E kisha takuar më 22 janar 2009.
Bëra një bisedë me Të.
E përcolla në shtyp me titullin “Apologjia e vërtetë e Mirush Kabashit”.
Dola pas shfaqjes ku duartrokitjet për të e kthyen disa herë, të dalë në skenë, një fotografi me të.
E ruaj (dhe e përcjell) si një ndër gjërat e bukura në takime me njerëz të mëdhenj të artit dhe të kulturës.
Vite më vonë, më 3 gusht 2018, në pushim të seminarit të përvitshëm për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, vlerat e të cilëve i kam përmbledhur në katër libra me afro 2000 faqe e më se 600 fotografi, e shoh në hollin e gjerë të hotel “Tirana Internacional”.
Trup drejt, me pamje atleti, i qeshur.
U nisa drejt tij.
Pa bërë dy hapa zëri i tij më erdhi si bubullimë.
– Abdurahim Ashiku, ku je?
U befasova.
Hapi krahët dhe më përqafoi me mall.
Ashtu thjesht e me dashuri siç dinë të përqafojnë njerëzit e thjesht, të mëdhenj deri në madhështi.
Kishin kaluar afro dhjetë vjet… Më mbante mend pamjen. Më mbante mend emrin. Më kujtoi momentin e intervistës. Më kujtoi çastin pas shfaqjes.
I bëra disa fotografi.
Vetëm.
Me një shok timin dhe të tij, Iljaz Bobaj poet, mërgimtar si unë në Greqi. Iljazi më bëri një foto me Të…
Më gëzoi.
I bëra një kompliment vetes…
Abdurahim Ashiku
Dhjetor 2021