Kandidati për kryetar të PD-së Edvin Kulluri ka folur në nje interviste lidhje me përplasjet brenda kësaj force politike, dhe dy Kuvendet që parashikohen të mbahen në muajin e ardhshëm.
Kulluri tha se në rast se në Kuvendin e datës 11 Dhjetor marrin pjesë më shumë se 50% e delegatëve, atëherë Kuvendi i thirrur nga Basha e humb legjitimitetin e tij për t’u mbledhur.
“Nëse do të mblidhen më shumë se 50% e delegatëve në Kuvendin e datës 11 Dhjetor, Kuvendi i datës 18 Dhjetor bie automatikisht. Të dyja mënyrat janë të parashikuara në statut për të thirrur Kuvendin, njërin e ka thirrur më shumë se 1/4 e anëtarësisë dhe tjetrin e ka thirrur kryetari i Partisë.
Ky Kuvend i datës 11 Dhjetor synon rishikimin e statutit, që mbase kanë të bëjnë dhe me shkarkimin e kreut të PD, nuk flas dot në emër të atyre që e kanë mbledhur këtë Kuvend. Duhet të vendoset një raport i ri me kryetarin e partisë, për qëndrimin apo jo në detyrë. Fatkeqësisht këshilli dhe kryesia janë të emëruara në parti.
Ne nuk i njohim si legjitime këto dy organe drejtuese.
Kryesia nuk është legjitime, është një proces tërësisht i falsifikuar, nga kjo pikëpamje është ilegjitime thirrja për Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Do të shohim se cila do të jetë fryma, demokracia nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e statutit.
Zoti Basha duhet të jepte dorëheqjen, nëse në këtë Kuvend që sipas tij është antiamerikan, shkon pjesa më e madhe e Kuvendit.
Zoti Basha është në një gjendje të vështirë psikologjike, është e tepërt ta komentosh, është e turpshme që të quash kriminel apo antiamerikan ish-kryetarin e partisë dhe bashkëpunëtorët e tu. Të vjen ndot që ta komentosh këtë”, u shpreh Kulluri.
Ai foli dhe në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri, që sipas tij do të jetë guri i themelit për rikthimin e PD-së si një alternativë qeverisëse.
“PD nuk mund të jetë vetëm kryetari, nëse nuk ka dhe këtë herë zgjedhje të ndershme, kjo do të ishte fundi i kësaj force politike. Është një rrezik për ekzistencën e PD, kur themi ekzistencë duam të themi që të bëjë rotacionin në zgjedhjet e vitit 2025. Ky Kuvend është realisht guri i themelit për një fillim të ri, që të jetë i matshëm dhe me rezultate të qarta”, tha më tej Kulluri.
Kulluri tha se me zgjedhjen e një kryetari të ri, PD duhet të nisë nga puna për të kthyer të gjithë personalitetet e larguar nga Basha, përfshirë Topallin apo Patozin.