MENU
klinika

Parajsa fillestare

Adami pati dy gra: të kundërta!

08.11.2021 - 16:31

         Përse qesh? Sigurisht që nuk i besoj, por më pëlqen t’i tregoj këto histori, më pëlqenin kur m’i tregonin mua dhe do të më vinte keq po të humbisnin. Fundja, nuk të siguroj se nuk kam shtuar edhe unë diçka nga vetja: ndoshta të gjithë ata që i tregojnë, u shtojnë diçka dhe kështu lindin historitë.

(“Lilit dhe tregime të tjera”, Primo Levi)

Për të folur për një nga mitet më të lashta në historinë perëndimore: mitin e krijimit, po e fillojmë me një citim nga Primo Levi. Të gjithë pa përjashtim, besimtarë dhe jobesimtarë, jemi rritur me një mori imazhesh përftuar nga tekstet e shenjta të krishtera. Duam apo s’duam, teksti i Gjenezës, me rrëfimin e krijimit të gruas nga brinja e burrit, prej shekujsh ka kushtëzuar mënyrën e perceptimit të raportit mes gjinive. Miti vendoset mes historisë së krijimit të burrit dhe krijimit të gruas, që, siç e dimë, ka ndodhur krejt ndryshe. Për mijëvjeçarë historia biblike e gjenezës ka kanalizuar gjithçka në marrëdhëniet burrë-grua dhe identitetin e saj gjinor, ka lejuar të justifikojë dhe të bëjë të nevojshme hierarkitë midis mashkullit dhe femrës, duke rrënjosur një mendësi, që mbeti e padiskutueshme për disa mijëvjeçarë. Deri në shekullin XVIII, askush nuk kishte ngritur dyshimin se Dhiata e Vjetër ishte shkruar nga duar të ndryshme dhe për një periudhë të gjatë kohore. Madje, tradita më orthodokse beson se ajo ishte shkruar tërësisht nga Moisiu rreth 1,500 vjet para Krishtit. Dyshimet e para i ngriti Baruch Spinoza, në vitin 1670, duke ndezur fitilin e asaj që tashmë përkufizohet si Hipoteza të dokumentuara./Konica.al

Për të krijuar tablonë e situatës duhet kujtuar, se teksti i “Gjenezës” është libri i parë i Torah-ut hebraik dhe Biblës së krishterë, i ndarë në 50 kapituj, nga të cilët 11 të parët rrëfejnë prehistorinë biblike ose krijimin, mëkatin fillestar dhe përmbytjen e përbotshme.

Veçanërisht dy të parët rrëfejnë krijimin e botës dhe të njeriut, secili me një version ndryshe në dy kapitujt. Për të qenë të qartë, libri i parë tregon për krijimin e burrit dhe gruas sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë: Dhe Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmërinë tonë dhe të sundojmë mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi bagëtinë, mbi të gjitha kafshët e egra dhe mbi të gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë”. Zoti e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij; e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; i krijoi mashkull dhe femër”. Megjithatë, në kapitullin e dytë, historia e krijimit përsëritet në versionin që ne njohim më mirë, atë të një Adami të krijuar vetëm, shumë i vetmuar, deri në pikën që Zoti trishtohet dhe dëshiron t’i japë një shoqe: “Atëherë Zoti i Gjithëpushtetshëm tha: “Nuk është mirë që njeriu të ndjehet i vetmuar: Unë dua t’i bëj një shoqe të ngjashme me të”. Atëherë Zoti i Gjithëpushtetshëm krijoi nga toka gjithëfarëlloj kafshësh të egra dhe vandakë me zogj qielli dhe i çoi te njeriu”. Duket thuajse një blasfemi skena, kur Zoti i bën kafshët të parakalojnë para Adamit, duke shpresuar që ai do të gjejë një shok të përshtatshëm nga ai grumbull, megjithatë kjo është ajo që përshkruan libri i dytë i “Zanafillës”. Krijuesi, duke pasur parasysh pakënaqësinë e njeriut, sikur Adami e kuptonte më mirë se Zoti se qeniet e tjera nuk kishin asgjë të përbashkët me te, e vë krijesën e tij në një gjumë të thellë dhe i merr një brinjë. Prej saj ai krijoi gruan: Evën, gruan e burrit./Konica.al/Kështu lindi, nga një vjedhje, gjysma tjetër e gjinisë njerëzore, nga një grabitje e kryer në topitjen e ëndrrës. Vlen të nënvizohet prania e një mbiemri dëftor në fillim të fjalisë vendosur në gojën e Adamit. A është “këtë herë” në krahasim me një ngjarje tjetër? A ka pasur një kohë më parë, apo njeriu thjesht i referohet përpjekjes së Zotit për të kërkuar një partnet mes kafshëve? Si është e mundur që libri i parë flet për një krijim të “mashkullit dhe femrës” në imazhin e ngjashmërinë e Perëndisë dhe të brumosur në të njëjtën kohë? Interpretimet biblike të hebraizmit të lashtë u përgjigjen këtyre pyetjeve me një tjetër histori: atë të një gruaje të krijuar para Evës. Në këto dy versione kontradiktore të krijimit, i ka rrënjët miti fare pak i njohur, ai i gruas së parë të Adamit, Lilith, e krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Kjo figurë daton në mitet dhe legjendat e lashta të Mesopotamisë, të cilat shumë studiues i gjurmojnë në vitin 3,000 para Krishtit dhe shfaqet si një koleksion demonësh të lidhur me erën dhe stuhinë. Ndryshe nga popullsitë që iu nënshtruan, hebrenjtë adoptuan një fe monoteiste dhe bashkëjetesa e ngushtë me qytetërimet asiriane dhe babilonase nënkuptonte, se disa elementë të fesë së tyre pranoheshin edhe në tekstet hebraike. Ka gjasa që në fenë hebraike të jetë asimiluar rreth vitit 700 para Krishtit, ku figura e Lilithit shërben si kapërcim i zbrazëtirës letrare midis librit të parë dhe të dytë të ‘Gjenezës”. Sipas Torah-ut hebre, Zoti i dha Adamit një partnere të parë, të cilët jetuan në kopshtin e Edenit, derisa u përplasën me refuzimin e gruas për t’iu nënshtruar burrit. Pas grindjes, Lilithi arratiset nga Edeni dhe strehohet mes demonëve, por Zoti dërgoi një mori engjëjsh për ta kërkuar dhe për ta urdhëruar që të kthehej. Lilith nuk pranoi, vendosi të mos kthehej. Duke u rebeluar kundër Zotit, ajo u shkëput nga origjina, u vetëdijësua dhe zgjedh të jetojë jetën e saj. Janë të shumta burimet hebraike që flasin për të, të përshkruara rëndom si grua me bukuri magjepsëse, por të frikshme, me flokë të gjatë të kuq ose blu, me bisht gjarpri ose me krahë zogjsh. Me pak fjalë, gjatë shekujve miti është pasuruar me fantazi dhe detaje nga më të çuditshmet, duke pushtuar shpesh edhe botën e artit. Janë të shumta figurat e referimit me karakteristika të ngjashme: Lubitë, Sirenat, Ekidna dhe prejardhja e saj (Sfinksi, Meduza, Shila), Hidra, Strixhit (zogj nate), Nereidët. Në traditat evropiane dhe arabe gjejmë Melusina, Oumm e Sibian, Lorelai. /Konica.al/Disa guxojnë ta krahasojnë figurën e Lilithit me atë të vampirit dhe ujkut, por këto për momentin mund të jenë vetëm spekulime. Mes piktorëve magjepsur nga miti demoniak i Lilithit, nuk mund të mos përmendim John Collier dhe Dante Gabriele Rossetti, sikundër është e natyrshme të mendojmë për tekste poetike që flasin në mënyrë qartë për të, siç është “Kthimi i Lilithit” nga Joumana Haddad. E shndërruar nga mitologjia hebraike në demon të furishëm që mundon netët e njerëzve, Lilith përfshin në vetvete gjithë tiparet e errëta dhe shkatërruese, që duket se përfaqësojnë dëshminë e një frike të lashtë, pikërisht atë të përmbysjes së skemave të imponuara tradicionalisht. Lilith përfaqëson arketipin e gruas që heziton të nënshtrohet dhe me kalimin e kohës merr të gjitha aspektet negative të feminitetit të pranishme në imagjinatën popullore: tradhtinë bashkëshortore, magjinë dhe epshin. Në familjet çifute ortodokse ekziston ende zakoni i varjes së hajmalive në djepet e fëmijëve meshkuj, për t’i mbrojtur nga ky demon, që mund t’i vrasë në tetë ditët midis lindjes dhe rrethprerjes. Një interpretim antropologjik tenton të tregojë, se i Lilith dhe figura të tjera femërore të lidhura me hyjninë, janë demonizuar nga fetë me bazë mashkullore, ndoshta si përgjigje ndaj nevojës për të pastruar mbetjet e kulteve parahistorike matriarkale dhe të tipit femëror. Megjithatë, këto teori nuk bazohen në burime historike apo arkeologjike, por në interpretime psikanalitike, të shpallura ndër të tjera edhe nga Carl G. Jung, pa iu referuar një entiteti që ekziston vërtet në hapësirë ​​dhe kohë, por një imazhi të brendshëm që vepron mbi psikikën njerëzore, në një arketip. Edhe letërsia është magjepsur nga ky mit, duke theksuar disa nga karakteristikat e tij, si sensualiteti dhe rrezikshmëria, veçanërisht në letërsinë e epokës romantike. Lilithi i Faustit të Gëtes i korrespondon plotësisht kësaj paradigme:

Fausti: Kush është ajo?

Mefistofeli: Ajo është Lilithi.

Fausti: Kush?

Mefistofeli: Gruaja e parë e Adamit,

Kujdes nga flokët e saj të bukur/Nga ai shkëlqim, që vetëm, e vesh”. […]/Konica.al

Ngjarja letrare më interesante është ajo e Primo Levit, në “Lilithi dhe tregime të tjera”, të vendosura në një kamp përqendrimi nazist. Në tregimin në fjalë është çifuti “Tischler” ai që flet për Lilithin dhe e ndërgjegjëson Primo Levin: “Po ta kishit lexuar me kujdes Biblën, do t’iu sillej ndër mend se çështja e krijimit të gruas tregohet dy herë, në dy mënyra të ndryshme: por tashmë, ata iu mësojnë fare pak hebraisht në të trembëdhjetat, më pas kaq e pat… […] Deri para një shekulli e gjysmë, dy modelet dominuese të grave ishin ajo e gruas dhe e kurtizanes, të cilat ripropozojnë kontrastin e profileve që tradicionalisht i atribuohen Evës dhe Lilithit. Figura biblike e Evës identifikohet me atë të nënës dhe gruas që jeton për çiftin, me idealin e gruas si “engjëlli i vatrës”, në modë deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Seksi i saj përdoret për të lindur dhe për t’i dhënë kënaqësi njeriut.

Adami nuk donte një partnere të barabartë, por një krijesë të nënshtruar, diçka midis kafshëve dhe vetes, i cili ishte sovran i çdo bishe që kulloste në Eden dhe donte të mbetej i tillë. Përtej mitit, përtej traditës, historia e Lilithit është mbi të gjitha historia e metamorfozës së një miti arkaik: grua, por jo nëna, figurat e Evës dhe Marisë, bashkëshorte të nënshtruara dhe të bindura, për mijëvjeçarë kanë qenë të parapëlqyerat.

Miti i Lilithit përfundon duke grumbulluar në vetvete shumë prej mohimeve patriarkale të figurës femërore, pasi nuk respekton stereotipin e “prodhueses së fëmijëve” të zhveshur nga çdo aspekt autonomie dhe sensualiteti.

Me fillimin e proceseve të emancipimit, gruaja zhvishet nga veli që i ishte qepur nga tradita fetare. Paralelisht me emancipimin në rritje të gruas në botën perëndimore, figura e Lilithit bëhet simboli i gjinisë femërore që nuk i nënshtrohet pushtetit mashkullor, feministja e parë në historinë (mitologjike)./Konica.al