MENU
klinika

Ngjarja që tronditi Shqipërinë në vitin 1992

Dënimi i fundit me vdekje për masakrën e Libofshës/ Kush ishin dy vëllezërit që u varën në mes të Fierit!

19.11.2021 - 16:40

Dënimi i fundit me vdekje në Shqipëri është dhënë nga Gjykata më 11 qershor të vitit 1992 dhe është ekzekutuar më 25 qershor të po atij viti, në orën 02:00, në sheshin e turizmit në qendër të qytetit të Fierit.

Më 29 maj të atij viti, Fierin dhe gjithë vendin e tronditi një ngjarje kriminale e përmasave të pazakonta. Një familje e tërë në fshatin Libofshë, të pesë anëtarët e saj, përfshirë një foshnjë disamuajsh, u gjetën të masakruar me sende të forta. Lajmi i transmetuar nga mediat drithëroi gjithë opinionin, duke injektuar pasiguri për jetën apo mosbesim në strukturat e shtetit, që paguheshin e përgjigjeshin për sigurinë.

Impakti duket qe i së njëjtës peshë edhe për krerët e shtetit, që vinte i sapokonfiguruar pas fitores së zgjedhjeve nga Partia Demokratike më 22 mars 1992. Gjatë ditëve në vazhdim, opinioni nuk mësoi pothuaj asgjë për vijimin e kësaj ngjarjeje, pasi në ato kohëra, në vazhdën e eksperiencës së komunizmit, hetimi për ngjarjet kriminale mbahej larg mediave.

Kështu që lajmi i dytë i madh, që drithëroi sërish opinionin, por që edhe që i shkoi për shtat shumëkujt, ishte varja e dy autorëve të masakrës në sheshin para turizmit, në qendër të Fierit, më 25 qershor 1992, më pak se një muaj pas masakrës. Një veprim ndëshkues, që do të statistikohej i fundit në historinë moderne të Shqipërisë.

Ndërsa ajo që mbeti pa u thënë, që mbeti e tillë për 18 vjet me radhë, ishte mënyra se si u zbuluan autorët e masakrës, provat që u grumbulluan kundër tyre dhe fakti nëse ata e pranuan apo jo krimin me gojën e tyre. Të gjitha këto, për herë të parë, i zbulon një dokument “sekret” i asaj kohe, që në fakt është një “përgjithësim” për ngjarjen, që u ka shkuar të gjitha degëve të Rendit Publik në rrethe.

Një dokument, ku pas përshkrimit të ngjarjes, janë renditur edhe meritat e të metat e hetimit, me qëllim që materiali të lexohej nga uniformat blu në gjithë vendin për të shërbyer si përvojë në punën e tyre të mëtejme. Kështu, për herë të parë ky dokument zbardh veprimet e Policisë për zbulimin e krimit, mënyrën se si u shkua te dy autorët, vëllezërit Ditbardh e Josif Çuko, punën e saktë dhe meritën e pakundërshtueshme të një eksperti kriminalistik nga Vlora, si dhe zbardhjen e motivit të vrasjeve. Më poshtë, përmbajtja e dokumentit që botohet për herë të parë.

DOKUMENTI SEKRET

Fier, më 16.06.1992. Përgjithësim mbi zbulimin e autorëve të grabitjes me vrasjen e pesë personave të familjes Pupa në fshatin Libofshë të rrethit Fier. Më datën 29.05.1992, ora 06:45, në fshatin Libofshë të rrethit Fier, në banesën e tyre u gjetën të vrarë shtetasit Petrit, Zenepe, Agim, Rajmonda dhe Magdalena Pupa. Autorët e krimit kishin mundur të përkulin hekurat e dritares, hequr xhamin e superluçes dhe ishin futur në banesë. Mbasi kishin vrarë pesë personat e përmendur, kishin kontrolluar në gjithë banesën dhe kishin përvetësuar një valixhe, e cila u gjet e shqyer në periferi të fshatit.

Menjëherë u shkua në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të kryetarit të Degës së Rendit u krijua grupi operativ i përbërë nga shefi i Policisë Kriminale S. Muço, shefi i Policisë Shkencore, eksperti kriminalist K. Andoni, shefi i Seksionit për Krimet në Fshat, B. Abedini, inspektorët e Policisë Kriminale S. Dhamo e A. Shkurta, inspektorët e TO-së (Teknikës Operative) P. Ngresi dhe V. Tanuçi, si dhe punëtori i Policisë, që kishte shërbyer më parë në këtë zonë, Ll. Stase. Menjëherë u hartua plani i masave, duke ngritur dy versione. Versioni i parë: vrasjet ishin kryer për hakmarrje. Ky version u ngrit duke studiuar personalitetin e viktimave, për faktin se Agim Pupa ishte fejuar e ndarë disa herë dhe pjesëtarët e familjeve të vajzave ishin shprehur për hakmarrje.

Versioni i dytë: vrasjet ishin kryer për grabitje. Për faktin se familja Pupa dihej që kishte lekë në shuma të konsiderueshme. Për verifikimin e dy versioneve paralelisht u ndanë detyra konkrete për çdo pjesëtar të grupit operativ, u koordinua puna me degët e Ruajtjes së Rendit Lushnjë, Elbasan dhe Drejtorinë e Rendit Publik, Tiranë, për verifikimin e personave të dyshimtë në këtë vrasje.

Të gjithë pjesëtarët e grupit operativ brenda datës 29.05.1991 sollën informacion me vlerë, ku u verifikuan të gjitha linjat që të çonin në krimin e vrasjes për hakmarrje. Duke parë si më të mundshëm një denoncim… u bë ndalimi i shtetasve E.Sh. e E.V., duke bërë edhe një sërë veprimesh me TO-në (Teknikë Operative, përgjime) për sqarimin e këtij versioni.

Nga studimi i kandidatëve të dënuar në dhomat e izolimit u gjet i përshtatshëm njëri prej tyre, i cili vazhdoi përpunimin në dhomat e izolimit të E.Sh, ndërsa E.V. u fut në një dhomë me një të dënuar që kishte lidhje shoqërore dhe u përgjua pandërprerë me T.O. Krahas punës intensive në rrugë hetimore e operative, nuk u hoqën vëmendja në asnjë moment nga verifikimet e tjera. Vetëm pas katër ditësh, eksperti kriminalist i Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku, dha konkluzionin kategorik se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, në xhamin e superluçes, janë lënë nga Ditbardh Çuko, nga fshati Libofshë.

Menjëherë u organizua operacioni për kapjen e autorit, verifikimin e thirrjen e menjëhershme të të gjitha lidhjeve shoqërore e miqësore, daktiloskopimi i tyre dhe kontrolli i banesës së Ditbardh Çukos. Nga kryerja e këtyre veprimeve rezultoi se në banesën e tij u gjetën rroba me njolla gjaku dhe se përveç gjurmëve të tij, në xhamin e hequr kishte lënë shenjat e duarve edhe vëllai i Ditbardhit, Josif Çuko, 22 vjeç. Mbi këtë bazë u ndaluan si autorë dhe për kontradikta në thënie Ditbardh Çuko, 24 vjeç, Josif Çuko 22 vjeç, motra e tyre, si dhe G.K., shok i ngushtë i Ditbardhit.

Nga puna intensive e hetuesisë së rrethit, që në momentin e ndalimit, autorët Ditbardh dhe Josif Çuko pranuan se kishin kryer vrasje për motivin e grabitjes dhe hakmarrjes, pasi Agim Pupa kishte dashur motrën e tyre dhe e kishte lënë atë. Hetimi u bë i shpejtë dhe i plotë, brenda katër ditëve çështja penale iu dërgua për gjykim Gjykatës së Rrethit, e cila i dënoi dy autorët me vdekje, varje në litar.

PROCESVERBALI

Procesverbal mbi ekzekutimin e vendimit me vdekje me litar të dënuarve Ditbardh Çuko e Josif Çuko, i mbajtur sot më datën 25.06.1992 në orën 02:00, në sheshin e turizmit në qendër të qytetit Fier, në prani të skuadrës ekzekutimit, të prokurorit të rrethit K.N., mjekut ligjor B.S., dhe shefit të Policisë së rrethit A.L.

Me vendimin e Presidentit të Republikës nr.36 datë 23.6.1992 dhe vendimin e Gjykatës nr. 65 datë 11.6.1992 të dënuarit Ditbardh Çuko dhe Josif Çuko janë dënuar me vdekje, varje në litar. Në këto rrethana në zbatim të normave të rregullores Nnr. 01-46 datë 30.3.198, kapitulli 11, të dënuarit Ditbardh Çuko e Josif Çuko u çuan për ekzekutim.

Para se të ekzekutoheshin, nga ana e prokurorit të rrethit iu tha se Presidenti i Shqipërisë nuk e mori parasysh kërkesën për faljen e jetës dhe me vendimin nr. 36 datë 23.6.1992 lë në fuqi vendimin e Gjykatës Popullore. Ata para ekzekutimit të vendimit deklaruan: I dënuari Ditbardh Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”.

I dënuari Josif Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”. Pas kësaj, u bë menjëherë ekzekutimi i tyre. Të varurit në litar u kontrolluan nga ana e mjekut ligjor në prezencë të pjesëmarrësve të përmendur në procesverbal, i cili konfirmon vdekjen e të dënuarve në fjalë.