Nis testi i drogës për punonjësit e Policisë së Shtetit. Ditën e sotme, 20 oficerë të drejtorisë së Policisë së Elbasanit janë dërguar për të kryer testin e drogës, nëse janë përdorues të saj apo kanë konsumuar më herët lëndë narkotike.
Do të jetë reparti i Toksikologjisë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili do të kryejë analizat për efektivët e policisë.
Burimet i thanë gazetarit të Panorama në Elbasan se ky proces sapo ka nisur dhe do të vijojë me të gjithë punonjësit e drejtorisë së Policisë së Elbasanit.
Pjesë e testit të drogës nga Policia e Elbasanit do të jenë rangjet më të larta, nga zyrtarët që mbajnë funksionet më të rëndësishme deri tek punonjësi më i thjeshtë i kësaj drejtorie.
Vlen të përmendet se procesi i testimit të punonjësve të policisë për drogë vjen pas emërimit të Gledis Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.