Vlerësohet maksimalisht prodhimi kinematografik kosovar.
“Vera Andrron Detin” rrëmben “Grand Prix”në “Tokyo International Film Festival”.
Vlerësimi për çmimin bëhet me dije nga stafi i filmit. “Jemi të emocionuar të njoftojmë se “Vera Dreams of the Sea” është shpërblyer me çmimin “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, 2021”, – thuhet në faqen në ”Facebook”.
Filmi me regji nga Kaltrina Krasniqi është më skenar nga Doruntia Basha, pati premierën në Festivalin e Filmit në Venecie. Në film luajnë Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.
Edicioni i 34-të i Festivali Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë u zhvillua nga 31 tetor deri më 7 nëntor.
Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga të afërmit që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.
Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe, të cilat duket se do ta fundosin atë.
Frika dhe mosbesimi do ta shtyjnë të marrë fatin e familjes në duar.
E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim, por edhe universal i një gruaje, e cila, lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme.
Në korrik të këtij viti, regjisorja Krasniqi shprehej në lidhje me këtë projekt filmik, se lufta e Verës për pronën familjare shpalos një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, për të cilat e kemi të nevojshme të mendojmë kolektivisht.