MENU
klinika

A L B A N I C U S

Milan Shuflaj, më shqiptari ndër shqiptarët

09.11.2021 - 13:10

         Historian dhe politikan kroat, një prej themeluesve të Albanologjisë, Milan Shyflaj lindi më 9 nëntor 1879. Me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe Akademisë së Shkencave në Vjenë, Shuflaji vazhdoi punën e Jireček dhe Thalloczy, duke redaktuar librin III ”Codex Albanicus”, një koleksion arkivor. Më 1931, më në fund merr pasaportën dhe udhëton në Shqipëri, për të nënshkruar një kontratë pune me ”Acta Albaniae”.

Anëtarët e organizatës së regjimit Jugosllavët e Rinj, nën mbrojtjen mbretërore, më 19 shkurt 1931, i zënë pritë në pragun në Zagreb dhe i thyejnë kafkën me një shufër metalike, duke e lënë të vdekur. Më pas, ata hynë në banesë, ku rrëmbyen dorëshkrimin e librit të tretë të ”Codex Albanicus”.

Nuk ka pasur ndonjë hetim lidhur me kriminelët. Autoritetet mohuan çdo njohuri mbi sulmuesit dhe ndaluan gjitha aktivitetet në lidhje me funeralin e tij. Albert Einstein dhe Heinrich Mann i dërguan një letër Lidhjes Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris, duke i apeluar publikut kulturor global për të protestuar kundër vrasjes së Milan Shuflajt, duke bërë thirrje për mbrojtjen e shkencëtarëve kroatë nga regjimi jugosllav. Ankesa iu drejtua Parisit “Ligue des droits de l’homme” (Lidhja e të Drejtave të Njeriut) dhe u botua në faqen e parë të ”New York Times” më 6 maj 1931. Aty u akuzua mbreti i mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene, si bashkëpunëtor në krim. Në qershor 1940, në Banovina të Kroacisë, u organizua gjyqi për vrasjen e Shuflajt. Vrasësit ishin agjentët e policisë Belošević dhe Zwerger, të cilët, ikën në Beograd. Të gjitha përpjekjet e mëvonshme të Banovinës së Kroacisë, për t’i ekstraduar ishin të pafrytshme.


Letërkëmbimi mes tij dhe një prej intelektualëve të shquar të kohës: Milan Shuflaj dhe Mit’hat Frashëri, ç’i shkruajnë njëri-tjetrit

Në përgjithësi epistolari i Milan Shuflajt është i varfër, sepse ashtu siç është thënë diku në këtë shkrim, atij iu shkatërrua gjithçka nga policia kur u vra. Megjithatë, ato që kanë mbetur janë letërkëmbime me personalitete të kohës si me dijetarë dhe personalitete të njohur të arsimit dhe të kulturës botërore si Jirecek, Taloc, Jovan Radoniqin; drejtorin e Institutit të Evropës Lindore, Amadeo Xhanini; ministrin e Arsimit të Shqipërisë, Adburrahman Dibën; ministrin e Arsimit të Hungarisë e më së shumti me Mit’hat Frashërin (Lumo Skëndon) në Shqipëri.

Në këtë rast do të veçonim letërkëmbimet në Shqipëri, veçanërisht ato me Mit’hat Frashërin. Letrat janë shkruar latinisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, hungarisht dhe kroatisht. Objekti i tyre është puna këmbëngulëse e Shuflajt në hulumtimin, vjeljen dhe sistemimin e korpusit të madh të burimeve relevante për të rrumbullakuar botimin e “Acte Albaniae”, si dhe përballja me pengesat e mëdha të qëndrimit në Shqipëri dhe të hulumtimeve në Itali.

Me interes është letërkëmbimi me Lumo Skendon, bibliofilin tonë të rrallë që ndiqte me lakmi botimet e autorëve të huaj për historinë dhe kulturën shqiptare. Në librarinë e tij të njohur mund të gjeje titujt e rinj në gjuhë të ndryshme, pa harruar ato të Shuflajt, me të cilin po për këtë shkak ai kish lidhur miqësi.

Në letrën e tij të parë të 30 qershorit 1929, ai donte të mësonte nga albanologu i njohur se a do të vazhdonte nxjerrjen e “Acte Albaniae” dhe sa vëllime do të ngërthente ky botim. Shuflaj iu përgjigj menjëherë duke shkoqitur në pika të përgjithshme projektin e 4 vëllimeve vijuese te “Acte Albaniae”, që do të përfshinin burimet e vjela në arkivat e Venecies, Vatikanit dhe Dubrovnikut dhe do të zinin fill në vitin 1451 të pushtimit aragono-napolitan të Krujës, për t’u shtrirë më 1571-in. Në vëllimin III do të botohej “in extenso” dhe Kadastri i njohur dhe shumë voluminoz i Shkodrës, i vitit 1416, së bashku me kopjet e dokumenteve nga arkivi i Barcelonës dhe Milanos, që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me sulltan Muhametin II, të cilat, Shuflaj ia kishte huazuar Radoniqit, por që nuk i pa kurrë me sy.

Mit’hat Frashëri ia kishte bërë të njohur projektin e Shuflajt jo vetëm ministrit të Arsimit, Dibra, por edhe vetë mbretit Zog. Është kjo arsyeja që ministri i Arsimit e mirëpriti projektin kapital të albanologut dhe ballkanologut të njohur. Ai e përgëzonte shkencëtarin për kontributin e madh shkencor, e falënderonte për punën shumë të vyeshme rreth hulumtimit të mëtejshëm të dokumenteve arkivore të historisë shqiptare mesjetare dhe e bënte me dije se qeveria e tij mbretërore i kishte akorduar 75.000 franga ari për vjeljen e dokumenteve arkivore dhe botimin e tyre me katër vëllime. Përballimi i shpenzimeve në një shumë kaq të madhe nuk ishte sakrificë e vogël financiare, kur dihet se në ç’shkallë të zhvillimit ekonomik ishte Shqipëria.

Në një letër që Shuflaj i dërgonte drejtorit të Institutit të Evropës Lindore, Xaninit, i shpreh gëzim për marrjen e pasaportës për në Shqipëri, që kishte dy vjet që e kërkonte. Në atë letër ai i lutej mikut të tij t’i përvishej punës dhe të zgjidhte kopjuesit e dokumenteve në Romë, Venecie, Napoli dhe Ankonë, duke e siguruar atë se qeveria shqiptare do t’i hiqte të gjitha shpenzimet. Shuflaj mbështetej në shkresën e ministrit Abdurraman Dibra, me të cilën njoftohej për dërgimin e 3,000 franga ari në bankën zvicerane si paradhënie. Ai i tregon mikut të tij, sesi më 16 janar, ministri Dibra shtroi darkë për nder të tij në hotel “Tirana” dhe sesi kishte jetuar çaste ngazëllyese që dollia për shëndetin e tij të ngrihet në gjuhën italiane.

“Acta Albaniae”, vepra e pambaruar

Vepra e Shuflait gjendët në arkivin e Vjenës, në Arkivin tonë të Shtetit dhe në atë të Kroacisë. Por te ky i fundit jo i plotë, pasi fill pas vrasjes, në shtëpinë e tij policia bëri bastisjen e rrufeshme, përmbysi dhe zhduku pjesën më të vlefshme të materialeve që gjeti, shumica me vlera unikale. Në këtë rast humbi edhe vëllimi i tretë i veprës monumentale “Acta Albaniae” të përgatitur për shtyp. Të paktën kështu është thënë deri vonë, derisa para pak vjetësh, derisa në Arkivin Qendror të Shtetit u gjet një dosje e veçantë me 50 faqe material dhe me një pasqyrë lënde me tituj për Historinë e Shqipërisë nga viti 1400-1536, pjesë tjetër lënde ndodhet në arkivin kroat, një pjesë tjetër në Venedik, Vatikan, Napoli, Raguzë, Vjenë etj.

Studiuesi dhe albanolog i madh kroat, njohës i mirë i historisë, qe një fanar mbi ndriçimin dhe trajtimin e problemeve të ndryshme në fushën e historisë mesjetare shqiptare. Në këtë pikëpamje ai shquhet edhe si njohës i mirë i qyteteve të Shqipërisë në përgjithësi, duke filluar që nga lindja dhe zhvillimi i tyre për të vazhduar gjatë gjithë mesjetës. Në veprën e tij “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë”, që për herë të parë u botua në vitin 1924 në Vjenë, në gjuhën gjermane dhe që është përkthyer dhe botuar në shqip, trajtohen pothuajse të gjitha aspektet shoqërore, juridike, ekonomike që i karakterizuan qytetet e Shqipërisë gjatë mesjetës.

Sikur Milan Shuflaj thekson, qytetet e bregut lindor të Adriatikut ekzistojnë prej mijëra vjetësh. Shkodra gjendet pranë kështjellës, Lezha në grykën e Drinit, ndërsa Durrësi cilësohet si qytet ndërkombëtar detarësh dhe tregtarësh. Në lindje të Vlorës gjenden dy qytete të mëdha: Bylisi dhe Amantia. Ndërsa rreth dhjetë stade larg nga Vjosa gjendej Apolonia, kjo qendër e rëndësishme e qytetërimit urban.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si përfundoi origjinali në ankand?

Statuti i Drishtit