Publikohe dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të panjohura për 40 vite me radhë, që shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”.
Gjithashtu publikohet autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14 tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Nga: Dashnor Kaloçi
Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.
Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti me materialin “Tepër sekret” të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me akuzat ndaj Kadri Hazbiut, për kohën që ai kishte shërbyer si ministër i Punëve të Brendshme
Tepër sekret
MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË SHOKUT KADRI HAZBIU NË KOHËN KUR ISHTE MINISTËR I BRENDSHËM
(Material i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH)
Na është tharë goja duke folur edhe në parim, edhe në praktikë për këto gjëra, për gjithë Partinë, por shumë herë dhe veçanërisht për organet e Ministrisë së Brendshme. Por në autokritikën e shokut Kadri, ne prisnim një analizë më të thellë jo vetëm për ndonjë gabim të rastit që i ngjet në punë e sipër një komunisti, qoftë dhe anëtari të Byrosë, por të na thotë si ka ndodhur që për 30 vjet, Ministria e Brendshme, që ai ka drejtuar, jo vetëm nuk ka zbuluar këta armiq kaq të rrezikshëm, jo thjesht antiparti, por në lidhje të vjetra e të reja agjenturore, por për më tepër se ajo ka qenë në dorën e tyre, është manipuluar nga ata si kanë dashur. Kjo është shumë e rëndë.
Po Kadriu ç’ka parë? Ç’ka dëgjuar? Ç’ka bërë? Si ka reaguar? Këtë kërkon të dijë Byroja Politike. Këtu duhet të thellohet shoku Kadri, që të ndihmojë Partinë në radhë të parë, dhe veten.
Ne nuk e njohim shokun Kadri për aq naiv, a si i thonë fjalës “leshko”, që t’ia hidhnin gjithë ata që kish përreth e në vartësi të tij, armiqtë si Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini e të tjerë maskarenj. Shoku Kadri nuk ishte nga ata që mbante distancë (nga ndrojtja ose respekti, siç ngjet pa të drejtë nga disa) me shokë të udhëheqjes në funksione më të larta, prandaj as Mehmet Shehu, e aq më pak Beqir Balluku, të cilët kishin lidhje operative shtetërore me Kadri Hazbiun, nuk mund të shtinin në Ministrinë e Brendshme, pa e pasur fare në konsideratë atë. Kjo nuk mund të ngjiste. Shoku Kadri, për t’u shfajësuar, thekson në autokritikë, se një gabim tjetër në punën e tij të dobët, ka qenë “mungesa e vendosmërisë për t’i ngritur kudo e kurdoherë, çështjet e gjërat ashtu siç i kam menduar… Kam pasur mendime të ndryshme për shumë çështje e probleme” dhe radhit një tok çështjesh, që në fakt janë çështje kapitale, por, siç pohon shoku Kadri, këto i ka quajtur të konsumuara në diskutimet me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun, me të cilët kish lidhje në rrugë shtetërore. “Në ndonjë rast, – thotë Kadriu, kam ngritur edhe më lart mendimin tim” dhe më poshtë shton: “Mungesa e shokut Hysni në këtë kohë, kur analizohen çështje kaq delikate, që lidhen me korrektësinë time ndaj Komitetit Qendror të Partisë, e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre”.
Implikimi i shokëve sekretarë që janë marrë me Ministrinë e Brendshme e Ushtrinë, është një tentativë komprometimi me qëllim të keq. Ndërsa implikimi i shokut Hysni, është një përpjekje e ulët për të akuzuar Byronë Politike dhe për të paraqitur veten si “viktimë”, është një akuzë ndaj shokut Hysni, një insinuatë e papranueshme dhe e dënueshme, të cilën e hedhim poshtë me indinjatë. – Shokun Hysni ne dhe tërë Partia, e njohim si një shok parimor, besnik e të partishëm si ai. Po të ishte gjallë shoku Hysni, do t’i dënonte rëndë gabimet e fajet e pafalshme të Kadriut, pse ai vërtet nuk rron, por ka lënë me shkrim vërejtje të rënda e kritika të ashpra për shkeljet e mëdha dhe punën e dobët të Ministrisë së Brendshme e të shokut Kadri.
E vërteta është se Kadriu nuk ka pasur “as vërejtje serioze”, as “mendime të ndryshme” me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun. Po t’ia kish thënë këto shokut Hysni, ky patjetër do t’ia raportonte shokut Enver. Por një gjë e tillë nuk rezulton. Veç kësaj vetë shoku Kadri e thotë që “mundësitë për t’i shtruar gjërat deri tek shoku Enver, nuk më kanë munguar”. Atëherë, në qoftë se ka pasur vërejtje serioze e dyshime, pse s’ia ka ngritur ato shokut Enver?! Apo edhe këtu ka luajtur rol “përralla” që po përhapte Mehmet Shehu “të mos e shqetësojmë shokun Enver”, me qëllimin djallëzor, për t’u izoluar nga shokët e nga punët. Shoku Enver e ka thënë gjithnjë, e theksoi edhe në mbledhjen e Byrosë Politike: “Unë këtë gjë kurrë s’e kam pranuar as atëherë, as tani. Jetën e kemi për Partinë, për popullin, për komunizmin. Unë izolimin nuk do ta lejoj e nuk do ta duroj, sa të kem frymë”.
Për këto që pretendon Kadriu, s’ka dokumente në Komitetin Qendror. Nga ana tjetër, për fat të mirë të Partisë, shoku Enver mban ditar, ku çdo ditë shënon me kë takohet, ç’i shtrojnë e çfarë u shtron shokëve. Me Kadriun ka pasur disa takime, ai e ka informuar për ndonjë ngjarje apo incident, por s’i ka ngritur gjë as nga larg për këto që analizojmë, kurse shoku Enver ka dhënë shumë këshilla e porosi për Ministrinë e Brendshme e Sigurimin e Shtetit.
Kadriu pohon kur thotë se: “ky qëndrim imi i ka favorizuar të gjithë këta armiq në metodën e tyre të fshehjes së gjurmëve”. Por këtë miopi politike e mungesë partishmërie, ai e paraqet thjesht si “mashtrim” e “pabesi” nga ana e Mehmet Shehut e Beqir Ballukut, që i paraqisnin çështjet “si të para e të gjykuara me shokët”. Edhe këtu ka insinuata me qëllim të keq, duke lënë të kuptohet se ata kanë biseduar edhe me shokun Enver, si shokun më përgjegjës mbi ta. Po shoku Kadri, si shok udhëheqës, nuk ishte në gjendje të dallonte ç’ishte në vijën e Partisë e çfarë jo? Kjo është abc-ja për çdo komunist dhe çdo komunist e di rrugën që duhet ndjekur. Kur sheh që shkelet vija, ai shkel çdo lidhje hierarkike e, sipas normave të Statutit të Partisë, raporton e kërkon sqarime deri në instancat më të larta të Partisë.
Jo, kjo nuk është autokritikë e hapët, është autokritikë me rezerva dhe bëhet me tendencën për t’i shpërndarë përgjegjësitë e rënda që i takojnë shokut Kadri. Këtë gjë Byroja Politike nuk e pranon. Shoku Kadri herë e paraqet veten “viktimë”, herë ia hedh fajin euforisë e njëfarë kulti që ish krijuar për Sigurimin, dhe që në fakt është krijuar, herë thotë se ka vepruar nën presionin e Mehmet Shehut, Beqir Ballukut e vartësve të vet, Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut me shokë, e se ka pasur familjaritet me këta e vartësit e tjerë. Po neve a na ka imponuar gjë Mehmet Shehu? Jo, s’ka mundur të na imponojë. Pra, nuk është e drejtë të thuhet, edhe unë kisha besim te Mehmet Shehu, siç kishit ju. Ka një diferencë në këtë çështje, dhe kjo diferencë shpjegon atë pse Kadriu i është nënshtruar presionit të Mehmet Shehut e të Beqir Ballukut me kompani.
Nga një anë Kadriu pranon se ka gabuar dhe “ka përgjegjësi për vlerësimet që u janë bërë këtyre armiqve e tradhtarëve” që e rrethonin, por, nga ana tjetër, ngarkon me përgjegjësi, siç u tha pak më parë, “edhe disa shokë sekretarë të Komitetit Qendror që merreshin me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me kuadrin”. Shokët sekretarë që merren me kuadrin nuk kanë asnjë përgjegjësi për ç’ka ngjarë në Ministrinë e Brendshme, sepse ata ishin korrekt për çdo gjë. Po shoku Kadri mund të shkonte edhe më tej e të ngarkojë me përgjegjësi edhe Sekretariatin dhe Byronë Politike, që vendosin për këto kuadro të nomenklaturës së tyre. Po kush duhet të sinjalizonte Byronë Politike e Sekretariatin, të mos flasim për punën e fshehtë armiqësore, por, të themi, për sjelljet morale të Beqir Ballukut, të Feçor Shehut etj? Kadriu mund të thotë: Duhej Partia të sinjalizonte. Dakord, dhe Partia ka bërë sinjalizime të tilla, me të cilat Kadriu është njohur. Por shoku Kadri dhe Bato Karafili, që u ngarkuan për t’i verifikuar, e nxorën të larë Feçorin.
Po Sigurimi, nga ana e tij, ç’bënte? Gjumë apo qejf o qejf? Si ka punuar Kadriu që të kultivonte në vartësit e tij e tek të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme thjeshtësinë, urtësinë, besnikërinë ndaj çështjes së Partisë, Atdheut e popullit? Pse lejoi ai që në shumë nga këto kuadro të zhvillohen shfaqje në kundërshtim me moralin komunist dhe të ushqehet mendimi se “ne jemi më të zgjedhurit e Partisë, ne mund të bëjmë ç’të duam, askush nuk mund të na kontrollojë, të na denoncojë, se u punojmë qindin”. Dhe këto janë të vërteta, s’janë përralla. Mirë, s’e dinim as ne, as Kadriu që Feçor Shehu ishte agjent, por, siç na thonë tani, që kur ishte në Peshkopi, Partia ka sinjalizuar e Kadriu është vënë në dijeni që Feçor Shehu ishte imoral, kurse Kadriu thotë: “s’e dija”. Por në Komitetin Qendror ekziston dokumenti ku shoku Kadri ka bërë shënime me dorën e tij, se këto që thuhen për Feçorin s’janë të vërteta. Gjithë Shkodra e dinte që Feçori ishte imoral, kurse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Kadriu s’e dinin. Po ç’di Sigurimi? Vetëm ato parullat e reaksionarëve që i hedhin aty-këtu?
Feçor Shehun e aprovuam ne si ministër, po kush duhet ta njihte më mirë se çdonjëri nga ne? Kadriu. Ai kishte vite që punonte drejtpërdrejt me të. Për emërimin si ministër Byroja Politike u mbështet kryesisht në mendimet e shokut Kadri. Kish kokë për ministër apo jo ai, këtë duhet të na e thoshte shoku Kadri. Shoku Kadri mund të thotë se propozimi nuk erdhi nga ai, por nga Mehmet Shehu. Kjo nuk ndryshon gjë. Shoku Kadri ka përgjegjësi edhe në rastin që ai vetëm “e aprovoi”, siç thotë në autokritikë (duke lënë të kuptohet se nuk u pyet për këtë, gjë që s’është e vërtetë) edhe në rastin që ai s’kish kuptuar asgjë “ç’gatuante” Feçor Shehu nën hundën e tij.
Kadri Hazbiu e dënoi vetëvrasjen e Mehmet Shehut si akt armiqësor dhe vetë atë si armik të egër ashtu siç e cilësoi gjithë Partia. Siç u theksua dhe në fillim, nga Kadriu Byroja Politike priste e kërkonte që ta ndihmonte më shumë Partinë. Siç e pohon edhe në autokritikën e tij, shoku Enver e kishte njohur atë edhe me të dhënat që vërtetonin se kush ish ky nga e kaluara si agjent e konspirator. “Kjo, – thotë Kadriu, më ndihmoi për të krijuar një vizion të plotë se këtu nuk ishte fjala për çfarëdolloj veprimtarie, por, për një punë agjenturore të mirëfilltë e Mehmet Shehu një krye agjent dhe jo vetëm në këtë rrjet, por i vjetër në aktivitet”. Megjithatë, pohon ai më poshtë, “unë kisha besimin se Mehmet Shehu nuk mund të kish një rrjet e mbështetje aq të gjerë e të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me përjashtim të Feçor Shehut e të ndonjë tjetri si ky”. Pse të mendonte kështu shoku Kadri me gjithë ato që po na dëgjonin veshët nga armikja Fiqrete Shehu e të tjerët?
Kritikën që Kadriu i bëri Mehmet Shehut në Byro e kemi quajtur të mirë (bile disa i paskan bërë lëvdata!) por duam të theksojmë se nuk është e vërtetë që Kadriu e realizoi rrezikshmërinë e Mehmet Shehut, që kur ky vrau veten. Këtë rrezikshmëri Kadriu s’e ka realizuar ose s’ka dashur ta realizojë edhe mjaft kohë pas vetëvrasjes, kur po zbulohej rrjeti agjenturor i Mehmet Shehut.
Jo vetëm autokritika e parë e tij ishte krejt e përciptë dhe e vagët, pa analiza të përgjegjësive, por përkundrazi me deklarata pompoze për besnikëri ndaj Partisë etj. dhe nuk reflektoi më tej, jo vetëm nuk u tregua aktiv e i çiltër, siç iu kërkua nga shoku Enver për të ndihmuar shokun Hekuran Isai më nga afër, por ai shfaqi disa hezitime që të bëjnë shumë të mendohesh. Në një kohë që Fiqrete Shehu po pohonte planet kriminale të Mehmet Shehut e të bashkëpunëtorëve të tij, si Feçor Shehun, Kadriu shprehu mendimin se Fiqrete Shehu ishte një element antiparti (kur ajo po pohonte vetë se ishte agjente). Kur do të arrestohej Feçor Shehu, shprehu hezitimin: “se mos kjo, Fiqrete Shehu, na fut në qorrsokakë” dhe, kur po merreshin masa pushimi e transferimesh për disa njerëz që kishin gabuar rëndë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai shprehu mendimin se mos shoku Hekuran po nxitohej, sepse nga të dhënat e tij në kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kish tulatje e demoralizim.
Pse këto hezitime nga shoku Kadri? Pse këto sugjerime për të pasur kujdes për Fiqrete Shehun, Feçor Shehun e kuadrot e komprometuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në një kohë që ai duhet të çahej e të bëhej katërsh për t’u shkuar gjërave deri në fund? Këto qëndrime hezituese dhe këto fakte që po analizojmë, që kanë ngjarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme e me dijeninë e shokut Kadri, na e lëkundin besimin në sinqeritetin e tij. Jo! Këto qëndrime nuk janë të drejta, nuk janë marksiste. Këto veprime nuk janë bërë pa dijeninë e Kadriut, sikurse përpiqet të justifikohet si në autokritikë, ashtu edhe në mbledhjen e Byrosë Politike.
Veprimtaria e Koçi Xoxes, e udhëhequr nga serbi Rankoviç, ishte një metodë pune trockiste, pse ai në shërbim të jugosllavëve krijonte kartela të rrema, të falsifikuara, për udhëheqësit e shëndoshë të Partisë dhe të popullit, për të përgatitur eliminimin e tyre fizik dhe moral.
“Siç gjykoj tani, – thotë shoku Kadri në autokritikën e tij (se mos e akuzonin si trockist), veç të tjerave, mbi mua këtu ka ndikuar edhe presioni i armiqve që më rrethonin, si ata që kam pasur në vartësi (Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini etj.), ashtu dhe ata që më drejtonin operativist në rrugë shtetërore, si Mehmet Shehu e Beqir Balluku dhe, së bashku me ta, edhe këshilltarët sovjetikë që ishin futur në çdo sektor të Sigurimit (duhet theksuar se këshilltarët sovjetikë në Ministrinë e Brendshme kanë qenë me shumicë dhe nga viti 1954 e tutje, ndryshe nga praktika në dikasteret e tjera e jashtë vendimeve të Komitetit Qendror, kanë ardhur duke u shtuar). Këta, vazhdon në autokritikën e vet Kadriu, nga një anë sabotuan në shpinën time dhe nga ana tjetër bënin presione të vazhdueshëm për gjoja kujdesin që duhet të kishim që të mos binim në trockizëm e në metodat jugosllave në ndjekjen e vlerësimin e të dhënave që çonin drejt dyshimeve për armiq të kamufluar mirë e në vende me përgjegjësi. Ky presion nuk bëhesh vetëm direkt mbi mua, por mbi të gjithë njerëzit e Sigurimit”.
Ne e pyesim shokun Kadri, pse ai pranoi presionin e këtyre armiqve dhe nuk iu nënshtrua vijës së Partisë dhe të vinte në Komitetin Qendror të fliste për këto gjëra? Sipas pikëpamjes së Kadriut del se, po të dyshonim për ndonjë personalitet, i cili merrej me punë armiqësore, neve nuk duhet të kallëzonim, për arsye se, siç thotë ai, mund të quheshim ose të binim në metodat trockiste të Koçi Xoxes. Ky mendim nuk është një mendim partie, përkundrazi, ky shuan luftën e klasave dhe u lejon mundësinë disa personaliteteve të bëjnë punë armiqësore kundër Partisë, siç ngjau. Kjo është përsëri një metodë pune trockiste, bile armiqësore kundër socializmit dhe Partisë. Prandaj është një shfajësim dhe koncept i gabuar i Kadriut dhe i bashkëpunëtorëve të tij, që e kishin pasur këtë mendim. Por ne e pyesim shokun Kadri, se a ka pasur sinjalizime për personalitete që merreshin me punë armiqësore dhe ai nuk i ka treguar? Kjo më mirë vonë se kurrë duhet të na thuhet.
U tha pak më lart se sa kemi futur një gisht në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe rastësisht shohim, për shembull, se Hulusi Spahiu ka deponuar në hetuesi (1956) se ishte një nga organizatorët e Konferencës së Tiranës. Ai për këtë kish folur më përpara me Beqir Ballukun, Kiço Ngjelën, Rrahman Parllakun etj. Tani të pyesim, shoku Kadri, shiheshin apo fshiheshin këto deklarata për personalitete të larta të Partisë e të shtetit? Pse nuk shiheshin ose më mirë të themi pse fshiheshin? Është e mundur që për kuadro me kaq rëndësi, në momentet që po kalonin Partia dhe vendi ynë pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe ngjarjeve në Hungari, Poloni etj., etj., ai të mos i kish lexuar këto deponime? Byroja Politike nuk e beson këtë gjë.
Pra, një koncept i tillë, që të mos diktosh dhe të mos i vësh në dukje Partisë aktet e dyshimta ose armiqësore të një personaliteti, është krejtësisht i huaj për ne, kjo do të thotë t’i lësh këta të veprojnë, siç u la Beqir Balluku, t’u krijosh këtyre kultin e personit, t’i bësh arrogantë që këta t’u këllasin edhe frikën të tjerëve. Pra, të lësh njerëz të veprojnë në kokën e Partisë dhe të shtetit, në kundërshtim me ligjet dhe normat e kësaj udhëheqjeje. Ky nuk është një mendim marksist, por antimarksist.