Nëse ka një mësim që e kemi mësuar në 100 vjet që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, është se ata që mbrojnë demokracinë në të dyja anët e Atlantikut, duhet të flasin kur demokracia sulmohet. Qeveria hungareze po përgatitet për sulmin e radhës, duke larguar një universitet kryesor nga kryeqyteti i saj. Dhe është koha që amerikanët të reagojnë…
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duket se ka vendosur të mbyllë ose të paktën të zhvendosë Universitetin e njohur të Evropës Qendrore (CEU), një institucion i përbashkët amerikan dhe hungarez i arsimit të lartë. Ai i ka mohuar CEU-së çertifikimin që i duhet të vazhdojë të veprojë dhe, nëse gjithçka shkon keq deri më 1 dhjetor, CEU do të detyrohet të zhvendoset në Vienë.
CEU u krijua pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur evropianët dhe amerikanët dolën me idenë për një “universitet ndërkombëtar që do të ndihmonte në lehtësimin e tranzicionit nga diktatura në demokraci në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik”.
Që nga fillimi i tij në 1991 CEU, shërbeu si një universitet i stilit amerikan që ndihmoi të ndërtoheshin lidhje më të mira dypalëshe bazuar në vlerat e përbashkëta.
Megjithatë, Orban në prill 2017, ndryshoi ligjin e arsimit të lartë për të përzënë CEU.
Orban e ka problemin me ideologjinë liberale të CEU-së. Ai ka qenë i vendosur për të shkatërruar demokracinë liberale. “Shteti i ri që po ndërtojmë është një shtet joliberal”, tha Orban.
Megjithatë, ka edhe më shumë. Duket qartë se Orban është motivuar edhe nga fakti se kundërshtari i tij, Xhorxh Soros, ka kontribuar në themelimin e CEU. Në kërkimin e rizgjedhjes së pranverës së kaluar, Orbani kishte nevojë për një armik dhe kështu ai përdori Sorosin.
Por në këtë rast administrata e Trump nuk e ka mbështetur Viktor Oranin. Madje ka thënë se CEU është shumë i rëndësishëm.
Me CEU, Orban po largon një institucion me rrënjë në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë duhet të deklarojnë publikisht se do të pakësojnë takimet me zyrtarët hungarezë. Dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo duhet të shtyjë takimin me homologun e tij hungarez, siç bëri në maj, derisa Hungaria të “ndryshojë rrugë”.
Hungaria është aleate e NATO-s dhe NATO duhet të mbetet një klub jo vetëm i interesave të përbashkëta, por edhe i vlerave të përbashkëta demokratike.
SHBA-ja deri tani ka qenë aleate e Hungarisë. Por Hungaria po prish gjithçka. Dhe Amerika duhet të veprojë, para se Orban të shkatërrojë gjithçka…