Një mjeke gjinekologe nga spitali Rajonal i Beratit është proceduar penalisht për shpërdorim të detyrës, ndërsa një shtetase u procedua pasi i ofroi para kësaj të fundit për të kryer një operacion për të afërmen e saj!
Pas një hetimi pesë mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit u bë e mundur dokumentimi i provave ligjore të përfitimit të vlerave monetare nga ana e mjekes me inicialet E.Sh., gjinekologe në spitalin Rajonal të Beratit.
Nga hetimit rezultoi se kjo mjeke gjatë kryerjes së vizitave dhe operacioneve të lindjes, merrte vlera monetare nga familjarët e shtetaseve që i nënshtroheshin operacionit për të kryer lindjen.
Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasja M.G, e cila i ofroi një shumë parash mjekes për të kryer operacionin për kunatën me qëllim lindjen e fëmijës.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumetimin e plotë ligjor.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.