Kryeministri Edi Rama foli sot gjatë prezantimit të buxhetit për sistemin shëndetësor për “bluzat e bardha” duke u shprehur se pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur me 63 për qind, dhe synohet të rriten edhe me 40 për qind brenda mandatit të tretë.
Kreu i qeverisë nuk la pa “thumbuar” qeverinë e PD-së duke u shprehur se është e paimagjinueshme se çfarë instrumentesh përdoreshin para disa vitesh, duke shtuar se nuk e imagjinon dot se çfarë do kishte ndodhur nëse pandemia do kishte sulmuar më para.
“Nuk është hera e parë që mblidhemi, mbase në kujtesën tuaj është shënuar që angazhimet e marra në këtë sallë, duke filluar nga angazhimet për pagat tuaja janë pasuar me fakte, sot qysh prej hapit të parë që kemi hedhur pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur 63 për qind. Ne nuk jemi të vetpërmbushur nga ky fakt, dhe ambicia jonë është që pagat të rriten cdo vit, me synimin për të kapur plus 40 për qind brenda mandatit të tretë.
Kur e sheh sot panoramën e ndryshimeve në shëndetësi më në vjen parasysh ajo shprehja që “e keqja harrohet shpejt” dhe “e mira nuk ka asnjëherë fund”. Kjo është në natyrën njerëzore, se nëse njeriu do ishte peng i të kqijave do ta kishte të pamundur që të aspironte për të mira të mëdha, se do ishte i pafuqishëm. Ndërkohë që aspirojmë për shumë më tepër, nuk lë vend për asnjë lloj kënaqësie sepse ka akoma jo pak boshllëqe për të mbushur.
Mos harrojmë nga jemi nisur dhe çfarë situate ka qenë kur ne morëm detyrën. Jeta juaj profesionale ka qenë në një xhungël, ku falë përpjekjeve të bluzave të bardha dhe një vetmohimi që për fat të keq askush nuk e mban parasysh kur flet për mjek dhe infermier, atëherë është shumë inkurajuese kjo që kemi bërë. Ne detyrën bëjmë, se e dëgjoj edhe këtë shpesh për punët e mira. Kur punët janë vërtet të mira, janë disa që e gjejnë këtë fjali: He mo se detyrën bërët.
Po natyrisht ne për detyrën jemi zgjedhur, jo për të bërë magji. Dallimin e bën fakti si bëjmë detyrën. Kur imagjinon që volumi i investimeve në letër për sistemin tonë shëndetësor i 25 viteve që e pararendën këtë periudhë transformimi është më i madh se volumi i kryer në këto vite, dhe kur analizon rezultatin, është e pamundur të mos brengosesh nga sa shumë kohë është humbur, sa shumë dëme janë bërë”, tha Rama.
“Kur mendon se me çfarë instrumentash mjekësorë punonit para disa vitesh, është e paimagjinueshme që në mes të Evropës, në spitalin më të rëndësishëm, mjekët hynin në sallat e operacionit si në sallat e tregimeve te paraluftës. Sot është diçka tjetër. Apo kur mendon çfarë bëhej në QSUT deri para disa vitesh, një stacion i madh trenash që vinin nga të katër anët, një zhurmë, një rrëmuje e papërballueshme për personelin. Nuk e imagjinoj dot se çfarë do kishte ndodhur këtu nëse pandemia do kishte sulmuar para se ne të kishim ngritur një infrastrukturë”, shtoi ai.