MENU
klinika

Simptomat dhe trajtimi

Çfarë është çrregullimi i personalitetit kufitar

05.11.2021 - 14:15

Çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD) është një çrregullim mendor i cili zhvillohet gjatë adoleshencës ose në moshë madhore të hershme. Çrregullimi karakterizohet nga një model i paqëndrueshmërisë emocionale, sjelljeve impulsive, imazhit të shtrembëruar për veten dhe marrëdhënieve të paqëndrueshme.

Çfarë e shkakton BPD?

Studiuesit janë ende duke u përpjekur të mësojnë shkakun e saktë të BPD. Faktorë të shumtë mund të kontribuojnë në çrregullim, duke përfshirë gjenetikën, faktorët mjedisorë dhe anomalitë e serotoninës.

Rritja në një mjedis të paqëndrueshëm, abuziv ose neglizhues mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të BPD.

Serotonina është një hormon që ndihmon në rregullimin e humorit. Anomalitë në prodhimin e serotoninës mund t’ju bëjnë të ndjeshëm ndaj BPD.

Çfarë është çrregullimi i personalitetit kufitar:

Simptomat dhe diagnoza e BPD

Sipas Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (DSM), kriteret e mëposhtme janë të gjitha shenja dhe simptoma të BPD.

– Shmangia e vazhdueshme e braktisjes (reale ose imagjinare).
– Të paturit modele marrëdhëniesh të paqëndrueshme.
– Të kesh një imazh të gabuar për veten dhe një identitet të paqëndrueshëm.
– Veprime impulsive në të paktën dy fusha të jetës të cilat shkaktojnë dëme.
– Historik të sjelljeve të rrezikshme (vetëdëmtim ose tentativa vetëvrasjeje).
– Luhatjet e shpeshta të humorit.
– Ndjenja të rënda dhe afatgjate të zbrazëtisë.
– Vështirësi në kontrollin e zemërimit ose zemërim pa shkak gjatë gjithë kohës.
– Zënka të shpeshta, edhe fizike.
– Periudha paranoje të lidhura me stresin.

Që një person të diagnostikohet me këtë çrregullim, duhet të ketë të paktën pesë nga simptomat zyrtare të çrregullimit BPD.

Çfarë është çrregullimi i personalitetit kufitar:

Si trajtohet BPD?

Profesionistët e shëndetit mendor mund të rekomandojnë një ose më shumë trajtime për BPD, duke përfshirë psikoterapi, mjekim ose shtrimin në spital.

Cilat janë ndërlikimet e mundshme të BPD?

BPD mund të rrisë rrezikun e çrregullimeve të tjera, të tilla si:
– çrregullimet e ankthit
– çrregullime të të ngrënit
– depresionit
– çrregullimin bipolar

Simptomat mund të rrisin rrezikun për:
– probleme në punë
– probleme me marrëdhëniet
– abuzim me substancat
– vetëlëndim, vetëvrasje

Perspektiva për njerëzit me BPD ndryshon. Këta njerëz mund të përballen me sfida gjatë gjithë jetës. Ndonjëherë, mund të luftojnë me mendime për vetëvrasësje ose sjellje vetëdëmtuese. Prandaj është thelbësore që të ndjekin planin e trajtimit të përshkruar nga profesionistët e shëndetit mendor. Një plan i tillë mund të zvogëlojë ashpërsinë e simptomave dhe t’i ndihmojë që të bëjnë një jetë të sigurt.

Burimet: Healthline, Psychology Today