MENU
klinika

Ato janë 7!!!

Burra, pranojeni një propozim krejt zhveshur!

31.10.2021 - 18:24

        Të gjitha të dhunuara. Të vetmuara… Por, bashkë ndajnë dhembjet, me gëzimin prej natyre të brishtë femërore për të bukurën. Me forcën që e njeh vetëm gruaja, gruaja e ”shënjestruar” në shoqëri./Konica.al

Një komedi e jashtëzakonshme dhe me nota të larta optimizmi, vjen në Teatrin Shëtitës Çajupi.

“Hamami grave” është historia e shtatë femrave. Me regjinë e Kiço Londos, shfaqja ngre zërin përmes humorit, mbi përditshmërinë e të qenit femër, ndaj “Hamami i grave” shkon me teatrin “A. Z. Çajupi”, në Korçë, më datat 31 tetor – 1 nëntor.

“Hamami duket si një mitër, ku heroinat mund të jenë të sigurta, të shijojnë çdo minutë relaksimi dhe pushimi, të vetidentifikohen dhe të kuptojnë realitetin e ashpër. Teatri Shëtitës shndërrohet në një hamam të dobishëm dhe shtatë figura femërore, që vetilustrohen. “Hamami i grave” nga britanikja Nell Dunn, vizualizohet në skenë nga Kiço Londo, duke pasur në potencialin e tij dymbëdhjetë magjepsëse të teatrit”,-  thuhet për komedinë.

Një banjë turke e rrënuar në një periferit të Londrës, është çerdhja ku pushojnë dhe takohen ato të shtata – gratë e vetmuara të moshave të ndryshme, sikur nivelit shoqëror, ekonomik dhe atij arsimor.

Pas dyerve të mbyllura, brenda mureve të lagështa të hamamit të vjetër, ato lehtësohen nga pesha e mendimeve dhe ankthit. Në atë ”fole grerëzash” buron gëzimi, ëndrrat, aventurat e deri zhgënjimet në një mënyrë retorike. Ato janë të mërzitura me lajmet kërcënuese për prishjen e vendit të tyre të preferuar për një bibliotekë, ndaj bashkohen të vendosura kundër shtypjes së pushtetit lokal, për shpëtimin e hamamit.

Lufta e tyre e përbashkët kurorëzohet efektive, me armët e tyre të vetme: vërtetësinë e ndjenjave dhe solidaritetin e tyre.

Në role: Albana Koçaj, Esela Pysqyli,Violeta Trebicka, Linda Jarani, Ola Harizaj, Dajana Nenaj, Aiola Laska, Elios Shuli.

“Hamami i grave” është streha e tyre në një botë të errët. Fjalët e tyre janë si monologje, sikur po flasin me veten e tyre dhe po përpiqen të kuptojnë pozicionin e tyre. Burrat mungojnë, por ata janë të gjithëpranishëm në çdo rrëfim. Një botë e vështirë i pret jashtë hamamit, me të gjitha llojet e shtypjes, dhunës dhe skllavërimit. Brenda hamamit mbizotëron temperamenti femëror, në përpjekje për t’u çliruar dhe… për t’u dashuruar.

Rrobat hiqen një nga një, avujt e ujit dhe sfungjeri hapin poret e lëkurës si për të zbuluar tregimet më tinzare, më të çlirëta… madje, ato më të neveritshmet të jetës së tyre të vështirë… “Hamami i grave” është një thirrje teatrale me zë të lartë, burrave! 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN