I arrestuari për vrasjen e shokut të tij me plumb pas koke në fshatin Babicë të Vlorës, ka tentuar të arratiset nga spitali i burgut pranë QSUT-së në Tiranë.
Bledar Selmanaj, u arrestua për vrasjen e 25-vjeçarit, Xhuljano Bullari, ngjarje e ndodhur pak muaj më parë në Vlorë. Selamaj ndodhet në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin, por dy net më parë ishte transferuar në Spitalin e Burgut në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore. Pasi është dërguar në Spitalin e Burgut, ai ka dëmtuar shufrat e dritareve me hekur, duke prerë katër prej tyre. Ndërsa po kryente veprimet e fundit, ai është konstatuar nga grupi i sigurisë, të cilët kanë parandaluar arratisjen e tij. Më herët, dyshohet se Selmanaj ka tentuar dy herë t’i japë fund jetës në qelitë e burgut në Peqin. Një nga rastet kur 39-vjeçari ka tentuar t’i japë fund jetës është regjistruar më 21 shtator të këtij viti. Ndërhyrja në kohë e administratës së burgut i shpëtoi jetën.
ARRESTIMI
Bledar Selmanaj u arrestua më 25 gusht, rreth 5 ditë pas ekzekutimit të 25- vjeçarit, Xhuljano Bullari. Me anë të një operacioni të koduar “Babica”, Policia arriti të zbardhte krimin e rëndë, duke arrestuar 39- vjeçarin në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ka qenë telefoni i të vrarit, këqyrja e të cilit nga ana e hetuesve që ka çuar në identifikimin e 39- vjeçarit. Policia e Shtetit bëri me dije se autori i dyshuar i vrasjes, 39-vjeçari, Selmanaj, kishte njohje prej kohësh me viktimën.
I riu, banues në zonën e Babrrusë në rrethinat e Tiranës, u largua mbrëmjen e së premtes nga banesa e tij, duke iu thënë prindërve se do të konsumonte kafe. Atë natë, Bullari ka udhëtuar drejt Vlorës, pasi ka takuar 39-vjeçarin dhe më pas ka ndodhur vrasja brenda automjetit që drejtonte viktima.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj, kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021”, tha Policia më tej. Përveç telefonit celular, burimet thanë se identifikimi i 39-veçarit është bërë edhe pas këqyrjes së kamerave të sigurisë nga Vlora deri në afërsi të vendit të krimit, ku ka rezultuar që viktima dhe autori i dyshuar të kenë udhëtuar së bashku.
Kanë qenë dy kamera nga një lokal dhe një karburant që kanë ndihmuar në zbardhjen e autorësisë së vrasjes. Krimi i rëndë dyshohet se ndodhi për shkak të pazareve të prishur për çështje që lidhen me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Viktima dhe autori kishin njohje prej kohësh midis tyre. Gjatë hetimeve të kryera policia ka zbuluar dhe një kartelë mjekësore, që vërteton se Bleda Selmanaj, kurohet vazhdimisht për sëmundje depresive.