“Anja” një roman i ribotuar dy here, së dyti nga shtëpia botuese “Toena”, ka në vetvete një sukses, ndaj dhe ka fituar çmime (në qytetin e Lezhës vlerësuar me çmim e karierës “At Gjergj Fishta”) dhe ka hyrë në dhjetëshen e krijimtarisë më të mire për çmimin kombëtar nga Ministria e Kulturës në gjininë e prozës për vitin 2020. Shkrime e artikuj të ndryshëm e kanë përcjellë jehonën e vlerave të këtij romani nga pena të ndryshme me shumë autoritet në fushën e letrave shqipe. Sigmund Freud tek libri i tij “Psikanaliza e artit dhe letërsisë”, kur e pyetën se kush janë dhjetë librat më të mirë, sipas tij, ai u përgjegj, – Ju më keni lënë, jo vetëm t’i zgjedh librat, por edhe të bëj interpretimin e kërkesës tuaj enigmatike, – e vazhdon më tej, – ju nuk thatë “Dhjetë veprat më të bukura” ose “Dhjetë librat më domethënës” e më pas “Dhjetë librat më të preferuar”, – më tej vazhdon Freud, – mendoj pra, se në frazën tuaj, ju e keni nënvizuar veçanërisht fjalën “të mirë” duke dashur të kallzoni ato libra që janë për lexuesin në të njëjtin nivel si “miqtë e mirë”, ato vepra që ka qenë të këndshme t’i lexosh dhe që u këshillohen me dëshirë të tjerëve,…..Këtë mendoja, se po bëj edhe unë me këtë shkrim.
“Anja”, një roman i shkruar me mjeshtëri artistike nga Ahmet Prençi besoj, se për këto vlera është përzgjedhur nga juri të ndryshme të cilat kanë kompetencën e duhur të vlerësimit. “Anja” si një roman, i cili në të vërtetë ka kaluar si një paradë të gjitha rrymat letrare, është një roman, sa i stilit formalist, aq edhe natyralist gjithashtu dhe klasik, po aq edhe ekzistencialist si dhe realist. Peizazhe natyre që lidhin formimin psikologjik të personazhit e përcaktojnë natyrën e brishtë dhe të ndjeshme të personazhit kryesor, Antonit, i cili ka edhe statusin e një njeriu që e sodit artin dhe natyrën e tij si një shijues i vëmendshëm i jetës. Antoni ka zgjedhur një jetë të lirë dhe mishëron arsyen që jetës t’i shërbejë me ndershmëri në të gjith aspektin e gjerë të kësaj fjale. Falë aftësive të tij profesionale dhe emocioneve të brendshme mbart me vete njeriun që ka arritur diçka në jetë falë punës. Ky personazh i ri në letërsinë shqiptare i dhënë si një kontrast me jetën e përditshme në Shqipëri, nga shkrimtari Ahmet Premçi, është shpërfaqur me të gjithë dimensionin human të një intelektuali shqiptar, i cili krahas punës ka edhe jetën e tij intime dhe emocionale plot larmishmëri. Antoni mbas pune lexon, shkruan poezi dashuron, është një personazh i viteve të tranzicionit shqiptar i cili është si në një oaz të qetë, ku shumë pak njerëz i ka përkëdhelur fati të jenë larg streseve e ngjarjeve tejet të skajshme që ndodhin kudo në Shqipëri. Mjeshtri hermetike e shkrimtarit Ahmet Premçi, i cili na ka skicuar një personazh të tillë me nota romantike dhe realiste larg bombardimit të medias me ngjarje e skupe makabre. Në këtë rast themi hermetic, lavdëruese për shkrimtarin, sepse siç dihet ky term përdoret enkas për një elitë, për njerëz të zgjedhur, shkurt për t’i evindentuar ata nga një ekspozim vulgar. Ahmeti mund të kishte zgjedhur tjetër linjë dhe personazhin në tjetër peizazh urban, por ai e donte ose e dëshiron të tillë, sepse edhe në këtë jetë kaq intensive e me shumë probleme social-politike njeriu duhet mos i shmanget jetës së vërtetë dhe kuptimit të saj human. Janë domethënëse dialogjet me shokët e ngushtë të personazhit Anton. Ato vijnë si një rrëke e më pas bëhen vërshime filozofike me pyetje e përgjigje për jetën, jetën në kuptimin më intim të fjalës, ku personazhi i mashkullit shqiptar transformohet çdo ditë si e gjithë shoqëria me të mirat dhe të këqijat e saj. Antoni ka ecur në jetë vetë dhe nëpër rrugën e saj ka kalvarin e kujtimeve të cilat nuk e mbajnë peng, por atij i duhen ca piketa orientuese si gjithkush që ka dëshirë të dijë se nga vjen e ku shkon. Antoni ka epikën e vet në jetë dhe analiza e tij kërkon disa sprova psikoanalize, sepse ndërsa ai ka mësuar për “Kanunin” nga historia e të parëve të tij kur ishte fare i ri, sot në moshë madhore e analizon, aq sa për ekzotikën e tij, po aq edhe për disa elemente pozitive. Antonin personazh dhe fenomenin e “Kanunit” e kemi në përditshmërinë tonë si një fenomen që falë Ahmet Prençit, i cili me një vëshrim interesant ka ditur ta interpretojë statusin filozofik dhe psikologjik të personazhit. Shkrimtari ka dhe detyrimin qytetar të na e shpjegojë me shumë dije fenomenin nëpërmjet deduksionit duke e vënë në rrëfimin e personazhit. Në teorinë e personazhit thuhet shpesh, se ne e prekim realisht personazhin në përditshmërinë tonë, por nuk e kemi forcën dhe imagjinatën për ta hedhur në letër, siç bën shkrimtari me mjetet stilistike të gjuhës, sepse siç shprehet teoricenia e psikonarracionit, zonja Cohn, e cila e përcakton atë si të ngjashëm me psikoanalizën. Psikonarracioni mundëson, jo vetëm artikulimin verbal të brendshëm të personazhit, por edhe transmetimin e vizioneve dhe ëndrrave dhe pjesëve më të errëta të botës mendore të personazhit. Cohn mbasi ka bërë një udhëtim në zhvillimin historik të psikorrëfimit si teknikë letrare më e hershme, që me kohë ka pësuar ndryshime, sipas saj në shekullin e nëntëmbëdhjetë ka dominuar teknika e rrëfimit në vetën e tretë ku karakteri i personazheve përshkruhej nga veprimet e jashtme të personazheve dhe eventualisht nga fjalët që i shqiptonin ata në dialog, ndërsa analizat personale rëndom shfaqeshin në vetën e parë, por me zhvillimin e romanit modern u shtua interesimi për psikologjinë e individit dhe rrëfyesi i dukshëm filloi të tërhiqet në prapaskenë. Edhe Ahmet Premçi i përket frymës së romanit modern dhe rri në prapaskenë duke u marrë me psikologjinë e personazheve. Lloji rrëfyesit të cilin e ka zgjedhur shkrimtari është e rrëfyesit “homodiegjetik’’, domethënë që personazhi merr rolin e rrëfyesit sipas terminologjisë së Genette-it 1972. – Shkrimtari duhet të jetë si zoti në krijimn e tij të padukshëm, por i gjithëfuqishëm, duhet ta ndjejmë kudo, por mos ta shohim, – thotë Flober në letrat që ia shkruan Gerges Sand-it. Kësaj ia ka arritur A. Premçi. Tablo të natyrës urbane i veshin romanit nëpërmjet rrjedhës së lumit metaforën e rrjedhës së jetës së personazheve, kudo që lëviz Antoni ka ujdhesa e lumenj, e ka modeluar kështu shkrimtari këtë personazh urban me një jetë tejet qytetare dhe shumë ngjarje kanë zanafillë kryeqytetin e djeshëm dhe të sotëm, siç ka edhe epikën e një qyteti tjetër të vjetër me shumë histori në kontrast me shumë qytete pa identitet, ose që po e humbasin atë. Kështu si me qytetet po ndodh edhe me njerëzit e dilemat e personazhit kryesor, Antonit, për dashurinë, martesën dhe shoqërinë janë kryefjala e përditshmërisë së tij. Ka në koshiencën e këtij personazhi shumë elemente të botës reale që e lënë grishën e pasngjarjeve tek lexuesi si një pyetje dialoguese, nëse kishte alternativa të tjera Antoni? Po në ngjarjet e tjera të personazheve dytësore, a do kishte më shumë sinqeritet mes çiftit që pëson një fat tragjik? Përse Anja, personazhi kryesor, është futur në mesin e romanit? Anja në simbiozë me vendin e të parëve të saj si vajzë që vjen nga Parisi, e çlirët nga paragjykimet e njerëzve, e dashuron këtë qytet dhe spontanisht siç janë dashuritë e mëdha njihet me burrin shqiptar më të madh në moshë dhe kohështrirja e kësaj dashurie ngjan si në Epet e pritjeve të gjata të Homerit për Odisenë, veç me një ndryshim tash nuk pret Penelopa Odisenë nga udhëtimi, por Antoni pret Anjën si kurrë ndonjëherë në dashuritë shqiptare. Anja ka dimension tjetër për jetën dhe e kërkon sublimen në artin e të dashuruarit si tek ‘’Edukimi i Ndjenjave” të Floberit. Aq shumë e do Antonin, sa pranon të rrisë fëmijën e vetme, sepse ajo kishte ruajtur kujtimin e një ndjenje të përsosur e farëzimi i jetës ishte çështje privilegji për mëmësinë e një gruaje. Ahmet Premçi e prek me shumë intuitë dhe kurajo temën e mëmësisë dhe të filtiritetit. Ai me mjeshtëri thur një dialog të së zonjës së shtëpisë, Vasilikës, e cila mbasi ka mbaruar shkollën e lartë dikur kishte punar si veterinere, ndihet pa dinjitet dhe e papërfillur nga shoqëria dhe e braktisur nga fëmijët. Ndërkohë Sandri, shok i ngushtë i Antonit ndihet i nëpërkëmbur nga një ish shok tjetër i shkollës, i cili nga cmira e xhelozia dhe paaftësia e kishte transferuar në këtë qytet të largët si prokuror të thjeshtë. Sandri i sinqertë dhe shumë profesionist në punë duhej të zbulonte vrasjen e Janit ndaj gruas së tij Margarita që aq shumë e kishte dashur, sa nuk kishte lënë vend të botës për t’u kuruar për të lindur edhe ajo një fëmij si frut i dashurisë së tyre. Por edhe vetë Sandri kishte edhe ai një histori me të shoqen për sakrificat që kish hequr për të pasur një fëmijë. Kështu, romani merr një rrjedhë tjetër në fuksion të temës qëndrore “Dashuritë e mëdha e sublime kanë një humbës dhe një fitues”. Ka në këtë roman kundërvënie situatash e personazhesh për të dalë nëpërmjet tyre në qendër të idesë së veprës. Jeta dashurore, martesa, fëmijët, fundja përse dashurojmë? Antonit i duhet të përballojë një gjendje tjetër emocionale, të përballet me realitete të reja. Sapo ka marrë një letër pas njëzet vjetësh nga Franca. “Mendoj, pra jam. Parimi bazë i filozofisë së Dekartit”, rri si çekiç mbi kokën e Antonit. Anja e ka surprizuar me këtë lajm. Fëmija është rritur e ka ngjashmëri natyrore me të atin. E pyesnin shokët e shkollës qysh në fëmijëri për babanë e tash ai i rritur me idenë e një babai shqiptar lexon e shikon çdo gjë për Shqipërinë. Antoni e kishte menduar veten të fundmit të Hilajve, i cili nuk do martohej kurrë. Këto kulme emocionale të romanit kanë prurë risi në rrëfimtarinë e letërsisë shqiptare nga ana e shkrimtarit A. Prençi, gjthashtu në botën e mashkullit shqiptar projektohet një brez tjetër me mendësi për jetën dhe rolin e individit. Rrëfim pas rrëfimi, rrëfimi i njeriut që e përcolli lajmin e fëmijës së Antonit e ka një tis misteri që narratori ka ditur ta mbajë me gjuhë neutrale duke e vënë si dëshmitar i një historie që lidhi dy njerëz të kulturuar e leximtarë të palodhur librash, e admirues të pashërueshëm të natyrës e me dashuri të pakufijshme për jetën. Forma romantike e jetës ia kishte lënë rradhën ekzistenciales, çdo bënte Antoni me djalin, po me Anjën? Po ashtu dhe i biri, ku pritja për të takuar babanë sapo kish filluar ta lodhte, por siç thonë, shpresa vdes e fundit. Dramat njerëzore kanë enigmat e tyre. Portretet e personazheve si në këtë libër kanë të përbashkëtat e tyre dhe diferencat, ato vijnë nga një jetë mirëfilli urbane e për më tepër të gjithë me shkollim të lartë, çarku i jetës i ka zënë me situata të ndryshme të thurura me shumë mjeshtëri dhe inteligjencë nga shkrimtari mes një hermeneutike(leximi deri në faqen e fundit) tek i cili fati ka përkëdhelur lexuesin për ta zbuluar fundin e këtij romani.
“Multi sunt vocanti pauci vero electi, – shumë janë thirrur, por pak janë zgjedhur”. E zgjodha këtë shprehje latine për të theksuar edhe njëherë, se jo më kot romani “Anja” është përzgjedhur në dhjetë më të mirërt e panairit të librit për vitin 2021.
Nga Kastriot Kotoni
“Anja” e shkrimtarit Ahmet Prençi
04.12.2021 - 19:13