Pas një viti të kushtëzuar, panairi i librit pranë lexuesve dhe me qindra botime të reja. Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, Panairi i Librit 2021 do të vijojë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nga 17 deri më 21 nëntor.
Autorët nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do t’i kenë sërish përballë lexuesit, pas vitit të kaluar kur panairi u mbajt në platformat online.
Kalendari i aktiviteteve do t’i kushtohet librit, me seminare, diskutime dhe takime me shkrimtarë të njohur, vendas e të huaj, ku veçanërisht një hapësire do t’i kushtohet krijuesve dhe përkthyesve të rinj.
Edhe ky vit sjell larmi titujsh të rinj, të autorëve tanë dhe të huajve. Pjesëmarrja në panair nuk do të kushtëzohet me certifikatë vaksinimi, apo tampon negativ, por sipas të gjitha masave antikovid.
“Këtë vit jemi rikthyer në traditën tonë me një dëshirë të madhe për të rifilluar. Panairi i Librit të Tiranës mund të konsiderohet aktiviteti më i madh në çdo pikëpamje, jo vetëm numerike por edhe kulturore që zhvillohet në Shqipëri. Ajo që është me rëndësi është që ka qindra të rinj të një cilësie të mirë. Prurjet janë qoftë nga letërsia bashkohore shqipe, por pjesën më të madhe është vërshimi që vjen me autorë të shquar nga e gjithë bota” – thekson Petrit Ymeri.
Nobelistë e fitues çmimesh të tjera letrare botërore që kanë bërë historinë e letërsisë, autorë të traditës shqiptare dhe të rinj, prozë e poezi të përkthyera, ofrojnë nga stenda në stendë, qindra botë e jetë përmes faqeve të librave. Siç disa prej librave mund ta parashikojnë, normaliteti i ri ka shënjimet e veta.
“Ne kemi vënë detyrimin që të gjithë ekspozuesit të jenë të vaksinuar ose në raste të veçanta me tampon. Lexuesit nuk është detyrim të kenë, por dua të besoj se njerëzit e librit e kuptojnë domosdoshmërinë e vaksinimit. Të më falin ata që nuk janë në një mendje me mua’ – thotë Ymeri.
Panairi i Tiranës do të ketë ulje çmimesh për titujt nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa në përfundim çmimet për disa kategori.