Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar gjykimin e shkurtuar për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Mësohet se pretenca do të shpallet në datën 17 nëntor ora 10:00.
AKUZA
Në saj të përgjimeve nga hetimet e SPAK, gjykatësja Enkeleida Hoxha del se është përfshirë në një aferë korruptive bashkë me avokatin Aldo Tabaku dhe punonjës të tjerë të gjykatës.
Një skemë e mirëfilltë kriminale në Gjykatën e Krujës për të liruar të burgosurit kundrejt miliona eurove.
E kthyer në simbolin e gjyqtarëve që hapin dyert e burgut për të dënuarit e përjetshëm, Enkeleida Hoxha ra në “duart” e SPAK-ut së bashku me nëntë persona të tjerë, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të hapnin dyert e qelive për një tjetër të dënuar në Fushë-Krujë.
Gjyqtarja, eksperti mjeko-ligjor, avokati, kryesekretarja e gjykatës dhe familjarët e të dënuarit Saimir Petani, u bënë bashkë me qëllimin për t’i zbutur atij dënimin. Duke shfrytëzuar afrimitetin me Enkeleida Hoxhën, avokati Aldo Tabaku, sipas përgjimeve të SPAK-ut, del se ka ndikuar te gjyqtarja Hoxha, e cila nën këtë influencë i zbriti të dënuarit 6 muaj burgim, për shumën e 6 mijë eurove.