tepërta janë një problem ekonomik.
Disa vite më parë një studim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, u përpoq të shpjegonte arsyet e kursimeve të larta të Kinës. FMN sugjeronte në atë studim se fajtori më i madh ishte i njëjti tranzicion demografik, që është tashmë një shkak i ngadalësimit të rritjes.
Një rënie e lindshmërisë, do të thotë që të rriturit kinezë nuk mund të presin që fëmijët e tyre t’i mbështesin ata më vonë gjatë jetës, ndaj kursejnë shumë për t’u përgatitur për moshën e pensionit. Ky faktor demografik, përforcohet nga dobësia e rrjetit të sigurisë sociale që ka vetë Kina:njerëzit nuk mund të mbështeten tek qeveria në vitet e tyre të mëvonshme të jetës, apo për të paguar kujdesin shëndetësor ndaj tyre, prandaj ndjejnë nevojën të grumbullojnë para si një masë paraprake.
Politikë-bërësit kinezë i dinë që të gjitha këto, por ata nuk kanë qenë në gjendje që të përballen me këto probleme themelore. Dhe në vend të kësaj, pavarësisht ngadalësimit të rritjes, ata kanë mbajtur norma shumë të larta të investimeve, kryesisht duke inkurajuar shpenzime të mëdha për ndërtimin e banesave.
Një studim i vitit 2020 nga Kenneth Rogoff dhe Yuanchen Yang, tregon se investimet kineze në pasuritë e paluajtshme, i tejkalojnë aktualisht shumë nivelet e SHBA-së në kulmin e “flluskës” në sektorin e banesave të viteve 2000, si në termat e vëllimit, ashtu edhe si pjesë të PBB-së.
Po ashtu Rogoff dhe Yang, tregojnë se çmimet e banesave në Kinë janë jashtëzakonisht të larta në raport me të ardhurat, dhe se sektori i pasurive të paluajtshme, është shndërruar në një pjesë tepër e madhe të ekonomisë kineze.
Asnjëra nga këto nuk duket e qëndrueshme, prandaj shumë analistë dhe ekspertë shqetësohen se problemet e borxhit që ka zhvilluesi gjigant i pronave “Evergrande”, janë vetëm fillesa e një krize ekonomike më të gjerë. Unë e kanë vënë shpeshherë në dukje, se deri më tani Kina ka qenë në gjendje t’i sfidojë të gjithë ata që kanë paralajmëruar kohëra të errëta për të.
Prandaj shumëkush mund të tundohet që t’u japë të drejtën e dyshimit politikë-bërësve kinezë, dhe të supozojë se ata do të arrijnë ta përballojnë edhe këtë situatë. Megjithatë, del se ata nuk janë marrë realisht me problemet themelore të ekonomisë së tyre. Përkundrazi, ata i kanë maskuar këto probleme, duke krijuar një flluskë në sektorin e strehimit, e cila përfundimisht do ta zmadhojë problemin.
Por pse duhet që të shqetësohet për këtë pjesa tjetër e botës? Kina, që ruan ende kontrollet mbi fluksin e kapitalit brenda dhe jashtë vendit, nuk është thellësisht e integruar me tregjet financiare botërore. Kësisoj, falimentimi i “Evergrande”, nuk ka të ngjarë të provokojë një krizë financiare globale, ashtu siç ndodhi me falimentin e bankës së madhe amerikane “Lehman Brothers” në vitin 2008.
Një ngadalësim i ekonomisë kineze, do të kishte sigurisht një farë ndikimi ekonomik nëpërmjet rënies së kërkesës kineze, veçanërisht për lëndët e para. Por në terma thjesht ekonomikë, rreziqet ekonomike globale nga problemet e Kinës, nuk duken edhe aq të mëdha.
Megjithatë, Kina ka një qeveri autokratike, atë lloj qeverisjeje që në kohë dhe vende të tjera ka tentuar që të reagojë ndaj problemeve të brendshme, duke kërkuar një armik të jashtëm. Dhe Kina është gjithashtu një superfuqi. Nuk është aspak e vështirë të tregosh histori të frikshme, se ku mund të çojë e gjithë kjo. Dhe me këtë, ju rikthej tek shqetësimet tuaja të zakonshme mbi atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara.
*Paul Krugman, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, SHBA. Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi në vitin 2008/ The New York Times