MENU
klinika

Pushteti: Shekspiri bashkohor

MAKBETHI vjen në një vilë diktatori…

12.12.2021 - 10:40

         Ngjitet si premierë ”Makbeth” e Shekspirit, e aktualizuar, nën regjinë e Enton Kacës në Tiranë.

Vendi ku zhvillohen ngjarjet është pikërisht vila e ish-diktatorit, Enver Hoxha. Vepra do të vijojë më 11, 12, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor, ora:19:00.

Në premierën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivigli” teksti godet pushtete. Prodhim i TKE, kjo shfaqje ngjitet në skenën enkas të përshtatur, si rishikim regjisorial bashkohor – dimensioni tragjedia shekspiriane përcillet përmes aktualizimit dhe shkrirjes me elemente shqiptare – kjo njëfarë rezonance me kohën e sotme.

E rindërtuar nga ana dramaturgjike, duke ardhur në kohë, drama është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore; specifikisht, hapësira e mundshme dhe më e përshtatshme të ishte Vila 31, ish- rezidenca e diktatorit Hoxha. Regjisori Enton Kaca, lidhur me përzgjedhjen u shpreh për mediet, se nuk e kishte menduar si vendi final për shfaqjen, por nuk kishte gjetur hapësirë më të mirë, që të kishte kushtet minimale.

“Godina, nga ana arkitektonike ishte hapësirë e përshtatshme” – theksoi ai, mes të tjerave. Regjisori vijoi më tej, se “Makbeth” është aktualizuar. “Me shumë guxim, kam marrë një tekst, u mundova ta riaktualizoj në mjedisin ku sot jetojmë, t’i jap pak trajtë politike edhe duke e përshtatur si tekst, për të aktualizuar fenomene që na shqetësojnë mbi pushtetet që kanë sunduar në vendin tonë”, tha ai.

Shfaqja dhe aktorët

Për rreth 1 orë e 25 min, dy aktorët protagonistë, bashkarisht me 4 aktorë ndihmës sjellin një strukturë të re të dramës, ngjarjes, procesit kërkimor e filozofisë që përçon ideja kryesore e veprës klasike.

Regjia dhe dramaturgjia Ento Kaca, me në role vijnë: Alfred Trebicka -Makbeth, Loredana Gjeçi-Ledi Makbeth, për të vijuar me rolet e tjera Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.

Në rolin e Makbethit shohim Alfred Trebickën dhe sipas tij, në versionin dramaturgjik që i ka bërë regjisori Enton Kaca, i ka shtuar dozën e shpejtësisë. “Kjo lloj vënieje skenike, nuk është në formatin tradicional, është e përshtatur si aktrim gati filmik. Më pëlqen shumë dhe kjo lloj qasjeje në asketin interpretativ. Është provokuese, e ka thumbin te Makbethi, te vendi ku godet dhe koncepti regjisorial” – shprehet Trebicka, duke shtuar se kjo qasje regjisoriale është bashkohore.

Kostumografia, nga Sofi Kara dhe skenografia e Beqo Nanajt.

Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njëri ndër shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai qe komediograf, dramaturg, por edhe aktor. Tragjeditë e tij kanë hyrë në historinë e letërsisë botërore.