Dhjetëra bashki, institucione dhe agjenci nuk i janë përgjigjur me dhënie informacioni pyetjeve të drejtuara nga Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.
Në mbledhjet e djeshme, kreu i këtij Komisioni, Enkeljed Alibeaj, vuri në dukje se afërsisht gjysma e institucioneve nuk i janë përgjigjur kërkesave për informacion nga ky Komision. Alibeaj bëri me dije se të gjithë ata që nuk kanë respektuar këtë kërkesë do të ndiqen penalisht për shkelje detyre, një masë që e parashikon ligji për komisionet hetimore.
“Nëse në orën 16:00 të ditës së sotme pas kontrollit që sekretaria do të bëjë në protokollin e Kuvendit, do të rezultojë që ka ende përgjigje të paardhura, do të konsiderohet që ky detyrim ligjor ndaj Kuvendit të Republikës, nuk është përmbushur dhe duke qenë i tillë së paku të reagojmë për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj këtyre institucioneve që nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor”, tha Alibeaj.
Ajo që bie në sy është lista e institucioneve që nuk i janë përgjigjur pyetje të Komisionit Hetimor është institucioni si Këshilli Kombëtar i Territorit, ku drejtues i tij është Kryeministri Edi Rama.
Pjesë e listës janë edhe disa ministri të rëndësishme, si: Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit. Kësaj liste i bashkohet edhe Shërbimi Informativ Shtetëror që nuk iu përgjigj pyetjeve të Komisionit. Komisioni Hetimor ka arritur të marrë një përgjigje të pyetjeve drejtuar AKSHI-t për patronazhistët, pasi Agjencia e Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit u është përgjigjur pyetje drejtuar kësaj Agjencie.
AKSHI-t i është kërkuar informacion për dhënien e të dhënave personale të mbi 910 mijë qytetarëve. Po ashtu, është përgjigjur pyetje edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për pyetjet që lidheshin me ndryshimin e vendbanimit të qytetarëve nga 1 janari i 2020 deri në 30 prill 2021.
Përgjigje janë kthyer edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila u pyet për numrat e tenderëve, fituesit, periudhat se kur janë bërë dhe fondi limit sa është prokuruar apo dhënë me koncesion, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës, tek e cila Komisioni kërkon të dijë se sa është numri i legalizimeve dhe certifikatave të dhëna 1 vit e gjysmë para zgjedhjeve. Po ashtu, përgjigje kanë kthyer SPAK-u, Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit që ka kthyer përgjigje duke e klasifikuar si sekret që do të diskutohet në Komision.
DEBATI
Në mbledhjen, e cila zgjati mbi tre orë, pati edhe debate të forta, ku anëtarët e maxhorancës u përplasën me opozitën, kryesisht për procedurë. Dy herë kryetari Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetari Toni Gogu patën debate për dhënien e fjalës, e cila u shoqërua me një diskutim me dy folës dhe ndezje-fikje mikrofoni.
Anëtarët demokratë kundërshtuan propozimin e PS-së që kërkesat për informacion, përpos firmës së nënkryetarit të mbanin edhe firmën e sekretarit të Komisionit. Deputetët e PS-së deklaruan dhe kërkuan që PD-ja të sillte informacion në Komision mbi kërkesën e tyre për krijimin e strukturës së mbrojtjes së votës. Por, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, teksa lexoi përgjigjen u shpreh se kjo çështje nuk është subjekt i hetimit të këtij komisioni.
Nga ana e tyre deputetët socialist i përmendën ngjarjen e Elbasanit ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe Bardhi do të ishte një nga ata që do të pyeteshin për këtë çështje. Nga ana e tij, Sekretari i PD-së, drejtues politik i qarkut të Elbasanit për zgjedhjet e 25 prillit u shpreh se është gati të dëshmojë në çdo kohë për atë çfarë ndodhi në Elbasan në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Bardhi akuzoi PS-në se kishte ngritur grupe paramilitare me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar.
“Ata janë qytetarë të ndershëm, vullnetarë të PD-së dhe nuk do t’i dorëzojmë kurrë për t’u bërë ushqim për patronazhistët tuaj. Secili prej tyre ka pasur mbi shpinë gjatë katër muajve Policinë e Shtetit. Ka ardhur Policia e Shtetit dhe i ka kontrolluar me dhjetëra herë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur. PD-ja nuk ka ngritur grupe paramilitare. Grupe paramilitare kishte ngritur PS-ja me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nëse doni emra dhe informacione kur të vijë koha i themi këtu. Ajo që ne kemi ngritur është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën, përfshirë edhe presidentin aktual të SHBAsë. Sikundër secili prej atyre vullnetarëve ka qenë pikë kontakti zyrtar me drejtuesit e Policisë së Shtetit, nuk kanë vepruar si struktura ilegale të panjohura. E kam çuar kallëzim penal. Po pres të hetojë Prokuroria dhe jam i gatshëm të dal atje e të jap informacione se kush ishin trafikantët e drogës që shoqëronin nga mëngjesi në darkë Taulant Ballën dhe ekipin tuaj në Elbasan”, tha Bardhi.