Padyshim që vrasja e 8-vjeçarit Mateo, nga fqinji i tij Klodian Çalamani ka tronditur opinionin publik shqiptar. Fill pas vrasjes monstruoze, familjarët e djalit, por jo vetëm, kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje në vend.
Mirëpo, një gjë e tillë ëhtë absurditet për ish-prokurorin Shkëlqim Hajdari, i cili tha, se nëse do të rikthehej ky dënim, Shqipëria do të detyrohej të largohej nga shumë institucione e Konventa Evropiane. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, ai tha se institucionet duhet të jenë më bashkëpunuese, shoqëria civile dhe kleri fetar po ashtu, në mënyrë që këto ngjarje të parandalohen.
Sipas Hajdarit, do të ishte e udhës që të ketë ndryshime në kodin penal, e të implementohen dënime me burgim të përjetshëm për këto krime. Gjithashtu, rehabilitimi dhe izolimi i këtyre njerëzve do të ishte çelësi i parandalimit të këtyre akteve monstruoze.
“E fundit që ka ndodhur ka qenë në vitin 1995. Në vitin 2000 ne kemi nënshkruar protokollin e gjashtë të të drejtave të njeriut dhe po në atë vit kemi hequr dënimin me vdekje. Duke vazhduar integrimin e vendit, e në vitin 2007 në prill të këtij viti ne e kemi hequr dënimin me vdekje për çdo krim penal. Dënimi me vdekje është zëvendësuar me burgim të përjetshëm. Sot është diskutim i vazhdueshëm për dënimin me vdekje e të gjithë bien dakord që janë kushte të tjera që duhet të zbatojë një shtet para se të aplikojë dënimin me vdekje. Nuk është se ka rezultat të madh në parandalimin e krimeve të rënda. Shqipëria ka 26 vite që nuk e respekton dënimin me vdekje, por nisur nga ngjarja e fundit si ajo e Fierit, tregon që Shqipëria ka dështuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe ky dështim fillon që nga shteti, shoqëria, shoqëria civile.
Ne duhet të kishim krijuar një institucion që nëse një minoren kryen krime të vendosen në shkolla rehabilitimi. Ne nuk kemi një institucion që minorenët që kryejnë krimet të kenë një institucion të posaçëm dhe veçse të kemi qëllim dënimin, të rehabilitojmë ato. Ne sot duhet ta themi me forcë se nuk kemi një institucion bashkëkohor, për të mbajtur ato persona që kryejnë vepra penale dhe janë të papërgjegjshëm mendërisht. E gjitha bota këto njerëz i mban në institucione mjekësore dhe i mbyll gjithë jetës brenda duke i mjekuar, rehabilituar. Kjo është sfidë e madhe. Nisur nga situata e rëndë që ka ndodhur kohën e fundit, ne duhet të bëjmë disa ndryshime në kod penal, jo për të kthyer dënimin me vdekje. Kush kryen krim te minorenët, te dëshmitari, te gratë, atit të mos i pranohet dënimi i shkurtuar dhe ai të vdesë në burg. Këtë Shqipëria e bën. Të kthehemi te dënimi me vdekje do të jetë një absurditet, sepse do të dalim nga shumë konventa, nga shumë institucione. Njeriu kur e di mirë që do të dënohet për këtë krim me dënim të përjetshëm dhe të mos aplikohet dënimi me kusht, kjo është rruga që duhet të bëjmë”, tha Hajdari.
Për ish-prokuorirn, puna e shkollave, psikologëve, policëve, është primare për parandalimin e këtyre sitatave. Bashkëpunimi i këtyre komponentëve sipas tij, do të sillte rezultate në identifikimin dhe izolimin e këtyre personave.
“Krime të tilla monstruoze ndodhin kudo. Besoj që këto ngjarje do e zgjojnë shoqërinë shqiptare që t’i luftojmë këto krime. Mos kujtoni që dënimi i përjetshëm nuk është dënim. Por ka një gjë. Ne kur ta bëjmë këtë gjë duhet të jemi të qartë, duhet të bindim çdo shqiptar që po bëtë krime të tilla do të vdisni në burg. Ne mundet të gjejmë edhe një modul tjetër që këto krime të rënda t’ia çojmë një prokurorie të posaçme. Mund ta gjejmë një mekanizëm që kush vret fëmijë, gra, duhet të shkojë në dënim të përjetshëm. Jam i bindur që shumë shpejt, duke funksionuar kleri, shoqëria civile, të gjitha këto, kam përshtypjen se Shqipëria do të ndahet nga këto krime të rënda. Një kategori janë të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë shumë mirë nga trutë e kokës. Një pjesë një tjetër janë të papërgjegjshëm, e të tjerë janë pedofilë.
Këto duhet identifikuar dhe parandalimi i tyre është nëpërmjet izolimit. Një punë e mirë e koordinuar do i nxjerrë në dritë ato. Ku do çojmë një njeri që është pedofil? Ai është i prirur të bëj pedofil, por nuk e ka kryer krimit. Ne këtë duhet ta izolojmë dhe rehabilitojmë. Nëse ne ngrihemi të gjithë, e do të ngrihemi. Ne këtu do të ndërtojmë punë agjenturore, derisa këtyre personave t’i gjejmë një provë e më pas e penalizojmë. Kështu duhet operuar. Vigjilenca dhe puna e të gjithëve është një masë shumë e fortë parandalimi shoqëruar me ndryshime në kodin penal se kush kryen krime të këtij lloji do të dënohet me burgim të përjetshëm. Shqipëria për të fuqizuar institucionet me psikologë, sociologë, mësues, për të rehabilituar këto persona nuk do të kushtojnë shumë. Kleri duhet të bashkëpunojë”, tha Hajdari.