E mërkura ka shënuar një rritje rastesh nga Covid-19 në shtrime, infektime dhe vdekje, ndërkohë që ekspertët kanë deklaruar që në vend tashmë kemi dhe raste të gripit AH1N1.
Vendi është përballë një dimri që favorizon më shumë viruset por edhe përballë shifrave shumë të ulëta të vaksinimeve dhe shkallës së lartë të mos respektimit të masave, ku të paktë janë ata që vendosin maska dhe ruajnë distancën sociale. Të rrethuar nga shumë faktorë që favorizojnë virusin për t’u përhapur dhe rigjallëruar, epidemiologu Ilir Alimehmeti shpjegon për Gazetasi.al se tashmë qytetarët e kanë një zgjidhje dhe ajo është vaksina.
“Covid-19 tashmë është një sëmundje e evitueshme. Po vdesin njerëz që nuk janë të vaksinuar dhe nuk e kanë kaluar virusin. Personat pa asnjë nga këto mbrojtje kanë të njëjtat gjasa si vitin e kaluar për të ndjekur apo për t’u shtruar në terapi intensive,” shpjegon Alimehmeti për gazetën SI.
Mjeku epidemiolog shton se në këtë fazë epidemiologjike që jemi kemi një zgjidhje. Deri më tani pandemia e Covid-19 ka ndryshuar jetën e gjithsecilit dhe pas gati dy viteve pandemi të gjithë kërkojnë fundin e pandemisë.
“Rastet e rënda janë të evitueshme. Nëse do të kishim 12 vdekje tek të pa vaksinuarit, 11 prej tyre mund të ishin evituar. Nëse kemi 25 në terapi intensive do të kishim pasur 2, ky është efekti i vaksinës,” shtoi Alimehmeti.
Ndërkaq nga ana tjetër eksperti shpjegon se për se rritja e infektimeve ka ardhur si pasojë e grumbullimeve. Si popullatë ne nuk jemi në situatën ku mund të bëjmë aktivitete me dhjetëra mijëra vetë, siç ndodhi me stadiumet. Rastet i kishim në ulje deri në kohën e grumbullimeve. Në datën 13 shtator hapëm shkollat, nga gjysma e shtatorit deri në gjysmën e tetorit shirat ishin në rënie, pra shkollat nuk luajtën rol.
Me 12 tetor kishim ndeshjen dhe direkt kjo ulje u ndal dhe filloi rritja. Dy javë më pas me 27 kishte numrin maksimal të rasteve dhe pas dy javëve kishte 11 vdekje. Është e lidhur epidemiologjikisht shumë qartë me stadiumin. Edhe universitetet u toleruan mirë, sepse janë deri tek 100 veta nëpër klasa, kështu që duket se ne kemi kapacitet imuniteti kolektiv deri këtu, për 100 veta ku shumica janë imunizuar, por nuk e kemi për dhjetëra mijëra, si popullatë,” shtoi Alimehmeti.
Mjeku Alimehmeti shpjegon se duhet ndjekur edhe një linjë tjetër mbrojtëse për personat që nuk mund të bëjnë vaksinës. Të sigurohen trajtimet jetë shpëtuese.
“Duhet të sigurojmë një linjë të dytë mbrojtëse dhe të shtojmë trajtimet si antitrupat monoklonalë, molnupiravir dhe pilula anti-covid e Pfizer, që janë vërtetuar të duken shumë efektive”, shton Alimehmeti.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar rreth 41.6% e popullatës target. Ndërkohë që prej dy javësh në ka nisur aplikimi i dozës së tretë, si një nxitje për të rritur imunitetin tek personat me probleme imunitare dhe ata që kanë kaluar gjashtë muaj nga aplikimi i dozës së dytë të vaksinës.