MENU
klinika

Mbi rishikimin e historisë

Udhëhoqi Shqipërinë për 45 vjet… Kush ishte Enver Hoxha?

02.12.2021 - 12:31

        Konferenca “Demistifikimi i historisë dhe e ardhmja”, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në kuadër të mbylljes së muaji aktivitetesh kushtuar 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mblodhi historianë dhe studiues.

“Figura e Enver Hoxhës, nuk mund të shihet vetëm zi. Duhet kapërcyer vështrimi i të parit bardhezi të disa figurave, apo ngjarjeve historike përfshirë dhe Enver Hoxhën. Duhet thënë për atë që bëri e atë që nuk bëri. Ai udhëhoqi Shqipërinë për 45 vjet, me të mirat dhe të këqijat”, – kështu ka deklaruar historiania, Nevila Nika. 

Sipas saj, shumë figura e personazhe historike në kohë të ndryshme kanë pasur vështrime të ndryshme në librat e historisë, përfshirë këtu dhe Ismail Qemalin, që deri në vitin 1962 ishte pothuajse shumë pak i përfshirë në librat e historisë, e njëjta gjë për Hasan Prishtinën.

Në këtë diskutim, ku ishte e pranishme dhe drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, merrnin pjesë historianët: Pëllumb Xhufi, Nevila Nika, Artan P. Hoxha, Ardit Bido dhe Dorian Koçi, që sollën qasjen e tyre ndaj një procesi të natyrshëm në historinë e kombeve në raport me rishikimin e historisë.

Pëllumb Xhufi u shpreh se historia e Shqipërisë është e mbushur me boshllëqe. Historiania Nevila Nika, ndër të tjera u shpreh demistifikimi i historisë ka nisur. “Jemi munduar gjithë historianët, ata që kanë marrë mundin për të rrëfyer të vërtetat tona. Historia është diçka që duhet transmetuar. Ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, si për ngjarje, si për figura të historisë sonë”, u shpreh Nika gjatë këtij takimi.

Në fjalën e saj, historiania Nevila Nika vijoi më tej se një historiani i duhet të jetë pa ndërprerje pranë arkivave.

“Pranë atyre burimeve ku mund të marrë gjithçka për të shkruar. Për historianen Nevila Nika, historia ka zhvillimet e veta.  “Pasurohet në dokumentacion” – vijoi Nika.

I pranishëm në këtë takim, Ardit Bido drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, tha mes të tjerash, se rishkrimi i historisë ka marrë një konotacion negativ.

“Rishkrimi i historisë konsiderohet sikur do të hidhen gjithë tezat e tanishme dhe do ndryshohet gjithçka. Por, kjo është thjesht një punë e përgjithshme e historianit. Rishkrimi, ka marrë një konotacion negativ në diskutimin publik”, tha ai.