MENU
klinika

Postkomunizmëm, 1990

Xhamia e Plumbit me besimtarët e rikthyer…

16.11.2021 - 14:25

      ... Tregojnë se, ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punime; çfarë dëshmonte përkushtimin e tij fetar dhe qëllimin për t’i treguar popullit, se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Për pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime, rrëfehet një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën), se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut, i cili, mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij.

Xhamia e Plumbit në Shkodër, do të rihapte dyert për besimtyarët e shumtë, më 16 nëntor 1990 – duke shënuar një ngjarje historike për komunitetin mysliman, me rikthimin e lirisë së besimit në Shqipëri. Njihet si një ndër veprat më të rëndësishme të arkitekturës në Shkodër, në periudhën e Bushatllinjëve (1773). Ky objekt madhështor, unik në Shqipëri, i stilit turko-arab, tregon për nivelin e lartë që kishte arritur lagjja “Tabake” rrëzë Kalasë, që me vënien nën kontoll nis ngritja e Bushatllinjve të Shkodrës.

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.

Ajo renditet në vendin e 37-të, para xhamisë ”Vahsiz Khan” në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë ”Jami Ul Alfar” në Sri Lanka. Në vendin e 31-të renditet Xhamia Blu në Stamboll, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare, renditet Xhamia e Madhe në Paris.

Historia e Xhamisë së Plumbit

Xhamia e Plumbit është monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës – xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë, deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë kur filluan të ndërtohen xhami të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, emër që e ruan edhe sot.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish-pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë ”Rozafat”, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.

Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.

Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën shqiptare, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.

Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773. Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftinjve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu, amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.