MENU
klinika

Dossier

Numri i bizneseve Shqipëri-Kosovë, ende i ulët

11.11.2018 - 16:12

Shkëmbimet e pamjaftueshme tregtare dhe barrierat e vazhdueshme kufitare kanë ndikuar që të mos ketë një numër të balancuar të bizneseve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Tregtia dhe turizmi janë bizneset më të shpeshta të bizneseve nga Kosova që veprojnë në Shqipëri, e njëjtë është edhe për ato shqiptare që veprojnë në Kosovë.

Bizneset nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë që nga viti 2016 është 342, ndërsa bizneset nga Kosova që veprojnë në Shqipëri për këtë periudhë janë vetëm 206.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), për vitin 2018 numri i bizneseve shqiptare të regjistruara që veprojnë në Kosovë është 40.

Janë 136 biznese nga Shqipëria që janë regjistruar gjatë vitit 2016, ndërsa gjatë vitit 2017 numri i tyre arriti në 166. Vetëm gjatë vitit 2018 janë regjistruar 40 biznese, pra në total numri i bizneseve nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë është 342 biznese nga viti 2016”, thuhet në raportin e ARBK-së.

Për sa i përket numrit të bizneseve nga Kosova të cilat veprojnë në Shqipëri është dukshëm më i ulët. Ky numër sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kalon mbi 200 biznese.

Vetëm në vitin 2018 janë regjistruar 19 biznese nga Kosova që veprojnë në Shqipëri. Në vitin 2017, pranë QKB-së janë regjistruar 104 biznese, kurse një vit më herët ky numër ishte 83. Pra, që nga viti 2016 e deri në fund të muajit shkurt 2018, janë aktive 206 biznese që veprojnë brenda Shqipërisë”, thuhet në raportin e QKB-së.

Bizneset e huaja me orgjinë italiane dhe greke përbëjnë numrin më të madh të bizneseve në Shqipëri.

Bizneset nga vendet Bashkimit Evropian përfaqësojnë 66.7 për qind të bizneseve të huaja e të përbashkëta. Bizneset me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë gjithsej 54 për qind të bizneseve të huaja”, thuhet në raportin e INSTAT të regjistrit të bizneseve.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria dominon me numrin e degëve të kompanive të huaja të regjistruara në Kosovë sipas vendit të origjinës.

Në vitin 2017 në Kosovë janë regjistruar 10 degë të kompanive të huaja në Kosovë nga 12 që ishin në vitin 2016 nga totali prej 46 përkatësisht 52 degë”, thuhet në raportin e ARBK-së.

Sa i përket kushteve të të bërit biznes, ndërmarrësit dhe prodhuesit nga Shqipëria dhe Kosova vërejnë se ka mungesë të sigurisë së shërbimeve bazë.

Qeveritë e dy vendeve shpesh kanë premtuar heqje të barrierave kufitare për tregtinë, ku që nga muaji janar i vitit 2014 kur është realizuar takimi i parë ndërmjet dy qeverive në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 43. Mirëpo, të dhënat statistikore tregojnë se nuk ka bilanc të qartë të arritjeve dhe se shkëmbimet mes dy vendeve mbeten minimale.

Raportet e fundit lidhur me tregtinë e jashtme, tregojnë një rritje të eksporteve nga të dyja vendet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm në muajin shtator, kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar eksportuan 6.3 milionë euro nga 5.8 milionë që ishte një vit më herët. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 17 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia me 11.2 për qind, Serbia me 6.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.6 për qind, nga totali prej 41.1 milionë euro.

Gjatë vitit 2017, eksportet kosovare drejtë Shqipërisë kanë qenë 60.25 milionë euro.

Krahasuar nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017, bilanci tregtar i Kosovë me Shqipërinë ka një trend rritës, por njëkohësisht dhe negativ.

Në vitin 2005, eksportet kosovare në drejtim të Shqipërisë ishin 5.78 milionë euro, ndërsa importet ishin 18.1 milionë euro, pra më një ndryshim prej 12.31 milionë euro, kurse në vitin 2017 ky ndryshim ishte 91.56 milionë euro. Kosova, bilancin më të lartë tregtar kundrejt Shqipërisë e ka pasur në vitin 2015 ku arriti në 111.64 milionë euro. /Konica.al

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë