“Gratë që kanë ndryshuar botën, nuk u është dashur të tregojnë asgjë, përveç inteligjencës së tyre”.
Rita Levi Montalcini
Të gjithë njohim gra të jashtëzakonshme, që ngjallin admirim për këmbënguljen dhe përkushtimin që i karakterizon. Disa prej tyre kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për njerëzimin, duke shënuar, në shumë raste, një epokë para dhe pas në histori. Kudo dhe në çdo kohë ka gra të jashtëzakonshme, disa prej tyre dallohen për rolin vendimtar në një fushë apo ngjarje përkatëse. Ka emra të pafund, që kanë mbetur të fshehur në mjegullat e harresës, por në vijim po paraqesim 10 gratë që ndryshuan botën. Ato i bashkon angazhimi për një kauzë dhe një vendosmëri për të arritur një qëllim të lavdërueshëm. Të gjithave u është dashur jo vetëm të sfidonin veten për të arritur atë që donin, por njëherazi të përballeshin me kritika negative. Ato u bënë dëshmi e gjallë e forcës femërore. Sigurisht, që ka edhe shumë të tjera./Konica.al
Fatima El-Fihrija
Kontributi i Fatima Al-Fihriyya qe vendimtar për Marokun. Ishte vajza e një tregtari të fuqishëm, të quajtur Muhammad al-Fihri, e cila me paratë e të atit mund të kishte jetuar në komoditet deri në vdekje, por në vend të kësaj u bë pioniere: themeloi institucionin më të vjetër të arsimit të lartë në botë, në vitin 859 pas Krishtit, në Fes. Sot qendra është Universiteti i al-Qarawiyyin.
Ruth Bader Ginsburg
Gjyqtarja dhe juristja, e cila vdiq në vitin 2020, u shndërrua në simbol në luftën për të drejtat e femrave, rezistencën qytetare dhe drejtësinë sociale. Konsiderohet gjithashtu një ikonë pop. Edhe pse Ruth Bader Ginsburg vinte nga një familje modeste, ajo ia doli të shkëlqente, duke u bërë anëtare e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara.
Maja Anzhelu (Maya Angelou)
Me emrin e vërtetë Marguerite Annie Johnson, lindi në St. Louis, Missouri, në një periudhë të keqe për të qenë grua dhe e zezë: në 1928. U bë poete, shkrimtare, këngëtare dhe aktiviste e të drejtave civile për afrikanoamerikanët. Kultivoi zhanrin e autobiografisë, duke lënë një dëshmi prekëse të kohës së saj. Presidenti Barak Obama i dha “Medaljen Presidenciale të Lirisë” në 2010.
Sofonisba Angisola (Sofonisba Anguissola)
Sofonisba Angisola ishte piktorja që jetoi gjatë Rilindjes italiane. Ndryshe nga kolegët e saj meshkuj, asaj iu ndalua të mësonte nga mjeshtërit e mëdhenj, si të gjitha gratë e kohës së saj. Sidoqoftë, ajo arriti të profesionalizohet dhe të perfeksionohet në artin e portretit. Një artiste e jashtëzakonshme, që u hapi rrugën grave të tjera.
Suzan B. Entoni (Susan B. Anthony)
Suzan B. Entoni është një nga gratë, të cilës i detyrohemi të drejtën e votës për gratë. Gjithë jetën ia kushtoi luftës për të drejtat e grave, së bashku me Elisabeth Cady Stanton, me të cilën themeloi Shoqatën Amerikane për të Drejtat e Barabarta në 1866. Madje, ajo u arrestua pasi kishte votuar pa leje dhe u gjobit, por nuk e pagoi kurrë./Konica.al
Virxhinia Apgar (Virginia Apgar)
Një tjetër grua e jashtëzakonshme, që historia jo gjithmonë i jep drejtësinë që i takon, është Virxhinia Apgar. Doktoresha amerikane qe anestezistja e parë e vendit të saj dhe dha kontribute të mëdha në fushën e obstetrikës dhe pediatrisë. Asaj i detyrohemi testin Apgar, që përdoret për të vlerësuar shëndetin e të porsalindurit. Falë këtij instrumenti, vdekshmëria foshnjore është zvogëluar në të gjithë botën.
Xhejn Osten (Jane Austen)
Shkrimtarja britanike vdiq në moshën 41-vjeçare, sidoqoftë jeta e shkurtër qe mjaftueshëm për të prodhuar gjashtë romane emblematikë të zhanrit realist. “Krenari dhe Paragjykim” ende admirohet nga të gjithë kritikët. Veprat e saj adhurohen dhe magjepsin akademikët dhe publikun e gjerë.
Zhozefin Bekër (Josephine Baker)
Zhozefin Bekër meriton një vend në listën e grave që ndryshuan botën. Konsiderohet si e para vajzë e shfaqjeve në botë dhe ylli i parë femër në nivel ndërkombëtar. Përveç kësaj, ajo u bë spiune e nazistëve dhe luftoi gjithë jetën për barazinë e njerëzve me ngjyrë. Njihej si “Venusi me ngjyrë”.
Zhan Baret (Jeanne Baret)
Kjo grua e guximshme ishte kaq aventuriere, sa u shtir si burrë për t’iu bashkuar ekspeditës që do i binte qark globit. Në iniciativën e saj, botanisten e ndihmoi kolegu i saj, Philibert Commerçon. Sidoqoftë, ata u zbuluan dhe u dëbuan nga anija në Mauritius. Vite më vonë, arriti ta përfundonte xhiron e botës.
Klara Berton (Clara Barton)
Klara Berton ishte e njohur si “engjëlli i fushës së betejës” gjatë Luftës Civile Amerikane. Vite më vonë, do të bëhej themeluesja e Kryqit të Kuq Amerikan. Kishte një shpirt të paepur dhe e ndjente se detyra e saj ishte të shpëtonte jetë njerëzish. Në disa raste, i shpëtoi vdekjes gjatë luftës.
Këto gra të jashtëzakonshme janë shembull i këmbënguljes dhe vendosmërisë. Përkundër të gjitha pritshmërive, ato arritën të realizojnë qëllimet dhe kauzat e tyre. Pra, mbarë njerëzimi u detyrohet përpjekjeve të tyre./Konica.al