MENU
klinika

Çfarë na mëson Japonia?

Kultura e vetëkënaqësisë si rreziku i ardhshëm i botës

23.12.2021 - 18:43

         Për Japoninë, historia sjell të dyja anët e medaljes. E para është ajo e një kombi në rënie, me një popullsi në tkurrje dhe në plakje. E dyta, ajo e një shoqërie tërheqëse, hiperfunksionale, disi ekscentrike, ajo e një vendi të këndshëm ku shijohet sushin, apo ku mund të zbulohen nënkultura të çuditshme, por pak të njohura përreth./Konica.al

Të dyja këto anë të ekspozuara, i nxisin njerëzit ta nënvlerësojnë këtë vend. Por, është një gabim. Japonia, nuk është thjesht një vend i jashtëzakonshëm, por pararojë e zhvillimeve të ardhshme. Shumë nga sfidat me të cilat po përballet tashmë ky vend, do të prekin shumë shpejt edhe vendet e tjera, përfshirë plakjen e shpejtë të popullsisë, stanjacionin ekonomik, rrezikun e fatkeqësive natyrore, apo rrezikun për t’u bllokuar në mesin e konfliktit mes Kinës dhe Amerikës.

Fakti që Japonia u godit herët prej disave nga këto probleme, e bën atë një laborator të dobishëm për të vëzhguar efektet dhe për të gjetur mënyrën sesi duhet reaguar. Një prej shembujve është se, shoqëritë duhet të mësojnë të jetojnë me rrezikun.

Ndërsa janë në rritje ndryshimet klimatike dhe bashkë me to, edhe rreziqet natyrore, vendet duhet të jenë në gjendje të dalin nga kjo krizë. Përvoja e dhimbshme i ka shtyrë japonezët që të investojnë shumë në cilësi. Urat dhe ndërtesat janë të pajisura me mekanizma specifikë, për t’i bërë rezistente ndaj tërmeteve.

Pas një tërmeti të fortë që goditi Koben, në vitin 1995, duke lënë shumë njerëz pa ujë, qyteti ndërtoi një sistem nëntokësor për furnizimin më ujë deri në 12 ditë.

Vetë japonezët e kuptojnë se reagimi ndaj fatkeqësive natyrore është çështje e të gjithëve, jo vetëm e shtetit. Kjo mendësi ishte një plus gjatë pandemisë aktuale: mbajtja e maskave ka qenë praktikisht universale. Ndër vendet e G7-ës, Japonia ka shkallën më të ulët të vdekjeve nga covid-19, si dhe shkallën më të lartë të vaksinimit me 2 dozat.

Një tjetër mësim është se, demografia ka rëndësinë e saj. Shumica e shoqërive, një ditë do të plaken dhe tkurren, si Japonia. Deri në vitin 2050, 1 në gjashtë 6 njerëz në botë, do të jenë mbi 65 vjeç, nga vetëm 1 në 11, në vitin 2019. Popullsia e 55 vendeve, përfshirë Kinën, parashikohet të bjerë nga tani e deri në vitin 2050.

Të dhënat e fundit sugjerojnë se India do të tkurret më shpejt sesa pritej. Ashtu si ndryshimi i klimës, edhe ndryshimi demografik është i gjerë, gradual dhe duket abstrakt, derisa sa nuk është më i tillë. Dhe si ndryshimi klimatik, ai do të kërkojë një transformim, si të institucioneve, ashtu edhe të sjelljes individuale.

Qeveria japoneze u kërkon kompanive që të mbajnë stafin në punë deri në moshën 70 vjeç. Dhe shumë prej tyre janë në punë:33 për qind e 70-74 vjeçarëve aktualisht punojnë, nga 23 për qind një dekadë më parë. Ndryshimi demografik, sjell sfida të mëdha ekonomike.

Japonia është rritur ngadalë, në aspektin ekonomik, dekadat e fundit, kryesisht për shkak të tkurrjes së popullsisë. Megjithatë, nëse shihni mirëqenien e japonezëve, panorama është shumë më e mirë. Në dekadën e viteve 2010-2019, Japonia gëzonte normën e tretë më të lartë mesatare të rritjes së PBB-së për frymë në gjirin e G7-ës, vetëm pas Gjermanisë dhe Amerikës.

Japonia është një kreditore e madhe, njëherësh ekonomia e tretë më e madhe në botë, sipas kursit aktual të këmbimit. Qytetarët japonezë jetojnë më gjatë se ata të çdo vendi tjetër. Është vendi i investimeve më të mëdha për teknologjinë në planet, pioniere në teknologjinë 5G dhe një mori markash globale, nga ”Unio” te ”Nintendo”.

Ekspertiza e saj mbi robotët dhe sensorët, do t’i ndihmojë kompanitë japoneze të fitojnë para nga një gamë e gjerë teknologjish të reja industriale. Në rrafshin gjeopolitik, Japonia luan një rol kryesor midis Kinës, partneres të saj më të madhe tregtare dhe Amerikës, partneres kryesore në fushën e sigurisë.

Edhe gabimet e Japonisë, ofrojnë sërish mësime për pjesën tjetër të botës. Të jetuarit me shumë rreziqe, e bën më të vështirë përcaktimin e prioriteteve. Përballë tyre, Japonia e shkëputi vëmendjen nga ndryshimi i klimës, fatkeqësia më e madhe natyrore.

Më 2020 ajo u zotua më në fund të zerojë emetimet e karbonit deri në vitin 2050, por sesi do ta arrijë këtë mbetet e paqartë. Politikanët i lidhin shpresat me rifillimin e punës së centraleve bërthamore, që u nxorën jashtë funksionit, pas incidentit në Fukushima, në vitin 2011. Por, ky skenar nuk ka shumë gjasa, për sa kohë që publiku i mbivlerëson rreziqet e energjisë bërthamore. Ndërkohë, shumë burokratë, mbeten skeptikë ndaj energjisë së rinovueshme. Prandaj, Japonia vazhdon të djegë qymyr për të prodhuar energji, që është karburanti më ndotës.

Një mënyrë për të adresuar problemin e një popullsie në tkurrje, është të përfitoni sa më shumë nga njerëzit. Japonia nuk do ta përmbushë kurrë potencialin e saj, për sa kohë që shumë prej qytetarëve të saj me arsim të lartë, u mohohet mundësia për të përmbushur potencialin e tyre. Promovimi i bazuar mbi vjetërsinë në kompanitë tradicionale, i kombinuar me respektin e tepruar të të moshuarve, u ka ndalur hovin të rinjve dhe inovacionit. Kjo është arsyeja pse shumë nga të sapodiplomuarit më të zgjuar preferojnë të punojnë për startup-et (kompanitë e reja).

Japonia ka bërë një punë të mirë, duke futur më shumë gra në fuqinë punëtore, vitet e fundit, por ato kanë ende shumë pak mundësi për t’u ngritur në përgjegjësi. Sistemi i dyfishtë i punës është kurth për të rinjtë dhe gratë, në punë të pasigurta dhe me kohë të pjesshme (gjë që i bën ata, më pak të prirur për të pasur fëmijë).

Politikanët i tolerojnë që të gjitha këto, pjesërisht pasi ndjejnë pak presion për të vepruar ndryshe. Partia Liberal Demokratike është thuajse pa ndërprerë në pushtet, prej vitit 1955, falë një opozite shumë të dobët. Figura të larta, zakonisht të moshuar nga dinastitë politike, janë më konservatorë sesa populli që supozohet të përfaqësojnë.

Nga ana tjetër, për popullin, komoditeti i sotëm e errëson impulsin për të kërkuar një të nesërme më të shndritshme. Leksioni i fundit nga Japonia, ka të bëjë me rrezikun që sjell vetëkënaqësia.